Kryebashkiakja e re e Shkodres, Voltana Ademi merr drejtimin e bashkise
Me afërsisht 11 mijë vota diferencë, Voltana Ademi kandidatja e “Aleancës popullore për Punë dhe Dinjitet” fitoi garën elektorale të 21 qershorit, duke u shpallur kryebashkiakja e Shkodres për 4 vitet e ardhshme. Rezultati në favor të Ademit erdhi pas numërit të 245 qendrave të votimit, përfshirë qytetin e Shkodres dhe 10 komunat që i janë bashkuar njësisë së re administrative, Shala, Shoshi, Pulti, Postriba, Rrethinat, Guri i Zi, Berdica, Ana e Malit, Dajçi dhe Velipoja. 44.80% ishte pjesmarrja e Shkodranëve në këto zgjedhje, apo e përkthyer në shifra 69 mijë e 813 votues shprehen vullnetin e tyre nga 155 mijë që numëron bashkia e re. Pas 1 muaji fushate intensive ku 2 kandidatet për bashkinë e Shkodres, Voltana Ademi dhe Keti Bazhdari shpalosen platformën e tyre elektorale, 21 qershori solli një fitore të thellë për Ademin, e cila i dha mundësi të djathtëve të ruajnë drejtimin e kësaj bashkie që prej 24 vitesh nuk ka ndërruar krah politik.
Por kush është Voltana Ademi, qytetarja e parë e Shkodres?!
E lindur në Shkoder me 30 shtator 1974, ajo është e martuar dhe nënë e një djali. Voltana Ademi është lindur në Shkodër. Vjen nga një familje e njohur qytetare me ndikim dhe kontribut të rëndësishëm në jetën shoqërore të qytetit. Paraardhësit e saj njihen si sipërmarrës të suksesshëm në biznes; konkretisht familja e saj ka qenë prodhuese e markës së parë të duhanit në Shkodër (cigarja “Tarabosh”). Familja e saj përndiqet, shpronësohet dhe persekutohet gjatë viteve të diktaturës komuniste. Shkollën e mesme Ademi e kreu në Shkollën e Mesme Artistike “Prenk Jakova” në Shkodër dhe pas kësaj vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës nga ku u diplomua për Iformatikë. Ka marrë titullin Master në në programin “ Për Qeversijen dhe Zhvillimin territorial”në Universitetin Zoja e Këshillit të Mirë. Ka punuar si lektore në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi, ku ka dhënë leksione në Informatikë dhe Programim. Karriera e saj politike nisi në vitin 1996 si anëtare e Partisë Demokratike. Nga viti 2003 deri në vitin 2008 ka drejtuar Forumin e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shkodër. Nga viti 2005 deri në vitin 2009 është zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar të PD. Në vitin 2006 zgjidhet anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe ka kryesuar grupin e Këshilltarëve të koalicionit të djathtë. Gjatë viteve 2007-2010 kryen funksionin e nën-kryetares së Bashkisë së Shkodrës. Voltana Ademi ka qenë Prefekte e Qarkut të Shkodrës në vitet 2011-2013. Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013 ai zgjidhet nga partia demokratike të jetë pjesë e listës prej 11 kandidatësh për deputete të qarkut Shkoder dhe ku pas numërimit të votave ajo arrin të jetë pjesë e kuvendit të Shqipërisë. Deri në Prill të vitit 2015 Ademi ka ushtruar funksionin e deputetes së Partisë Demokratike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Heq dorë nga ky mandat për të hyrë në garën elektorale për zgjedhjet vendore për Bashkinë e Shkodrës, ku përballë do te kishte emrin e zyrtarizuar nga e majta, Keti Bazhdarin. Ademi pason kështu në detyrën e kryetares së bashkisë Lorenc Lukën, i cili drejtoi për 8 vite bashkinë më të madhe në veri të vendit. /TV1 Channel