Në jetën e përditshme, po t’iu bëhet pyetja individëve të ndryshëm për të shpjeguar dallimin në mes shprehjes inteligjencë dhe intelektual, ata ndihen ngusht dhe e kanë të vështirë të japin një përgjigje përfundimtare. Por, në botën e qytetëruar ka kohë që këto dy terma dallohen, pasi nuk kemi të bëjmë me të njëjtën përmbajtje. Madje jemi dëshmitarë se një defekt i tillë është i pranishëm edhe në ditët tona, sepse disa mendojnë se niveli shkollor apo i veprave të botuara ofron vetvetiu titullin intelektual. Një koncept i tillë është i gabuar sepse personat e tillë janë vetëm individë më përgatitje përkatëse shkollore dhe me profesionin e tyre, e asgjë më shumë, dhe si të tillë nuk mund të mbajnë epitetin intelektual
Nail Draga
Studimet, shumë vite më parë, kanë vënë në dukje se në zhvillimin e inteligjencës ndikon ndjeshëm gjenetika, por, gjithashtu, dhe ambienti në të cilin rritet dhe zhvillohet njeriu. Psikologët janë të mendimit se inteligjenca e një individi mund të jepet me saktësi aty nga mosha 17-18 vjeç.
Ndërsa, nga ana tjetër për termin intelektual ka shpjegime të mjaftueshme, duke e përkufizuar intelektualin si person të rrallë në mjedisin e tij, për qendrimin dhe veprimin ndaj dukurive shoqërore.
Semantika e termit intelektual dhe inteligjencë
Pikërisht në lidhje me këtë çështje, individët e zakonshëm jo që nuk hetojnë ndonjë dallim në mes të tyre dy termave, por është e kundërta i barazojnë sikurse të ishin sinonime, edhe pse nga ana e tyre semantike ato kanë dallime përmbajtësore. Sepse në botën e qytetëruar ka kohë që këto dy terma dallohen, pasi nuk kemi të bëjmë me të njëjtën përmbajtje. Madje është anakronike të mendohet se çdo kush që ka të kryer ndonjë shkollë (të lartë, apo superiore) të quhet me epitetin intelektual apo inteligjencë.
Por, jemi dëshmitarë se një defekt i tillë i trashëguar është i pranishëm edhe në ditët tona, sepse disa mendojnë se niveli shkollor apo i veprave të botuara ofron vetvetiu titullin intelektual. Një koncept i tillë është me qasje të gabuar sepse personat e tillë janë vetëm individë më përgatitje përkatëse shkollore dhe me profesionin e tyre, e asgjë më shumë, dhe si të tillë nuk mund të mbajnë epitetin intelektual.
Andaj, për të hequr dilemat semantike duhet cekur se përcaktimi i sotëm gjuhësor i këtyre shprehjeve mund të përmblidhet shkurtazi: “Inteligjent: njeri me aftësi të dalluara për ta kthyer realitetin që e rrethon në dobi të vetes” dhe “Intelektual: njeri me aftësi të dalluara për ta kthyer realitetin në dobi te të gjithëve”.
Një analizë e këtyre përkufizimeve pa dyshim heq dilemat përmbajtësore duke i dhënë vendin e merituar çdo personi, pa epitete, por sipas meritave, qendrimit dhe veprimit në mjedisin përkatës.
Gjergj Fishta për intelektualin
Por, nga ky aspekt pa mëdyshje se P.Gjergj Fishta për kohën kur jetoi, jep përmasat e intelektualit duke theksuar se “ai duhet të jetë prezent në kohën e vet, në kohën e të tjerëve që do të vijnë më pas, e të qenit prezent do të thotë të kesh kurajon të thuash të vërtetën ku dhe kur duhet, haptazi e ballazi, sado e idhët që të jetë, sado tragjike, sado e papëlqyeshme për veshët e të tjerëve.” Dhe nuk ka dilemë se një përkufizim i tillë dëshmon qartë se cilat vlera duhet të ketë ai individ nga aspekti profesional e moral për të merituar epitetin e intelektualit.
Por, pas vitit 1990, kur edhe te shqiptarët u vendos pluralizmi, jemi dëshmitarë se në këtë periudhë e cila njihet si tranzicion dolën në shesh tiparet dhe karakteret e individëve, andaj lirisht mund të themi se kjo është koha ku dominojnë jo intelektualët, por inteligjentët. Madje ekziston një lulëzim i tyre sepse nuk zgjedhin mjete për të realizuar qellimet e tyre. Në shumë raste, subjektet politike kanë qenë dhe janë mbulesë e angazhimit të tyre. Dhe me të drejtë, një inteligjencë e tillë cilësohet si inteligjencë sociale, me anë të së cilës një individ synon që ti arrijë qëllimet e veta me anë të një sjelljeje kooperuese, kompetitive dhe manipulative, që cilësohet si një inteligjencë makiaveliste.
Disidenti-apo armiku i shtetit
Shikuar historikisht, statusi i intelektualëve në të gjitha shoqëritë nuk ka qenë i njëjtë, sepse varej nga sistemet shoqërore në vendet përkatese. Nëse në sistemet shoqërore demokratike në botën perëndimore ka ekzistuar fjala e lirë dhe shprehja e mendimit ku intelektuali nuk rrezikohej edhe atëherë kur kritikonte pushtetin, e kundërta ka qenë në vendet e ish kampit socialist në Evropën Juglindore. Në këto vende, sistemi totalitar më kohë kishte eliminuar mendimin ndryshe duke krijuar pseudointelektualët të cilët ishin pararoja e partisë-shtet.
Ndërsa ata të cilët kishin guximin për ti shprehur pikëpamjet e tyre të cilat nuk ishin sipas vijës së partisë, përkatësisht të pushtetit, pasojat ishin të pashmangshme duke filluar me izolimin, internimin, burosjen e madje edhe eliminimin fizik të tyre. Andaj, nuk është për tu çuditur fakti se numri i intelektualëve në vendet e ish kampit socialist ishte i vogël, ndërsa ata që ishin të tillë quheshin disident, që kishte epitetin e armikut të sistemit dhe të shtetit, ku pjesa më e madhe e tyre ishin të burgosur politikë.
Ndonëse për nga numri ishin pak, intelektualët shqiptarë, si në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri, kanë vuajtur shumë dhe si të tillë janë shembull tipik i persekutimit nga ana e pushtetit përkatës.
Intelektuali konformist
Kjo shtresë intelektualësh në teoritë socio-politike ka emërtimin e vet përkatës dhe quhen konfromistë. Ndërsa nëse analizojmë anën semantike të termit “konformist” ku thuhet se “pajtim vetëm me fjalë me mendimin, veprimet a sjelljet e dikujt; prirje për t’iu përshtatur sa për sy e faqe qëllimeve, synimeve e interesave të më të fortëve a të shumicës; sjellje e veprime që bëhen sa për të qenë brenda”(FGJSSH, f.859), atëherë çdo gjë është e qartë se kemi të bëjmë me një grup të caktuar individësh, të cilët në sajë te qendrimit të tyre nuk e meritojnë termin intelektual. Sepse, siç kemi cekur në fillim të këtij shkrimi, intelektuali është ai i cili ka vizion dhe nuk angazhohet për qellime personale.
Sistemi monist është angazhuar me të gjitha mekanizmat që intelektualët e profileve të ndryshme ti angazhojë në politikën ditore, ku çdo gjë ishte e instrumentalizuar, ku edhe shkenca, kultura dhe arti nuk mund të ishin përjashtim. Në raste të tilla vazhdimisht janë përkrahur ata të cilët kanë pranuar dirigjimin nga të tjerët, të cilët patjetër kanë pasur një biografi të përshtatshme dhe si të tillë në njëfarë mënyre kanë qenë edhe të besueshëm, sepse kështu e ka lypur partia. Nuk kanë pasur mundësi të kenë përkrahjen shoqërore disidentët apo ata të cilët kanë pasur qendrimin dhe parimet e tyre për çështje të ndryshme shoqërore. Por, në raste të tilla nga një realitet i imponuar nuk ka dilemë se paraqiten pakënaqësi, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë e përjeton intelektuali opozitar, pra si konflikt me konformistët të cilët mbrojnë interesat e pushtetit duke përfituar gjithsesi edhe personalisht. Nga një situatë e tillë nuk ka dilemë se krijohet një ndarje nga jeta shoqërore, ku ne shqiptarët në ish-Jugosllavi kemi një përvojë disa vjeçare.
Kritika e argumentuar
Në shoqëritë me traditë demokratike jo vetëm që është i pranishëm mendimi kritik i intelektualit, por ai është i domosdoshëm për çështjet e ndryshme shoqërore. Madje nga qarqe të ndryshme shoqërore, ata porositën për të shprehur pikëpamjet e tyre, sepse si të tilla vlerësohen për avancimin e çështjeve përkatëse.
Por, edhe mendimi kritik duhet të ketë masën e vetë, sepse nuk mund të kritikohet çdo gjë, sepse një dukuri e tillë do të ishte destrukcion-mohim i çdo vlere.
Ndërsa, nga ky aspekt kemi edhe ekstremin tjetër ku politika merr përsipër që të jetë gjykatëse për çdo krijimtari dhe akt njerëzor, ku kriteret politike bëhen kritere supreme të njerëzores, e kjo do të ishte pa dyshim e dëmshme për jetën shoqërore.
Në rrjedhë të ngjarjeve shoqërore
Që intelektuali të jetë në rrjedhë të ngjarjeve politike, por jo edhe të ketë qendrim konformist ndaj tyre, nënkupton intelektualin me ndërgjegje dhe me vetëdije të lartë morale. Intelektuali apo intelektualët e këtillë, janë antipodë të intelektualëve të rremë, siç i cilëson Zhan Pol Sartri i cili shton se “intelektuali duhet të jetë rojtar i qëllimeve themelore: emancipimit dhe universalizmit”.
Edhe pse te shqiptarët në Mal të Zi numri i intelektualëve ka qenë i vogël ata nuk kanë heshtur, por kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të luajtur rolin e vet shoqëror, që kishte të bënte kryesisht me avancimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në këtë mjedis. Por, për shkak të veprimtarisë së tyre jashtë institucioneve vendosëse(Kuvedni, Qeveria), ndikimi i tyre ka qenë minimal. Dhe si të tillë, ata kanë qenë të përfshirë kryesisht në institucionet e ulëta dhe të mesme e kryesisht në ata arsimore. Andaj, nga një situatë e tillë nuk mund të bëhët fjalë për intelektualë të formatit të lartë, por vetëm për një shtresë të mesme, sepse rrethanat shoqërore kanë ndikuar në një situatë të tillë. Një gjendje e tillë ka ndikuar që të mos ketë pasur mundësi të kemi intelektualë të denjë, sepse shteti në monizëm nuk ka investuar në individë të tillë, por te të dëgjueshmit dhe servilët, sepse ata kanë qenë më të përshtashëm për të realizuar politikën e tyre shtetërore.
Heshtja nuk është cilësi e intelektualit
Ndërsa në rrjedhat e reja shoqërore që kanë të bëjnë më kohën e pluralizmit ekzistojnë parakushtet që të kemi intelektualët tanë, sepse nuk ekzistojnë më mundësitë ligjore për ndjekjen penale individëve që shprehin mendimin e tyre, i cili nuk është sipas shijes dhe dëshirës së pushtetit. Por, çështje në vete paraqet angazhimi i atyre individëve të cilët për nga përgatitja profesionale janë të fushave të ndryshme, dhe sa janë të gatshëm që të ballafaqohen me realitetin shoqëror. Dhe, me të drejtë bëhët pyetja: deri kur ata do të jenë indiferentë dhe kur do të angazhohen, apo do të qendrojnë gjithnjë në heshtje. Nëse qendron kjo e fundit, atëherë kemi të bëjmë me individë indiferent, sepse heshtja nuk është cilësi e intelektualit. Kujtojmë më ketë rast reagimin e Zolës për çështjen e Drajfusit.
Sindromi i politikës ndaj intelektualëve
Në sajë të qendrimit të tyre parimor, dhe në mungesë të respektit të tyre, intelektual të ndryshëm në heshtje në sajë të edukatës dhe etikës janë tërhequr sepse nuk kanë mundur të pranojnë situatat konfuze dhe grupet e interesave në subjektët politike. Në situatë të tillë nuk ka dilemë së injorohën vlerat profesionale, intelektuale dhe autoriteti shoqëror. Madje përvoja e deritashme dëshmon se të tillët subjektëve politike, përkatësisht udhëheqësve të tyre iu janë nevojitur për një kohë të caktuar, deri sa kanë arritur qellimet e tyre.
Një e dhënë e tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një qendrim utilitar, nga ana e subjektëve politike përkatësisht mungesën e respektit, se ka ekzistuar friga si më parë edhe tash nga autoriteti i tyre profesional dhe shoqëror, sepse të tillët i kanë trajtuar si konkurent të mundshëm për stafin udhëheqës së partive politike. Pra kemi të bëjmë me sindromin ndaj intelektualëve, përkatësisht qendrimin dhe autoritetin e tyre ndaj rrethanave shoqërore, që bie ndesh me interesat e subjektëve politike në veçanti dhe pushtetit në përgjithësi.
Animoziteti ndaj intelektualëve
Çdo subjekt politik që ka një strategji të veprimit do të përpiqej që në mesin e tyre për të pasur përfaqësim intelektual, personalitete më vlera dhe kontribute, që vetëm intelektualët mund ti ofronin. Nga një veprim i tillë do të përfitonte subjekti politik duke pasur vizione dhe alternativa me të qarta. Por, përvoja e deritashme dëshmon së një numër i konsideruar i intelektualëve janë zhgënjyer, sepse më të arritur objektivat e tyre, subjektët politike në mënyrë përfide i kanë mënjanuar ata, nga del se ndaj tyre ekziston një animozitet sepse ata janë parimor dhe të vendosur në qendrimet e parimet e tyre.
Kemi të bëjmë pikërisht me çështjen e parimeve, që nuk janë të pranueshëm për struktura të ndryshme politike të cilët i kanë devijuar ato, në sajë të interesave personale apo të klanëve të ndryshme. Një përvojë e tillë është dëshmuar në praktikë pothuaj kudo në kohën e tranzicionit që nuk është në favor të demokracisë dhe vlerave të pluralizmit politik.
Pse janë intelektualët larg politikës?
Tek ne është një numër i vogël i intelektualëve që mund ti klasifikojmë si më afër formatit të lartë dhe si të tillë qendrojnë të paangazhuar në jetën politike. Mosangazhimi i tyre mund të kuptohet edhe si ikje nga homogjenizimi i shtresave popullore që pësoi pas paraqitjes në skenë të pluralizmit dhe të partive politike, por edhe si mosinteresim i subjekteve politike për angazhimin e tyre.
Intelektualët e tillë, edhe pse të pakët, janë dëshmuar, jo si njerëz të fjalëve, por të shkrimeve, në gamën e gjerë të profileve përkatëse. Nga trashëgimia apo anomali të tjera, intelektualët e tillë shihen si trup i huaj. Apo që të jetë absurdi edhe më i madh, si të paaftë për politikë. Një absurd krijon absurdin tjetër, kështu ndodh që profesionalizmi të zëvendësohet me amatorizëm.
Është fakt se me paraqitjen e pluralizmit politik dhe partive politike shqiptare, intelektualët e tipit të sipër përmendur në fillim ishin më të angazhuar në politikë. Por, me kalimin e kohës, shumë prej tyre u larguan. Largimi i tyre mund të interpretohet në dy aspekte: largim nga homogjenizimi i rrejshëm(anëtar i një partie është edhe ai që vërtet e kupton se çfarë është politika, por edhe ai që fare nuk e di së çfarë është ajo) dhe amatorizmi politik(u krijuan situata që për çështjet teorike, mësimdhënësi i shkollës së mesme ti “ligjërojë” profesorit universitar).Largimi i tyre dhe mosangazhimi i të tjerëve, sikur krijoi “lehtësi” për liderët politikë. Kjo s´ka dyshim se do të kthehet si bumerang.
Angazhimi, jo vetëm çështje personale
Ikja nga rrjedhat aktuale shoqërore e politike, nuk mund të arsyetohet. Intelektualët tanë përmes organizimeve në sektorin e shoqërisë civile, duhet që me angazhimet profesionale, të jenë fidanishte për politikë. Por, të gjithë jemi dëshmitarë se mungojnë relacionet e tilla, që janë të nevojshme për një shoqëri pluraliste.
Intelektualët nuk duhet të mbajnë qendrim konformist, por as indiferent ndaj partive politike në veçanti e politikës në përgjithësi, por as edhe të kalojnë në ekstremizëm, duke mohuar gjithçka. Intelektualët opozitarë duhet të jenë konstruktivë, kritikë dhe në funksion të synimeve kombëtare. Me qendrimet opozitare nuk duhet të lejohet edhe ajo që të çohet ujë në mulli të tjetrit.
Nuk ka dilemë se në kohën tonë është obligim moral që intelektuali të jetë në rrjedhë të ngjarjeve shoqërore e politike, sepse me të drejtë ka thënë E. Burke ”për të triumfuar e keqja mjafton që njërëzit e ndershëm të qendrojnë anash ”.
Andaj ka ardhur koha që intelektualët nga ana e tyre duhet të pranojnë sfidat dhe jo të mbeten në pozita pritëse. Intelektualët do të bënin gabim të madh nëse do të prisnin të demokratizohej politika më parë, dhe pastaj ata të angazhoheshin në politikë. Një qasje e tillë është në favor të autokratëve, të cilët pranë vetës ofrojnë të degjueshmit dhe servilet, sepse për mes tyre realizojnë objektivat personale dhe të grupeve të ndryshme, që është në kundërshtim me parimet e demokracisë.