pavaresia-kosoves-koncert-ulqinGjekë Gjonaj

Falë koncertit premierë të SHKA “ Tradita” , i cili u shfaq në qytetin e lashtë  të Ulqinit  më 17 shkurt me rastin e 8-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, skena e Qendrës Kulturore u shndërrua  në një sofër mbarëkombëtare  rreth së cilës festuan së bashku djem e vajza, të rinj e të reja   të grupmoshave të ndryshme nga Ulqini, Prishtina, Shkupi dhe Vlora këtë datë të rëndësishme të historisë shqiptare – pavarësinë e Kosovës. Qindra qytetarë të Komunës së Ulqinit, personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diplomatë  të shquar, si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Margaret Uyehara, zëvendësambasadori Bix Aliu, ambasadori i Shqipërisë në Malin e Zi Ernal Filo,  sekretarja e parë e Ambasadës së Shqipërisë  Mimoza Veroshi e të tjerë  patën rastin të kënaqen  me performancën, cilësinë e interpretimit, pasurinë shumëdimensionale shpirtërore dhe trashëgiminë  që përcollën  artistët  ulqinakë, vlonjatë, shkupianë dhe prishtinasë.

Falë organizimit të mirë  të këtij spektakli festiv, por edhe një mbrëmjeje  të ngrohtë  dhe një atmosfere të shkëlqyer,  ka qenë më se  bukur të shohëh një repertor të tillë të tipareve më të mira të folklorit shqiptar, të atij folklori burimor që sot rrallë ndeshet në dimensionet e veta të vërteta, larushi ngjyrash të kostumeve tona popullore, zëra që përcillnin magjishëm aromën e trevave shqiptare pjesëmarrëse të cilat bashkoheshin në një, apo tingujt qiellor të  fyellit, vallet plot ritëm, bukuri dhe elegancë.

Gjithçka ishte burimore. E bukur. Ritmike. Dukej sikur gjeografia shqiptare ishte zhvendosur për një çast  në Ulqin. Të gjithë në sallë, vendas dhe të huaj festonin shqip.  Iu gëzuan atmosferës festive  Duartrokisnin vazhdueshëm. Ndjenin gëzim për këtë festë të madhe për kombin shqiptar. U pëlqenin të gjitha elementet e grupeve pjesëmarrëse. Dinamizmi në skenë. Bukuria fizike dhe interpretuese. Harmonia e lëvizjeve dhe e zërave. Vibracionet zanore. Thellësia e pakrahasueshme dhe kombinimi i jashtëzakonshëm i tyre. Këngët, polifonia, vallet. Ngjyrat e tyre me motive të ndryshme.  Mënyra e interpretimit, meqë ishte një mozaik vërtetë patriotik.

Sepse folklori të bën për vete. Të rrëmben  në atmosferën e tij. Të bën të ndihesh ndryshe.  Më gazmor. Më i buzëqeshur. Më krenar. Më i relaksuar. Të bën të shijosh muzikën që vjen nga era e shekujve, të përceptosh ritmikën e valleve nën kolorin    e kostumeve  bashkë me fizikun elegant të valltarëve e valltareve, të cilët artin tonë popullor  po e ruajnë, po e çojnë më tej dhe nuk po e lejojnë të humbasë nga elementët e vet burimorë. Me atë çka artistët reflektuan këtë mbrëmje në Ulqin dëshmuan se dine dhe përfaqësojnë me dinjitet interpretative vlerat e folklorit burimor , jo vetëm të Shqipërisë së Jugut, por edhe të  Kosovës, krahinave shqiptare të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.  Kjo trashëgimi   jona kulturore dhe historike e përbashkët, që  ne e respektojmë dhe e vlerësojmë aq shumë është krenaria jonë. Është drirtarja  nga populli shqiptar  duhet  të shohë drejtë Evropës, ku duhet të shkojmë me identitetin tonë.

By admini