
Nën qiellin e hapur të Kalasë së Ulqinit dhe në ambientin e pasur historik të qytetit, këtë të enjte (17 korrik), duke filluar nga ora 21:00, do të hapet solemnisht edicioni i sivjetëm i Festivalit “Skena Verore – Ulqin 2025”.
Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Vendor në Kala, me një program të veçantë artistik të sjellë nga Ansambli Popullor i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë. Ky koncert pritet të ofrojë një përjetim autentik të trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes muzikës dhe vallëzimeve tradicionale.
Festivali organizohet nga Qendra për Kulturë – Ulqin, me përkrahjen financiare të Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike të Ulqinit dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias të Malit të Zi. “Skena Verore” do të zgjasë deri më 28 gusht dhe do të ofrojë një program të larmishëm kulturor që përfshin koncerte muzikore, shfaqje teatrale, ekspozita arti, vallëzim, prezantime dygjuhëshe dhe forma të tjera të shprehjes artistike.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, vizitorët dhe dashamirësit e artit që të bëhen pjesë e këtij festivali që tashmë është kthyer në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të verës në Ulqin.
