
Nimanbegu me reagim të fortë ndaj marrëveshjes me Emiratet
Kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu ka reaguar ashpër ndaj vendimit të paralajmëruar të Kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, për ta përfshirë në rendin e ditës të Kuvendit marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, që pritet të shqyrtohet më 17 prill, shkruan Ulqini Online.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve të Ulqinit dhe të gjithë Malit të Zi, kreu i Komunës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me këtë marrëveshje, të cilën e konsideron të rrezikshme dhe të padrejtë, sidomos për rajonin e Ulqinit.
“Dhënia e tokës shtetërore dhe asaj private pa kompensim për ndërtimin e banesave është e papranueshme. Planifikimi i një qyteti të ri pa pëlqimin e vetëqeverisjes lokale është një diktat nga lart”, u shpreh ai.
Kryetari Nimanbegu thekson se ka ndërmarrë hapa konkretë për të sensibilizuar instancat më të larta evropiane, përmes një letre zyrtare drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në të, ai ka paralajmëruar për pasojat që mund të ketë kjo marrëveshje mbi zhvillimin demokratik dhe evropian të vendit.
Po ashtu, për shkak të natyrës së ndjeshme të kësaj çështjeje në një komunë me shumicë shqiptare, është vënë në kontakt me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministrin Edi Rama, për t’i informuar mbi rreziqet që sjell ky projekt.
“Mbrojtja e Plazhit të Madh në Shtoj është mbrojtje e rrugës evropiane të Malit të Zi. Mbështetja për këtë akt kufizohet me tradhti ndaj interesave të një Mali të Zi qytetar dhe multietnik”, përfundon deklarata.
Ky reagim vjen në një moment kritik, kur vendimet për projektet strategjike në bregdetin e Malit të Zi po marrin një drejtim të kontestuar nga shumë aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke ngjallur debat për transparencën, përfshirjen e pushtetit lokal dhe ruajtjen e pasurisë natyrore.