Anë e mbanë botës, 3 Maji shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e deklaruar si e tillë nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të nënvijuar rëndësinë e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe njëkohësisht për t’u kujtuar qeverive anëtare të OKB-së, detyrën dhe përgjegjësinë e tyre për të respektuar lirinë e të shprehurit, ashtu siç përcakton neni 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të vitit 1948 dhe Deklarata Ndërkombëtare e Windhoek e vitit 1991, një deklaratë kjo parimesh sepicifike mbi lirinë e shtypit. Është interesant një fakt tjetër historik, ndoshta pak i njohur, se këtë vit Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, bie gjithashtu edhe në 250-vjetorin e Aktit të parë në botë në mbështetje të lirisë shtypit, miratuar më 1776, në Suedi.
Në këtë ditë të Lirisë së Shtypit në botë, gjendja e gazetarëve dhe e lirisë së tyre të veprimit dhe të kryerjes së detyrës së tyre që ata kanë ndaj shoqërisë dhe shteteve ku jetojnë, veçse vjen e keqësohet anë e mbanë botës. Sipas statistikave, nga viti 1992, anë e mbanë botës janë vrarë 1,189 gazetarë e gazetare. Ndërsa në raportin që botoi muajin e kaluar organizata jo qeveritare Freedom House — e cila raporton dhe mbështetë demokracinë, lirinë politike, lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës – thuhet se sipas matjes së saj sot vetëm 13 për qind e popullësisë botërore gëzon lirinë e shtypit, ndërsa pothuaj gjysma e popullësisë botërore (46 %), nuk e gëzon këtë liri në asnjë formë. Ente të ndryshme mediatike, me rastin e kësaj dite të lirisë botërore, i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për t’u kujdesur për sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, me qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë të gjithë gazetarët dhe korrespondentët e mediave tradicionale dhe të atyre elektronike, anë e mbanë botës, ashtuqë që të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre të lirë dhe pa frikë ndëshkimi për punën e tyre si gazetarë e gazetare.
Duke shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë, njëkohsisht edhe Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh se, “Sot ne kujtojmë me nderim gazetarët anë e mbanë botës, të cilët përballin rreziqet, dhunën, persekutimet dhe frikësimet, në përpjekjet e tyre të përditshme për të raportuar të vërtetën.” Kryediplomati gjerman dhe kryetari i OSBE-së shtoi se, “Media e lirë dhe e pavarur është një gur themel i pazëvendësueshëm për mbarëvajtjen e një shoqërie të lirë dhe demokratike”. Ai nënvijoi se në këtë fushë, OSBE-ja, “Luan një rol jetik duke përcaktuar dhe duke mbrojtur standardet e përbashkëta, në promovimin e këtij parimi për lirinë e medias”, shtoi Ministri i Jashtëm gjerman. Ndërsa përfaqsuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç tha me këtë rast se, “Kjo ditë na kujton rëndësinë që luan media e lirë si dhe rolin thelbësor që ajo luan në shoqërinë civile. Gazetarët anë e mbanë botës”, shtoi ajo, “përfshirë edhe ata që punojnë në rajonin e vendeve anëtare të OSBE-së, po veprojnë gjithnjë e më shumë nën kushte të vështira pune.”
Ndërsa në emër të Bashkimit Europian (BE), Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, nënvijoi se, “E drejta e lirisë së opinionit dhe e të shprehurit përfshinë edhe lirinë për të kërkuar, për të marrë dhe për të shpërndarë informacionin.” Ky, tha Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, “Është çelsi kryesor i qeverisjes dhe zhvillimit demokratik në përgjithësi. Njerzit kanë nevojë të informohen plotësisht dhe objektivisht me qëllim që të bazuar në informacionin e marrë, të kenë mundësi të formojnë opinionin e vet dhe të marrin pjesë në proceset vendim-marrëse që afektojnë jetën e tyre të përditshme.” Federica Mogherini theksoi gjithashtu se, “Liria e informacionit ndihmon për një qeverisje më të mirë, ndërkohë që mbështetë dhe përforcon transparencën në jetën publike dhe mund të përdoret për të mbajtur përgjegjëse qeveritë dhe përfaqsuesit e klasës politikë për veprimet e tyre, sidomos në fushën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të korrupsionit.” Në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqsuesja e BE-së dënoi gjithashtu frikësimet dhe dhunën që po përdoret në rritje e sipër ndaj gazetarëve anë e mbanë botës ndërsa shprehu vendosmërinë e entit që ajo përfaqëson, “Për të promovuar dhe për të mbështetur lirinë e të menduarit dhe të të shprehurit, për të gjithë dhe kudo, bazuar në parimet e barazisë, mos diskriminimit dhe universalitetit – nepërmjet cilësdo media që ata dëshirojnë dhe pa pengesa kufijsh. Kjo është e drejta juaj”, përfundoi deklaratën e saj Federica Mogherini.
Sipas organizatave të ndryshme botërore që merren me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me lirinë e medias në përgjithësi edhe këtë vit, Dita Botërore e Lirisë së shtypit e gjenë median, në pjesën më të madhe të botës, në një atmosferë frikësimi, dhune, vet-censure dhe tensionesh publike dhe private. Ndërkohë që qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës, kanë shtuar masat e tyre shtypëse në këtë fushë — me legjislacion dhe pa legjislacion – për të kontrolluar dhe për të shtypur lirinë e medias, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga interesa të ndryshme private të korruptuara, që mund të jenë të lidhura direkt ose indirekt me qeverinë ose përfaqsues të saj. Arkitekti i fjalës së lirë, Thomas Xhefersoni ka thënë se shtypi, që me të vërtetë është i lirë të hetojë dhe të kritikojë qeverinë, është absolutisht i doemosdoshëm për demokracinë e një vendi që praktikon vetqeverisjen. Si rrjedhim, mbarëvajtja politike dhe ekonomike e një vendi, varet nga qytetarët e edukuar dhe të mirë-informuar. Ai ka thënë gjithashtu se “ndonëse qeveritë tona duhet të bazohen dhe të veprojnë sipas opinionit të shprehur dhe të lirë të popullit, atëherë si rrjedhim, objektivi i parë duhet të jetë që kjo e drejtë, pra e drejta e lirisë së shtypit, duhet të ruhet dhe të kultivohet”. Ndryshe nga shumica e udhëheqsve të sotëm botërorë, Xhefersoni besonte në triumfin përfundimtar të së vërtetës si dhe në lirinë e fjalës dhe të përhapjes së lire të ideve dhe besonte njëkohsisht në shtypin e lirë si një mjet për të arritur tek e vërteta përfundimtare.
Por sot, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Korrespondetëve pa Kufijë, Christophe Deloire, “Për fat të keqë, është tepër e qartë se shumë prej udhëheqsve aktual botërorë janë duke zhvilluar një formë paranoje në lidhje me gazetarinë legjitime.” Frikësimet dhe dhuna ndaj gazetarëve, thekson ai, përfundon në anashkalimin e debatit mbi pluralizmin dhe çon në shtypjen, në rritje e sipër të lirisë së medias dhe përfaqsuesve të saj, nga qeveritë autoritare shtypëse. Z. Deloire shtoi se gazetaria e vërtetë, e cila meriton të konsiderohet si e tillë, duhet patjetër të mbrohet kundër propagandës së qeverive, në rritje e sipër, ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës. “Garancia e të drejtës së publikut për të pasur në dispozicion lajme dhe informacione të pavarura dhe të besueshme është jetike nëqoftse kemi në mend të zgjidhim problemet e njerëzimit — qoftë në nivelin vendas, qoftë në nivelin botëror”, tha me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Korrespondentëve pa Kufijë, Christophe Deloire.