Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Komunën e Tuzit është përuruar sot përmendorja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ceremonia e përurimit të shtatores në komunën e Tuzit, u zhvillua në praninë e një sërë personalitetesh. Ndërkohë, Ivan Ivanaj, Nënkryetar i Komunës, gjatë ceremonisë u shpreh se përurimi i përmendores u zgjodh të realizohej në një ditë të shënuar, historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Në ditën më të shenjtë të kombit shqiptarë, jemi mbledhur të përurojmë përmendoren e heroit kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbolit të rezistencës, unitetit dhe identitetit kombëtarë. Kjo përmendore e Skënderbeut nuk është vetëm një vepër artistike e derdhur në bronz, por kjo duhet të na shërbej si kujtesë  e përhershme e vlerave që përfaqësoi kryeheroi i ynë, e të cilat ne duhet ti kultivojmë dhe ti mbajmë gjallë.

Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë. Ky projekt i shumëpritur dhe I kundërshtuar shpesh hasi në pengesa dhe sfida të shumta. Por ne e dinim se kjo ishte një vepër e drejtë, homazh i nevojshëm për figurën që mishëron lirinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Sot ma shumë se kurrë vërtetojmë se kur ne shqiptarët bashkohemi gjithçka është e mundur”, tha Ivanaj.

Ai tha se ishte Forumi shqiptar dhe diaspora shqiptare që ndihmoj në realizimin e këtij misioni. Ivanaj tha se përmendorja qëndron si shenjë uniteti. /oranews.tv/

By admini