
Hapen aplikimet për edicionin e pestë të manifestimit Night of Fortresses Goes Green, i cili do të mbahet më 8 dhe 9 maj 2026
Janë hapur aplikimet për edicionin e pestë të manifestimit Night of Fortresses Goes Green, i cili do të mbahet më 8 dhe 9 maj 2026. Kjo iniciativë evropiane lidh kështjella, kala, muze dhe hapësira të tjera historike në mbarë Evropën rreth idesë së përbashkët të qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë shoqërore.
Mund të aplikojnë menaxhuesit e trashëgimisë kulturore, institucionet kulturore dhe lokalitetet e fortifikuara përmes formularit online të disponueshëm në faqen zyrtare: https://nightoffortresses.org/prijave/
Organizatorët mund të marrin pjesë një ose të dyja ditët, në përputhje me mundësitë dhe konceptin e tyre programor. Pjesëmarrja sjell dukshmëri ndërkombëtare, shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve evropiane që menaxhojnë trashëgiminë.
Pas edicionit të suksesshëm të vitit 2025, në të cilin u realizuan 195 aktivitete në dhjetë vende, manifestimi vazhdon të rritet dhe të zgjerojë rrjetin e lokaliteteve që e njohin rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm. Night of Fortresses Goes Green dëshmon se trashëgimia kulturore mund të ketë rol aktiv në shoqërinë bashkëkohore dhe të jetë hapësirë dialogu për mjedisin, turizmin dhe menaxhimin e përgjegjshëm të resurseve.
Programet e paraqitura për pjesëmarrje duhet të përfshijnë komponentë të qëndrueshmërisë. Përmes përmbajtjeve kulturore, edukative dhe pjesëmarrëse, është e nevojshme të lidhet trashëgimia me praktika konkrete ekologjike. Qëllimi është afrimi i vizitorëve me turizmin e qëndrueshëm, nxitja e sjelljes së përgjegjshme dhe mundësimi i pjesëmarrjes aktive në mbrojtjen e mjedisit. Theks i veçantë vihet në përfshirjen e komuniteteve lokale dhe zhvillimin e përmbajtjeve të aksesueshme për të gjithë, pavarësisht moshës, aftësive apo sfondit shoqëror.
Manifestimi Night of Fortresses Goes Green është pjesë e projektit GIFTSnet (Network for Green and Inclusive Fortified Tourism Solutions), i cili ka filluar më 15 shtator 2024 dhe do të zgjasë deri më 14 mars 2027. Bartës i projektit është Institucioni public Fortesa e kulturës Shibenik, me partnerë: Banja Lluka, Tivari, Karllovci, Institucioni publik Muzeu amëtar I Hercegovinës Trebinje dhe Komuna e Ulqinit.
Vlera e përgjithshme e projektit është 2.244.442,80 euro, nga të cilat 85% bashkëfinancohen nga programi Interreg IPA Kroaci – Bosnje i Hercegovinë – Mali I Zi 2021–2027.
Projekti do të kontribuojë në përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të turizmit kulturor përmes realizimit të investimeve ekologjikisht të pranueshme në shtatë lokacione kulturore-turistike në Shibenik, Karllovac, Banja Llukë, Trebinje, Tivar dhe Ulqin, zhvillimit të ofertave turistike gjithëpërfshirëse, si dhe forcimit të kapaciteteve të aktorëve ndërkufitarë për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor.
Edicioni i sivjetshëm mbështetet edhe përmes projektit FORTIC – From remains Of the war to the aRchiTecture of peace in cross-border area of Italy-Croatia, i financuar nga programi Interreg Itali–Kroaci 2021–2027.
Përmes këtij manifestimi forcohet më tej bashkëpunimi ndërmjet qyteteve dhe organizatave që menaxhojnë trashëgiminë e fortifikuar, me mbështetjen e shoqatave ndërkombëtare EFFORTS (European Federation of Fortified Sites) dhe FORTE CULTURA, të cilat e kanë përfshirë Natën e Kështjellave në European Fortress Summer Event.
Ky publikim është realizuar me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi ekskluzive e Komunës së Ulqinit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.
