Millatoviq dhe Nimanbegu

Ulqin, 16 prill 2025 – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, zhvilloi një vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit, ku u prit nga kryetari Genci Nimanbegu dhe stafi i tij. Takimi vjen në një moment tensioni publik dhe institucional, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e turizmit dhe zhvillimit të patundshmërive – një dokument që ka ngjallur reagime të forta nga komuniteti lokal në Ulqin, shkruan Ulqini Oline.

Kryetari i Komunës, Nimanbegu, falënderoi Presidentin për vizitën dhe shprehu shqetësimet e qytetarëve të Ulqinit lidhur me ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në mjedis, ekonomi lokale dhe rendin kushtetues. Ai e informoi Milatoviqin mbi hapat e ndërmarrë nga pushteti lokal, përfshirë takimet me Kryeministrin Spajiq, vendimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe kërkesat zyrtare të adresuara autoriteteve shtetërore dhe ndërkombëtare.

“Ne presim nga Ju, zoti President, që me autoritetin që ju jep Kushtetuta, të qëndroni pranë Ulqinit dhe të ndihmoni në mbrojtjen e interesave tona,” deklaroi Nimanbegu, duke e cilësuar marrëveshjen si potencialisht antikushtetuese dhe të dëmshme për komunitetin lokal.

Presidenti Milatoviq, nga ana e tij, shprehu mirëkuptim dhe theksoi rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme dhe transparente. Ai i bëri apel Parlamentit të Malit të Zi që të mos e shqyrtojë marrëveshjen deri në momentin që Komisioni Evropian dhe institucionet relevante kombëtare të japin vlerësimet e tyre.

“Besoj se ende jemi në kohë për të zgjidhur dilemat e ngritura. Investimet janë të mirëseardhura, por ato duhet të jenë të qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi,” tha Presidenti, duke iu bashkuar thirrjeve të shoqërisë civile për një proces më gjithëpërfshirës dhe më të hapur.

Vizita e Presidentit Milatoviq në Ulqin shihet si një sinjal pozitiv për rolin e tij aktiv në ruajtjen e balancës midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së interesave lokale, një temë gjithnjë e më e ndjeshme në kontekstin e integrimit evropian të Malit të Zi.

By admini