Panairi i Librit në Ulqin e mbylli edicionin me një mbrëmje kushtuar studiuesit arbëresh Italo Sarro dhe poetes Jelena Jovetiq, ku u promovuan veprat e tyre

Për pesë ditë, Panairi i Librit në Ulqin mblodhi lexuesit e shtëpitë botuese në edicionin e 23-të të ngjarjes. U bë pikëtakim midis dashamirëve të fjalës së shkruar e shkrimtarëve. Siç është traditë e ngjarjes, çmimet u ndanë një ditë para mbylljes. 
Çmimi “Liburnia”, për prozën më të mirë, u nda për shkrimtarin Namik Dokle për romanin “Dhjetë gramë nder”, ndërsa çmimi “Dega e ullirit”, për librin më të mirë për fëmijë, shkoi për autorin Viktor Canosinaj për librin “Rpbi IARM234G”. 

Çmimi “Ulchinium”, për librin më të mirë studimor, iu dha studiueses Viola Isufaj për librin “Baladë dritash për Zorbën” (Në poetikën e Zef Zorbës), botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Çmimi “Sevantes” iu dha librit “Njeriu që shet gjak” përkthyer nga Iljaz Spahiu. Çmimi “Olcinium” iu dha librit “Publicistikë e zgjedhur” me autor Erion Kristo.

Mirënjohja e Panairit shkoi për gazetaren Luela Myftari, shkrimtarin Eris Rusi dhe personazhin Beqir Potka.

Panairi i Librit në Ulqin e mbylli edicionin me një mbrëmje kushtuar studiuesit arbëresh Italo Sarro dhe poetes Jelena Jovetiq, ku u promovuan veprat e tyre. Kështu ka bërë të ditur Qendra për Kulturë në Ulqin. 

“Në kuadër të panairit të librit “Ulqini 2024” u mbajtën takimet autoriale me shkrimtarët e ftuar të këtij edicioni. Për veprat e historianit Italo Sarro folën studiuesi Fatmir Toçi dhe përkthyesi i veprës së Sarros z. Arben Ndreca. Mbrëmja autoriale vazhdoi me shkrimtaren malaziase Jelena Jovetiq, ku në cilësinë e panelistes përshëndeti kryetarja e Kuvendit të Ulqinit znj. Ivana Popoviq dhe bashkëbisedimin e udhëhoqi z. Adnan Prekiq, historian”, shkruhet midis tjerash në njoftimin e tyre. 
Panairi i Librit në Ulqin është një ngjarje e rëndësishme kulturore që mbahet çdo vit në qytetin bregdetar të Ulqinit në Mal të Zi që nga viti 2001. Panairi ka për qëllim promovimin e letërsisë dhe kulturës, si dhe nxitjen e leximit dhe shkëmbimit kulturor ndërmjet shkrimtarëve, botuesve dhe lexuesve. Çdo vit marrin pjesë botues nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Bosnjë-Hercegovina. Sivjet u mbajt nga 15 deri më 19 gusht në rrugën “Hafiz Ali Ulqinaku” në qytetin bregdetar në Mal të Zi. /Koha Net/

By admini