leonard-veiziNga Leonard Veizi

DOKUMENTACION/ Në gjurmët e historisë së Shenjtorit Gjon Vladimiri. Këto janë rrënojat e kishës “Virgjëresha e Krajës”, në zonën e Krajës apo të Katërkollës, fare pranë Shkodrës dhe Ulqinit. Gjon Vladimiri ka qenë princi i kësaj krahine. Krejt treva ka qenë dhe mbetet shqipfolëse edhe pse sot administrativisht bën pjesë në Malin e Zi. Prej këtu ka nisur miti i Gjon Vladimirit, – i cili u vra barbarisht si ndëshkim për luftën që ai bëri ndaj invazionit sllav, – për të shtegtuar në Durrës e për të mbërritur në Elbasan. Pikërisht prej këndej ka kaluar dhe procesi i shenjtërimit të këtij princi. Kulti i Gjon Vladimirit, që përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin, ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar. Kështu shprehen historianët. Në të njëjtën kohë me këtë histori ka udhëtuar edhe një legjendë e jashtëzakonshme ku flitet për kokën e tij të prerë… Historia është gjatë, për më tepër e ndodhur 1000 vite më parë. Vështirë të përmblidhet në pak rreshta..

NË KËRKIM TË HISTORISË/ – Me Atë Irineun e kishës së Shën Gjon Vladimirit në Shijon-Elbasan
Doruntina udhëtoi me fantazmën e vëllait të saj të vdekur mbi një kalë të hazdisur, por mbërriti në shtëpinë e nënës gjithësesi. Ndërsa princi Gjon Vladimiri, mori kokën e tij të prerë, “dhuratë” nga pabesia e kunatit dhe po mbi një kalë udhëtoi nga Ohri për të mbrritur në rrethinat e Elbasanit, në një kishë të vogël ku donte t’i prehej trupi. Prej asaj kohë Gjon Vladimiri u kthye në shenjt, ndërsa vetë vendbanimi mori emrin Shijon një trajtë e shkurtuar e “Shën Gjon”. Kjo ka ndodhur ekzaktësisht 1000 vite më parë. Në të gjallë të tij princi Gjon Vladimiri, i lindur në Krajë të Malit të Zi, sa herë që kalonte në Elbasan, kthehej e lutej në një kishë të vogël. Në vitin 1381 princi shqiptar Karl Topia, po në Shijon, ngriti një manastir për lavdinë e Gjonit Shenjtë. Milan Shuflait ka shkruar se kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin. Por duket se ky kult ka lëvizur në qarkun etnik shqiptar. Kjo është legjenda në dy rreshta. Por historia është shumë më tepër se kaq. Bashkë me një grup xhirimit të Drejtorisë së Programeve Satelitore në Radio Televizionin Shqiptar, po hulumtojmë rreth kësaj historie të rrallë nisur dhe nga fakti se pas një inventari në Muzeun Kombëtar u ekspozuan dy kuti me eshtra nga të Shenjtorit Gjon.

By admini