Nga Haxhi Zeneli

Sa më shumë kalon koha, aq më shpesh kthehemi te kujtimet e fëmijërisë,te hapat e parë në jetë,sidomos te ditët e para të shkollës.Edhe pse kujtesa mund të zbehet me kalimin e viteve, disa gjëra mbeten të skalitura përjetë në mendje.Për mua, këto janë vitet e para të shkollës:shkronjat e para të shkruara, vjersha e parë e mësuar,shokët dhe shoqet e bankës, loja në oborrin e shkollës.

Ajo që më ka mbetur më thellë në kujtesë është pamja e klasës së parë dhe fytyrat e shokëve të mi. Më kujtohen veshjet e tyre të thjeshta,strajcat e qepura me dorë nga nënat tona,fletoret dhe librat që mbartnim me kujdes,ditët me shi e borë ku nxënësit për tu mbrojtur nga shiu,mbuloheshin me thaset e najllonit kur ecnim gjatë për të arritur në shkollë.

Por një ditë,pa paralajmërim,disa prej tyre nisën të mungonin.Më vonë kuptova përse:familjet e tyre po largoheshin nga vendlindja.Nuk ishte një vendim i lehtë. Në sistemin komunist të Jugosllavisë, shqiptarët nuk kishin asnjë mbështetje institucionale,shpesh shiheshin si qytetarë të dorës së dytë.Trajtoheshin si fshatarë që nuk din shumë të pazëshëm,të pashkolluar,por që as nuk dinin të kërkonin të drejtat e tyre.

Duke mos gjetur asnjë rrugë tjetër për një jetë më të mirë,shumë familje shqiptare nisën rrugëtimin e mërgimit.Ikën drejt kampeve të refugjatëve në Itali,atë kohë siç bisedonin njerëzit më i njohuri ishte kampi në Latine,pranë Romës,për t’u sistemuar më pas në vende të tjera të botës,siç ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Kanadaja,Australija etj.

Këto valë emigrimi,që filluan në vitet ’70, përfshinë fshatra të tëra të Anës së Malit të komunës së Ulqinit dhe më gjerë. Edhe shkolla ime e fëmijërisë,në fshatin Shtodër,filloi ta ndiente boshllëkun.Në vitin shkollor 1967/68, klasa e parë numëronte 23 nxënës dhe gjithsejt në shkollë ishin afro100 nxënës nga fshatrat përreth: Lisna-Bore,Fraskanjel dhe Amulli.Por çdo muaj, çdo javë, dikush mungonte,përgjithmonë.Bankat e zbrazëta nisën të mbusheshin jo me nxënës të rinj, por me heshtje,zhurmat e nxënsëve po shuheshin dalngadal dita ditës,numri po binte.

Ende i mbaj mend ato ditë kur humbja e një shoku ishte si humbje e një pjese të vetvetes. Ndihesha i mërzitur,i zbrazët.Çdo nxënës që largohej, na merrte me vete një copë kujtese, një copë gëzimi. Pa e kuptuar,se ardhmja jonë qëndronte e njëjtë:u shkolluam,por s’kishte punë për ne shqiptarët.Madje,na thoshin se ishim “tepricë e shkolluar”, ndërsa në anën tjetër,me të njëjtat profile, sillnin njerëz nga veriu i Malit të Zi.Shtypjet filluan të shtoheshin ndaj nesh që kishim mbaruar studimet në Kosovë.

Rruga e vetme ishte ta ndiqnim po atë rrugë që bashkëvendasit e mi nga bankat e shkollës fillore e kishin ndjekur para meje,pa e ditur se edhe neve na priste i njëjti fat.Pas pesëmbëdhjetë vjetësh,fillojë vala e një gjenerate të re siç ishim ne, ti bashkohemi atij kalvari që na dërgonte nëpër rrugët e panjohura për ditë të tëra, për të hyrë ilegalisht në tokën e premtuar,po në atë rrugë e cila edhe sot s’ka të ndalur.

Para do kohësh,Dr.Draga më dërgoi një fletë nga libri i mësuesit të ndjerë Shefqet Draga, ku ishin të renditur emrat e të gjithë nxënësve të klasës sonë të parë fillore dhe mësuesit tanë,Halit Avdiu dhe Ibrahim Cuca,të ndjerë.Me shumë emocion i lexova ato emra dhe fillova t’i kërkoj në rrjetet sociale.Disa prej tyre i gjeta,duke ju kërkuar shoqëri,dhe më gëzoi fakti, por edhe u befasova: përsa kohë kishte kaluar, ata, edhe pse kishin qenë fëmijë 7–8 vjeç, nuk i kishin harruar emocionet e para të shkollës, duke mbajtur në kujtesë shumë detaje të atyre ditëve.

Më emocionoi fakti se asnjëri nuk kishte harruar gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin, edhe pse kishin ardhur fëmijë në këtë tokë të huaj.Kjo ndjenjë e nostalgjisë për vendin, për tokën ku “na ka rënë koka”, nuk shuhet kurrë. Ajo mbetet pjesë e qenies sonë.

Duhet kuptuar se kjo nuk ishte një ikje e dëshiruar për asnjërin prej tyre,ishte një ikje nga pamundësia e një jete normale në tokat e tyre. Një dëshmi e dhimbshme e asaj kohe, kur një sistem komunist, në thelb antishqiptar, ishte ndër të paktët që jepnin shqiptarëve pasaporta për t’u larguar nga vendi i tyre, por jo për t’u kthyer.

Nuk na lanë të rriteshim të qetë në tokën që Zoti na kishte dhënë. Dhe si shumë të tjerë,të detyruar të largohen, mund të ikim larg,por askush nuk mund të na i marrë kujtimet e këtyre nxënësve,që i rikujtojmë gjithmonë me nostalgji.Kjo është edhe përgjigjja për bashkëvendasit tanë,që nga vendlindja,na pyesin,pse vijmë këtu?

Ne u themi:na sjellin kujtimet e fëmijërisë sonë, bankat e shkollës,shokët e klasës,ëndrrat e para energjia e mësuesëve tanë.Ato janë pjesë e shpirtit tonë,do të mbeten përjetë të gjalla në ne, sepse nuk ka vend në botë që mund t’i zëvendësojë.

By admini

Leave a Reply