
Deputeti shqiptar nga Ulqini në Parlamentin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, ka bërë të ditur se gjatë një takimi me kryeministrin Milojko Spajiq ka ngritur shqetësimin lidhur me emërimin e ushtruesit të detyrës së shefit të Drejtorisë për Patundshmëri në Ulqin.
Sipas Çapunit, bëhet fjalë për një këshilltar të Kuvendit Komunal të Plevlës, i cili kishte votuar për një deklaratë që kundërshton vendimin e Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, transmeton Ulqini Online.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti shqiptar tha se shqetësimi i tij lidhet me mesazhin që përcjell një emërim i tillë, veçanërisht për shqiptarët në Mal të Zi dhe qytetarët e Kosovës që mund të kenë nevojë për shërbime në institucionet shtetërore në Ulqin.
“Ne e dimë se vlera e asaj deklarate është më e vogël se letra në të cilën është shkruar, por çfarë do të ndodhte nëse një qytetar i Republikës së Kosovës do të paraqitej në atë institucion për të regjistruar një pronë dhe do të merrte përgjigjen: ‘Më vjen keq, por unë nuk i njoh këto dokumente’?”, ka shkruar Çapuni.
Ai shtoi se ka kërkuar sqarime nga kryeministri lidhur me këtë çështje, duke ngritur edhe dilema për mënyrën se si do të trajtoheshin institucionet dhe dokumentet e Kosovës nga persona që kanë mbështetur deklarata të tilla.
Nga ana tjetër, sipas Çapunit, kryeministri Spajiq është përgjigjur se emërimi në fjalë është një zgjidhje e përkohshme, e diktuar nga mungesa e kandidatëve të paraqitur dhe kapaciteteve kadrovike në njësinë lokale.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se këshilltarët komunalë veprojnë dhe votojnë në mënyrë të pavarur, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke mbajtur përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Ai ka nënvizuar se komunat nuk kanë kompetenca në përcaktimin apo udhëheqjen e politikës së jashtme të Malit të Zi.
Megjithatë, Çapuni ka kundërshtuar pretendimet për mungesë kuadrosh në Ulqin, duke theksuar se qyteti disponon profesionistë të aftë për të udhëhequr institucione të tilla.
“Ulqini ka kapacitete. Nuk na duhen njerëz që u mbajnë ombrellën të tjerëve, por kuadro të aftë dhe të përgatitur profesionalisht”, ka deklaruar ai.
Debati vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me përfaqësimin institucional dhe raportet ndaj Kosovës vazhdojnë të mbeten tema të ndjeshme për komunitetin shqiptar në Mal të Zi.
