Një shembull suksesi
Gjekë Gjonaj
Gjatë përvojës sime të mësimdhënies në vendlindje kam pasur nxënës me karaktere të ndryshme. Secili në mënyrën e vet ishte i veçantë. Njëri ndër ata ishte edhe Pjetër Gjeloshaj nga fshati Nikmarash të Trieshit. Personazhi i këtij shkrimi përveçse ka qenë nxënësi im jemi edhe të një fshati (mëhalle) ) . E njoh që në fëmijëri. E mbaj mend si një fëmijë temperament, duke kërcyer, duke bërtitur, duke rrotulluar, duke luajtur , duke shfaqur shpirtin e tij të shqetësuar, të pabindur, luftarak, por gjithmonë brenda kufijve të pranueshëm. Të gjitha këto janë karakteristika të fëmijëve me të cilët prindërit dhe mësimdhënësit kanë shumë më tepër për të bërë dhe për t’u shqetësuar se sa fëmijët ( nxënësit) që janë të qetë, që u pëlqen të luajnë vetëm dhe që ndonjëherë praktikisht nuk dëgjohen.
Para së gjithash, ky fëmijë me temperament shumë të fortë , “ rebel” dhe tepër i gjallë ( aktiv) , por korrekt, ishte një sfidë e madhe për prindërit, por edhe për mësimdhënësit e Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, ku ai përfundoi shkollimin fillor. Kam përshtypjen se truri i tij funksionon më shpejt, imagjinata e tij është më e gjerë dhe sjellja e tij pasqyron atë të një fëmije me qëndrim. Ishte një fëmijë e më vonë edhe djalosh që do të provojë gjithçka vetë, veprim ky që shpesh nervozonte edhe prindërit edhe mësimdhënësit. Ai nuk kënaqej kurrë me një ndalim që i vendosnim, nëse nuk ia kemi shpjeguar më parë në atë mënyrë që ai më parë ta kuptojë se i kemi dhënë një argument se pse një ndalim i tillë duhet të pranohet.
Këtij fëmije “ të shtirë“ , sypatrembur , por të shkathët, nuk ia pengoja synimin e tij për të mësuar , për të bërë atë që synon të bëjë, për të vepruar vetë në mënyrën e tij, mbase isha i bindur se fëmijët e tillë si ai me karakter të fortë e jetojnë jetën në maksimum dhe shprehin dëshirat, synimet dhe emocionet e tyre shumë fuqishëm.
U bëra mbështetja e tij në mënyrë që ai të ketë gjithmonë besim tek unë, se do të jemi pranë tij sa herë që ai të ketë nevojë për mua në edukimin dhe ngritjen e jetës së tij. Sidomos kam mbështetur e pikat e forta të tij, në mënyrë që ai të shprehë potencialin gjatë aktivitetit fizik. Dhe nuk më zhgënjeu. Përkundrazi më befasoi për të mirë.
Pjetër Gjeloshaj u bë një njeri i mirë, i ndershëm, i suksesshëm dhe një sportist jashtëzakonisht i dalluar në Kaliforni, ku ka emigruar para më shumë se tri dekadash. Shpirtin e tij luftarak dhe talentin e tij e dëshmoi në sportin shumë të fortë, të tmerrshëm, guximtar, burrëror dhe shumë të rrezikshëm Jiu – Jutsu”, e lindur dhe e zhvilluar në Brazil më 1920, nga Helio Gracie, babai i kampionit Royce Gracie, i cili më vonë hapi një akademi sportive me degë në shtete të ndryshme të botës, me të cilin këtë sport e ushtroi për persë vjet në Los Angeles. Gjeloshaj, përdor edhe teknikën “Taekwondo”, të cilin e ushtron me pasion dhe sukses tash 31 vjet.
Ky lloj sporti nuk ka rregulla, as mjete mbrojtëse. Godit ku të mundesh, me duar e me këmbë, në kokë, në bark, në shpinë e kudo tjetër për të arritur fitoren. Rregulli i vetëm zbatohet kur kundërshtarit i zihet fryma dhe ai jep shenjë duke i rënë podiumit tri herë me dorë. Atëherë gjyqtari i ndeshjes shpall fundin e lojës dhe shpall fituesin.
Pjetër Gjeloshaj në paraqitjet e deritashme në gara të ndryshme në Kaliforni ka demonstruar shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje. Ky sportist i suksesshëm me fitoret e tij është frymëzim për të gjitha gjeneratat e reja. Për sukseset e tij kanë shkruar gazeta të ndryshme prestigjioze amerikane të sportit, duke i prezantuar ato në faqet e tyre të para.
Dëshmi të sukseseve të tij janë afro 30 medalje të fituara në gara të ndryshme, prej të cilave më e vlefshme është ajo që fitoi në Florida në vitin1998, në një garë ku morën pjesë 115 sportistë nga shtete të ndryshme të Amerikës, të ndarë në katër grupe. Ai zuri vendin e parë në grupin e vet. Është bartës i katër brezave të zinj në “Taekwondo” dhe jep edhe mësime për studentët dhe policët që duan të ushtrojnë këtë lloj sporti.
“ Si fëmijë nuk kam qenë i qetë. Dëshira ime ishte të rrihesha me shokët. Isha shumë i guximshëm dhe askush nuk mund të dilte fitues kundër meje. Për këtë arsye e zgjodha këtë sport”, thotë Gjeloshaj. Shton se nuk ka frikë para se të futet në betejë. “Për mua është sikur nisem për dasmë. Kur e bën një gjë me dëshirë, të duket normale. Ky sport të imponon disiplinë, mësohesh dhe nuk ndjen më lodhje, madje ai të ndihmon për t’u përqendruar edhe më mirë në punë. Për të fituar një ndeshje sportive, nuk duhet të jesh nervoz, por të kesh durim, guxim dhe, natyrisht të dish të përdorësh teknikën më të përshtatshme për të gjunjëzuar kundërshtarin (rivalin).”, thekson Gjeloshaj.
-A është talenti/motivimi parakushti i parë për sukses? Një talent pa të cilin nuk mund të jetosh?
– Nëse jeni të gatshëm të punoni shumë, mund t’i arrini qëllimet tuaja në çdo sport. Motivimi dhe talenti përbëjnë 20% në përllogaritjen përfundimtare të një sportisti të suksesshëm. Fati është gjithashtu një faktor integral në krijimin e imazhit të një sportisti të suksesshëm gjatë karrierës së tij. Njeriu mëson sa është gjallë, ndaj edhe një sportist i suksesshëm duhet të punojë gjithmonë me veten dhe të ndryshojë në përputhje me tendencat që sjell sporti. Pra, mësimi ( stërvitja ) i përditshëm dhe puna me veten është një rrugë e sigurt drejt suksesit. Nëse dëshironi të keni sukses në ndonjë sport, mësoni nga më të mirët. Ndiqni sportistët tuaj të preferuar dhe shikoni ata të përformojnë. Zotëroni aftësitë e tyre, merrni disiplinën dhe motivimin e tyre dhe zbatoni ato në trajnimin tuaj- shpjegon Gjeloshaj
Shembulli i Pjetër Gjeloshajt tregon se një fëmijë i cili në një periudhë të caktuar ( të hershme ) zhvillimi bën veprime të padëmshme dhe të pamenduara, brenda kufijve të asaj që është e pranueshme dhe e justifikuar, gjë që është normale, sigurisht nëse është brenda kufijve të asaj që është e pranueshme dhe e justifikuar , me punë e me sjellje çon në një ditë të bëhet një burrë i suksesshëm dhe sportist i spikatur dhe i vlerësuar.
Nxënësit i mësojmë dhe i edukojmë që një ditë të bëhen njerëz të ditur dhe të mirë. Çfarë të presim dhe të dëshirojmë më shumë se sa të ketë sukses nxënësi ynë ?! ( Koha Javore)