Shqiptarët në Mal të Zi urojnë fitoren e Albin Kurtit

Albin Kurtit i ka ardhur dita ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës. Mbështetur në rezultatet preliminare, rreth pesë mijë vota ka marrë Kurti më shumë sesa kundërkandidatja nga Lidhja Demokratike, Vjosa Osmani.

Opozita e deritashme ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Nga 95.5 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 196 mijë e 833 vota (25,79 për qind), ndërsa LDK-ja 191 mijë e 312 vota (25.06 për qind).

Ky sukses i Lëvizjes Vetevendosje dhe të liderit të saj Albin Kurti entuziasoi në masë të madhe edhe shqiptarët në Mal të Zi. Mesazhet dhe urimet në adresë të Kurtit kishin mbushur rrjetet sociale, shkruan Ulqini Online.

”Unë besoja se i vjen dita. Urime Albin Kurti!”, kështu shkruan Cani Lazoja, këngëtari i njohur nga Ulqini.

”Përgëzoi popullin e Kosoves per zgjedhje te qeta dhe te rregulleta. Ndryshimi erdhi , sot shumica u zgju me buzeqeshje e dhashte zoti te zgjase gjate.
Ju deshiroi Albinit e Vjoses rrugetim te mbare!”, kështu shkruan mjeku Sabri Osmani nga Ana e Malit i cili jeton në vendet përëndimore.

”Na priftë e mbara”. kështu shkruan profesori i njohur nga Malësia Martin Berishaj i cili shkrimin e tij e shoqëron me një fotografi me z. Kurti.

”Urime, urime z. Albin Kurti ! Urime kjo “Dite e re,- nafake e bardhe”!, kështu shkruan Xhavit Gjonbalaj.

Numri i mesazheve në rrjetat sociale që uronin Albin Kurtin ishte jashtëzakonisht i madh.