Ikonomi: Shpresoja që libri të shihte dritën e botimit, sepse profesori disa herë më pat thënë: “Nuk jam hiç mirë dhe nuk e di nëse do ta mbaroj”. Fatmirësisht arriti ta botojë në kohë”
WASHINGTON D.C: Autori i disa librave, studiuesi shqiptarë në SHBA, Ilir Ikonomi, gazetar i Zërit të Amerikës, në statusin e tij në rrjetin social “Facebook” shkruan sot nga ikja në amshim të Profesorit Kristo Frashëri, historian i njohur se :”Përpara dy muajsh, miku im Kristo Frashëri më dërgoi me postë në Uashington librin e tij të fundit “Historia e Çamërisë”. Di që profesori punonte prej vitesh për këtë libër dhe kërkonte andej-këndej për dokumente”.
Nga ky punim, shkruan Ikonomi – kisha patur rastin të lexoja disa dhjetra faqe për Epirin, helenët dhe ilirët kur ai ishte ende duke u shkruar. Shpresoja që libri të shihte dritën e botimit, sepse profesori disa herë më pat thënë: “Nuk jam hiç mirë dhe nuk e di nëse do ta mbaroj”. Fatmirësisht arriti ta botojë në kohë.
Njeriu që me sa duket e njihte mirë profesorin thotë duhet të ketë qenë një sakrificë, por si përfundim kemi në dorë një libër serioz me një karakter themeltar dhe sistematik. Aty flitet për Çamërinë në shekujt e parë të sundimit osman, për islamizimin e çamëve, përpjekjet për një qeveri shqiptaro-greke, aneksimin e Çamërisë nga Greqia më 1913, çështjen çame nën qeverinë e Fan Nolit, nën Zogun, gjatë Luftës së Dytë, e deri te eksodi çam.
Ikonomi e përshkruan Prof. Kristo Frashëri, të ishte ndër të paktët njerëz që mund të trajtonin tema kaq të mëdha dhe të komplikuara si Çamëria. “Këto lloj studimesh, thotë ai natyrisht që kërkojnë vështrimin e një historiani, i cili gjatë jetës të ketë patur kohë për t’i rrahur në mendje deri në shterrim të gjitha hollësitë dhe aspektet e problemit, përpara se të thotë fjalën e tij”.
Libra si ky, simbas Ikonomit, kërkojnë edhe atë që lexuesit rrallë e çojnë nëpër mend: një raskapitje të vërtetë fizike. Pa folur për mbështetjen morale, sepse kur shkruan, duhet ta kesh të qartë në mendje se mundimi nuk do të shkojë dëm.
Në fund sa për ilustrim zoti Ikonomi thotë se fotoja në ballinën e librit paraqet pikturën e F. Hayez: Shpërngulja e banorëve të Pargës, 1826-1863.
Ilir Ikonomi : Prej vitit 1992 jeton në SHBA dhe punon për VOA (Zëri i Amerikës). Është autor i librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, është gjithashtu autor i librave “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” (UET Press, 2012) dhe “Pushtimi, ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” (UET Press, 2012)./B.Sina/