33-VJETORI I NJË KONTRIBUTI PËR SHPËTIMIN E GAZTËS “DIELLI’

Gjekë Gjonlekaj dhe Lucë Gjonlekaj me gazetën Dielli në 1996

Gjekë Gjonlekaj/New York

Për këtë gazetë zëmadhe kisha mësuar në shkollën e vendlindjes, ashtu siç kisha mësuar edhe për Fan S.Nolin dhe për disa personalitete tjera shqiptaro-amerikane. Pas rënjes së Aleksandër Rankoviqit nga pushteti jugosllav në Kosovë kishin filluar të botohen disa monografi të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë.Në vitrinën e një librarie në rrugën kryesore të Gjakovës ishin vendosur disa vepra të poetëve nga Shqipëria,ku bënte pjesë edhe një poemë e Nolit.Portretet dhe titujt e këtyre veprave letrare ishin për ne, një lloj frymëzimi. Në mitingje letrare dhe poetike aktorët shqiptarë të Kosovës recitonin poezitë e Nolit më shumë se të asnjë poeti tjetër. Elita kulturore e Kosovës gëzonte dashuri e respekt të jashtzakonshëm për Fan Nolin. Shumë nga ata e kishin dëgjuar zërin dhe komentet e tij në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës, sepse Noli kishte jetuar deri në mars te vititi 1965. Ndryshe nga Konica dhe poetët tjerë shqiptarë që kishin qënë të ndaluar, Imzot Noli megjithatë nderohej për veprimtarinë e tij kombëtare , fetare dhe kulturore Emëri i  këtyre dy kolosëve dhe emëri i Amerikës ishin si një trinom për brezëritë shqiptare kudo në botë. Amerika për ne ishte simbol i lirisë, demokracisë dhe begatisë. Shqiptarët në Ballkan ishin të shtypur prandaj e nderonin Amerikën jo vetëm për të mirat e saj, materiale por edhe për lirinë dhe mundësinë që u kishte  dhënë shqiptaro-amerikanëve për të vepruar në të mirën e çështjes kombëtare. Bostoni dhe Washingtoni ishin dy qytete të dashura për botën shqiptare. Disa ditë para se të largohesha nga Prishtina në fillim të janarit 1970 një student nga Malësia më pyeti pse po shkon në Amerikë. Përgjigjja ime ishte sa qesharake aq edhe profetike. Po shkoj në Amerikë:”Për të shkruar për gaztën “Dielli”, për të folur në “Zërin e Amerikës”  dhe për t’u bërë i pasur”!?.Objektivat e mia ishin në lartësitë e Everestit , dhe si të tilla  më munduan për pothuajse një gjysmë shekulli. Drejtori i Zyrës së “Zërit të Amerikë” në New York, Al Banks shkroi 30 vjet më parë një artikull për gazetarët  e kësaj zyre. Al Banks shkroi gjërësisht edhe për mua në revistën “VOICE”, që ishte organ i këtij radiostacioni. Ai kishte vënë në dukje tre objektivat e mia,dy të parat të realizuara,por ai ishte optimist në shrimin e tij se edhe objektivin e tretë do ta realizojë, duke parë tek unë vullnetin e mirë dhe përpjekjet serioze. Kjo revistë ishte  përhapur në shumë vende të botës dhe kisha marrë disa letra  sidomos nga vendet e Afrikës. Ata kishin menduar se isha i pasur, gjë që nuk ishte e vërtetë por Al Banks kishte parashikuar këtë, sepse në atë kohë kisha filluar investime në prona të patundshme(real estate).

Gazeta Dielli për mua kishte edhe një rëndësi ngase editori i saj Dr. Athanas Gegaj  ishte njeri i familjes sime. Në gazetën e tetorit të vitit 1970 kishte bërë një shënim për ardhjen tonë në Amerikë. Pas disa muajsh vendosëm lidhje. Ai kishte një dashuri e respekt të madh për “Diellin” dhe për “Vatrën”. Në fillim të fillimit në Amerikë nuk kishim asnjë lidhje tjetër me botën shqiptare përveç gazetës “Dielli”. Në atë kohë ishte 4 faqesh por botohej një herë në javë. Në mesin e viteve 70’ filluam bashkëpunim serioz me “Vatrën”.Në New York kishte shumë aktivistë vatranë ku shquhej Ymer Doda. Ai fitoi menjëherë mbështetjen tonë dhe të shumë malësorëve nga trojet shqiptare të robëruara. Ymer Doda shkonte derë për derë duke kërkuar abonuesë të gazetës dhe anëtarë të Vatrës. Dega 29 e Vatrës në New York ishte shtylla kryesore e kësaj organizate. Dekada e 8-të e shekullit të kalar ishte periudha më historike dhe tragjike e pjesë së dytë të shekullit të kaluar. Në pranverë të vitit 1981 filluan kryengritjet e Kosovës për liri e pavarësi. Në pranverë të vitit 1982 u vranë vëllazërit Gervalla dhe Kadri Zeka. Në atë kohë u vra ose u vetvra Mehmet Shehu dhe tre vjet më vonë vdiq Enver Hoxha. Të gjitha këto  ngjarje ndodhën në një  distancë kohore prej 4 vjetësh. Analistët politikë shqiptarë dhe të huaj parashikonin  ndryshime të mëdha në botën shqiptare. Kombi shqiptar ishte në lëvizje e sipër për liri e demokraci. Edhe shqiptarët e Amerikës kishin filluar aktivitetet  e tyre për të mirën kombëtare.Këtu bënte pjesë edhe Vatra e Dielli. Ishin bërë tradicionale kuvendet e kësaj organizate të mbahen gjithmonë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Kuvendi i vitit 1985 u zhvillua në Boston në fundjavën e parë të tëtorit.Ne vatranët e qyteteve tjera amerikane shkonim në Boston të gëzuar sepse ky qytet për ne ishte një Tiranë e vogël. Kisha katedrale e Shën Gjergit dhe restauranti  i famshëm Anthony Pier 4, kishin për shqiptarë rëndësi historike dhe kulturore. Kuvëndet fillonin të shtunën në mëngjez dhe vazhdonin gjithë pasditën, bile disa herë edhe të dielën para se të shtrohej një drekë e veçantë në  Anthony Pier të Antoni Athanasit. Kuvendi i atij viti kaloi mirë në fillim deri në momentin kur sekretarja e Vatrës Paulina Lukas deklaroi se gazeta “Dielli” nuk botohet më. Kur dëgjuan këtë lajm delegatët i kaploi një dhimbje që nuk ishte parë asnjëherë në kuvendet e kësaj organizate. Disa nga të pranishmit pyesnin pse po mbyllet gazeta? Zonja Lukas përgjigjej për mungesë të financave. Aty ishte edhe Antoni Athanas por nuk reagonte fare. Qeveria komuniste e Tiranës dhe ajo e Beogradit kishin vepruar natë e ditë për mbylljen e kësaj gazete. Të dy këto qeveri kishin miqë besnikë në Amerikë. Patriotët shqiptarë antikomunistë  dhe antijugosllavë që fatëkeqësisht nuk kishin mundësi të mjaftueshme financiare e kundërshtuan këtë vendim. Dielli ç’prej vitit 1960 e deri në vitin 1985 kishte bërë punë të madhe kundër diktaturës në Shqipëri dhe kundër pushtimit  jugosllav të tokave shqiptare. Kjo ndodhi në sesionin e parë të mëngjezit. Gjatë pushimit midis dy seancave u këshillova me vëllaun tim Lucë Gjonlekaj i cili ishte i pranishëm në këtë kuvend për mundësinë e një kontributi për shpëtimin e kësaj gazete. Ai e mbështeti me këmbëngulje qëndrimin tim për botimin e 12 numrave me 8 faqe për gjashtë muaj duke filluar nga janari i vitit 1986. Çdo numër kushtonte 950 dollarë, dhe prej 1 janarit 1986 e deri më 1 korrik po të atij viti ne paguam $11,400 (njëmbdhjet mijë e katërqind dollar). Pas pak kohe kryetari i Vatrës Dr. Andrew Elia kërkoi një deklaratë tonën për këtë kontribut ,bile edhe fotografinë tonë. Ne ia plotësuam dëshirën duke ia shpjegur se populli  ynë kishte nevojë të madhe për një gazetë serioze shqiptaro-amerikane. Shqipëria nën diktaturë dhe Kosova dhe viset tjera shqiptare nën roberinë jugosllave prisnin prej nesh ndihmën për liri e pavarësi. Do të ishte qenë mëkat për ne sikur të kishim hequr dorë nga thirrjet e tyre për shpëtim. Mbyllja e gazetës Dielli në atë kohë do të ishte një vepër e keqe. Të pranishmit e pritën mirë dhe e duartrokitën premtimin tonë,edhe pse dukej i pamundshëm. Shumë shqiptarë të Amerikës e përshëndetën këtë akt. Kryeredaktori i Diellit Xhevat Kallajxhi botoi një editorial në këtë gazetë për këtë dhuratë, duke e cilësuar si dhuratën më të madhe në historinë e Diellit dhe Vatrës.Ndërsa kryetari i Vatrës Dr. Andrew Elia e cilësoi si një vepër të madhe patriotike. Edhe Profesor Repishti na përgëzoi për këtë kontribut me një shkrim ne gazetën Dielli. Edhe shqiptarë të tjerë kanë shkruar e folur për ketë vepër. Gjatë një vizite në New York, Antoni Athanas më përgëzoi duke më thënë: “Qarrata e mbajte fjalën”,Urime”. Ndërsa miku ynë Prenkë Gruda tha: “Urime, e pshtuat Diellin nga vorri”. Unë ruaj kujtime të mira për dy gazeta shqiptare, për gazetën “Rilindja” e Prishtinës dhe për gazetën “Dielli” të Bostonit. “Rilindja u shua,ndërsa gazeta “Dielli” një muaj më parë kremtoi 110-vjetorin e saj. Do Zoti e kjo gazetë nuk do të shuhet kurrë, ashtu siç nuk do të shuhet kurrë as drita e diellit.