ata_hyjne_pa_trokitur_faqe_trebicka-kostaniMbrëmjen e së shtunës në kuadër të festivali “Skena Verore 2015”, në skenën e Kalasë së Ulqinit u shfaq komedia dramatike “Ata hyjnë pa trokitur”, shkruar dhe regji nga Armand Bora, e cila u interpretua nga aktorët Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani.

Dy aktorët në fund të shfaqjes morën duartrokitjet e merituara pas një prezantimi brilant.

Vepra  flet për historinë e një çifti në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri, i cili përjeton klimën dhe atmosferën e persekutimit dhe të fajit kolektiv, duke e kaluar në një filtër gjithë historinë e tyre bashkëshortore me synimin e gjetjes së fajit. Kjo situatë të çon në situata të ngjashme absurde dhe kjo është arsyeja dhe siç ka pohuar më herët autori Armand Bora, që trajtimi i veprës është në formën e teatrit bashkëkohor, ku përzihen element të teatrit absurd, ekzistencialist, ku përzihet komikja me tragjiken, sarkazma dhe ironia.

Sipas Borës, çdo vepër artistike, e sidomos në këtë rast një shfaqje teatri synimin kryesor e ka që t’i flas publikut nëpërmjet një mesazhi.
“Nuk do më pëlqente që një vepër të jetë vetëm, dramë, apo vetëm komedi. Jeta është me të gjithë ngjyrat brenda saj. Prandaj unë jam përpjekur që ta mos përcaktojë zhanrin e saktë të veprës dhe të sajojë një termë të tillë, i cili nuk është se është zhanër. Unë mundohem që të sjellë një mesazh që i flet kohës, një shqetësim aktual, i jam referuar të shkuarës jo shumë të largët të shoqërisë shqiptare, pikërisht gati gjysmë shekullore, ku Shqipëria jetoi nën sistemin mjaft të çuditshëm. Sepse shpesh ne themi që ishte një sistem komunist, por nuk mund të themi që ishte një komunizëm klasik, d.m.th teorik siç ndoshta u aplikua në shumë vende të tjera të lindjes. Shqipëria pati një sistem vërtetë të çuditshëm, sepse ishte tejet kriminal, në kuptimin e ekzagjerimit të çuarjes së luftës së klasave në asgjësimin, jo vetëm të personit, por edhe të gjithë fisit të tij, deri në ekstrem”, ka pohuar mbi veprën Bora.

Vepra teatrore “Ata hyjnë pa trokitur” nuk ka munguar dhe në skenën e Prishtinës, Preshevës, në Voskopojë, etj.

By admini