Hajrullah Hajdari

Nga Hajrullah Hajdari

Fuqia politike e faktorit vendimmarrës në Mal të Zi në kohën e pluralizmit politik, deri në vitin 2020, është varur nga shkalla e bashkëpunimit të Partisë Demokratike Socialiste (DPS-i) me partitë politike simotra të saj dhe partive politike të pakicave kombëtare, pra edhe të partive politike shqiptare. Këtu duhet theksuar se bashkëpunimi i partive politike shqiptare për pjesëmarrje në qeveri e aq më pak për bashkërenditjen e problemëve dhe kërkesave kyçe të qenies shqiptare nuk ka qenë në nivelin e duhur, nga njëherë edhe në kundërshtim me vullnetin e votuasve të tyre. Mungesa e një platforme politike kombëtare është sigurisht një mangësi e theksuar e faktorit shqiptar në Mal të Zi. Këshilli Kombëtar Shqiptar për më shumë se 15 vjet ekzistencë nuk arriti t’u sjellë shqiptarëve një dokument gjithpërfshirës për qenien shqiptare këtu në Mal të Zi, pozitën e tyre politko-juridike, kulturore, arsimore dhe sociale.Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi nuk arriti dot të vëndoset mbi interesat vetiake të partive politike e rrjedhimisht të individeve të caktuar të partive përkatëse. Mungesa e këtij dokumenti dhe dominimi i atyre partiake, shpeshëherë për përdorim ditor, pa bashkëveprim e bashkërënditje për qëllimet dhe kërkesat thelbësore të shqiptarëve, padyshim ka ndikuar që përfaqësimit institucional i shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti vërtetë të pakuptimtë.

  • Shqiptarët në qeveri, jo për hir të bashkëjetesës politike

Nëse pjesëmarrja e partive politike shqiptare në qeveri mendohet si nevojë e bashkëjetesës politike të shqiptarëve me malazezët, si parakusht për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës, atëherë mund të thuhet se DPS-i dhe lideri Millo Gjukanoviq ia kanë arritur qëllimit, ndërsa partitë shqiptare jo! Pozita politke dhe juridike e shqiptarëve në Jugosllavi ka qenë e ndikuar nga politika dhe si rrjedhojë të drejtat dhe liritë qytetare dhe kolektive janë shkelur pamëshirshëm vazhdimisht. Edhe pse sipas Preambulës së Kushtetutës së Malit të Zi të vitit 2007, shqiptarët janë qytetarë të lirë e të barabartë me përfaqësuesit tjrë të popujve dhe pakicave kombëtare që jetojnë në Mal të Zi, në disa aspekte të jetës kulturore-ekonomike pozita e tyre politico-juridike shënoi degradim.Ulqini dhe viset tjera shqiptare edhe sot e kësaj dite janë vendet më pak ekonomikisht të zhvilluara. Të gjitha qytetet, edhe më të vogla se Ulqini, e kishin shtëpinë e kulturës, Ulqini deri në vitin 2005 nuk e kishte. Pothuajse të gjitha qytetet në Mal të Zi kanë pallatet sportive dhe stadiumin e qytetit, Ulqini jo! Nuk ka qytet bregdetar në Mal të Zi që nuk e ka marinën e vet, nderësa për Ulqinin kjo është një ëndër deri tash e paarritur. Mësimi në disa fshatrat shqiptare vazhdon edhe sot e kësaj dite të zhvillohet në gjuhën joamtare, ndërsa plan-programet mësimore pa mëdyshje mund të thuhet se janë nën nivelin e periudhës komuniste. Në komunizëm flamuri kombëtar shqiptar valonte edhe në ndërtesat e organeve shtetërore – gjyqësi, polici etj, sot varët nga dëshira e udhëheqësit të organit, pra nuk apo vështirë zbatohet. E drejta kushtetuese për administratën dygjuhësore dhe rrjedhimisht e drejta e marrjes në pytje, shqyrtimi në seancat gjyqësore apo administrative si dhe dhënia e vendimeve në gjuhën shqipe nuk aplikohet.  Nga sa cekëm më lart është e qartë se shteti i Malit të Zi ndoqi ndaj shqiptarëve po atë politikë restrictive, repressive dhe diskriminuese si në komunizëm, pra nuk tregoi kurrfarë gatishmërie për korigjimin e padrejtësive të kaluara, me fjalë të tjera në komunizëm shqiptarët ishin popull i shtypur ndërsa në demokraci u shndërruan në popull të dorës së dytë.

  • Shqiptarët pjesë e qeverisë, por jo sa për sy e faqe

Ndryshimet politike pas zgjedhjeve parlamentare në gusht të vitit 2020, nuk sollën asgjë të mirë për shqiptarët. Duke përcjellur aktivitetet politike të fituesëve të zgjedhjeve të përmendura dhe retorikën shoveniste të udhëheqësve politik, shqiptarët as që mund të pritnin diçka pozitive në përmirësimin e pozitës së tyre juridike. Partitë politike shqiptare duhet të jenë pjesë e qeverisë, por jo sa për sy e faqe. E vetmja e mirë e pjesëmarrjes në qeveri, sëpaku deri më sot, është se kemi pasur një kryeministër e disa ministra shqiptarë dhe është rritur numri i të punësuarve shqiptarë në organet shtetërore. Përndryshe s’ka ndryshuar asgjë. Të gjitha ato që cekëm më lart, barazia e qytetarëve shqiptarë para organëve gjyqësore, administrative, përdorimi i flamurit kombëtar në organet shtetërore në vendet e banuara me shumicë shqiptare, zhvillimi i ngecur ekonomik dhe mungesat e përmendura të infrastrukturës komunale vazhdon të mbetën ëndërr për shqiptarët edhe pse pjesëmarrja e ekonomisë në trojet e banuara me shqiptar në krijimin e të ardhurave buxhetore është e konsiderueshme.

  • Partitë politike shqiptare pa asnjë analizë profesionale financiare

Sa është masa e kontributeve, tatimeve e taksave të tjera që kanë paguar shqiptarët të gjithë këtyre viteve? Deri me sot nuk kemi ndonjë analizë profesioane?! Sa nga këto pagesa e kontribute janë kthyer si investime në vendet e banuara me shqiptarë, po ashtu nuk kemi ndonjë analizë profesionale?! Sikurse shteti të tregonte interesin më të vogël për trajtimin e barabartë të shqiptarëve (në aspektin kulturor, arsimor, kombëtar e sidomos ekonomik), me të tjerët në Mal të Zi, së paku në masën e kontributit të tyre në krijimin e të ardhurave buxhetore, Ulqini dhe vendet tjera shqiptare, në asnjë mënyrë sot nuk do të ishin vende më pak të zhvilluara! Analizat  financiarem me profesionalizëm e përkushtim të veçantë  duhet të kthehen në argumente të atyre që përfaqësojnë shqiptarët në parlament e qeveri, e të cilët me vendosmëri duhet t’i  drejtojnë kërkesat drejt atyre organëve që vendosin për zhvillimin ekonomik të vendit. Përndryshe, nëse argumentet e dala nga analizat financiare nuk shkojnë në vendin e duhur, e humbin efektin dhe qëllimin, nderësa nëse shkojnë në veshin e shurdhër, si deri me tani, përfaqësuesit shqiptarë duhet të luajnë me letrën e presionit të vazhdueshëm duke përdorur të gjitha mjetet demokratike deri në braktisjen e të gjitha pozitave udhëheqëse. Këmbëngulja e secilit dhe të gjithëve së bashku duhet të jetë detyrë dhe obligim i çdo përfaqësuesi shqiptar. Pjesëmarrja në qeveri për efekt të politikës nuk duhet të jetë qëllim parësor ose i vetëm i ministrave, zëvëndësministrave apo deputetëve shqiptarë.

  • Qeveria aktuale po ndihmonë Kishën Ortodokse Serbe të shlyej gjurmët e kulturës shqiptare

Tanimë e kemi të ditur se shumë çka në aspektin zhvillimor mvaret nga vetë shqiptarët, sepse të tjerët kanë menduar e po mendojnë, pozitë apo opozitë, njësoj si në komunizëm. Nuk duhet të lejojmë që shqiptarët të jenë vetëm numër, madje edhe më pak. Të gjitha strukturat politike, OJQ-të e kush do tjetër në drejtim të realizimit dhe fuqizimit të kërkesave tona kombëtare dhe ekonomike duhet të jenë unike dhe të përkrahen nga të gjithë. Të ndarë e të shkapërderdhur nuk kemi shans.

Qeveria aktuale, në të cilën bëjnë pjesë edhe shqiptarët, nuk ka dhënë ndonjë shenjë se ndaj shqiptarëve do të sillet ndryshe. Vazhdon zaptimi i ujdhesave në liqenin e Shkodrës, kisha në Rumi vazhdon të muroset e përforcohet gjithnjë e më tepër. Organet shtetërore në sitaret e tyre vazhdojnë t’i ruajnë vendimet për shëmbjen e tyre dhe kthimit në gjendjen e mëparshme.Para ca ditësh oponentë të Kishës Ortodokse Serbe në Muriq disa herë tentuan  të debllokojnë molin e këtij fshati vetëm për të transportuar matrial ndërtimor për devastimin e goricave dhe objekteve sakrale të ndërtuara pa leje ndërtimi, e të cilët me veprimin e tyre joprofessional po i shlyejnë gjurmët e kulturës shqiptare. Pushteti është i njoftuar por nuk reagon ashti si nuk merr asnjë hap për ekzekutimin e vendimeve të veta që kanë të bëjnë me prishjen e tyre. A ka apsurditet më të madh se shteti të heshtë ndaj vendimeve të veta e të lejojë paligjshmërinë, nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër bëjnë hallakamë për forcimin e shtetit ligjor dhe rrugës së tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Probleme të tilla ka kudo në viset shqiptare si në Shas apo Martinaj të Gucisë.  Zgjohuni shqiptarë, sepse në BE do të kemi vetëm atë që kemi çuar atje!

Me angazhimin e të gjithë shqiptarëve, në veçanti të strukturave politike, nuk duhet të lejojmë që ne shqiptarët për këtë qeveri dhe popullin sllavë të Malit të Zi të jemë vetëm numër dhe shqiptim i interesave të bllokut proserb në qeverinë aktuale dhe Kishën Ortodokse Serbe. Tentativat për të na bërë vetëm numër e tregon edhe hulumtimi i CEDEM-it realizuar ditë më parë, sipas të cilit Koalicioni për të Ardhmën e Malit të Zi (Fronti Demokratik) shënon rritje për 2,3%.  Ndërkaq, së paku në shënimet e publikuara, nuk ka shënime për mbeshtetjen e partive politike shqiptare dhe as të liderët e tyre, mbase nuk u intereson fare! Pa qëllim apo të painteresuar?! Sidoqoftë, është një paravesh i mirë me domëthënie serioze, ndaj duhet të reflektojmë, Është vetëm në interesin e politikës proserbe në Mal të Zi që shqiptarët most ë ngrisin zërin, mbase, mendojnë ata, kënaqën me ndonjë post ministror!

  • Çështja e shqiptarëve në Mal të Zi duhet zgjidhur me kushtetutë

Duke analizuar historinë politike pas viteve të nëntdhjeta, jo vetëm në Mal të Zi, mendoi se është koha e duhur për riorganizimin e faktorit politik shqiptar në Malin e Zi dhe e krijimit të një fronti të përbashkët veprues. Shqiptarët dhe malazezët në më shumë se tri dekada në pluralizëm duhet të kenë kaluar fazën e përshtatjes ndaj njëri-tjetrit. Tani duhen veprime konkrete. Shqiptarët mbase kanë pritur mjaft. Ministria për popujt pakicë nuk ka dhënë rrezultatet e duhura, ndaj shqiptarët tani duhet ta bëjnë të ditur se çështja shqiptare në Mal të Zi duhet zgjidhur me Kushtetutën e vendit. Përndryshe do të presim edhe shumë sepse padrejtësitë ndaj shqiptarëve nuk janë padrejtësi të rastit. Ata janë përpunuar si proiekte dhe janë shndëruar në projekte shtetërore. Prandaj një platformë politike kombëtare e shqiptarëve në Mal të Zi është më shumë se e nevojshme,

Duke marrë për bazë gjendjen e tanishme ekonomike të popullsisë që jetojnë në trojet shqiptare kundrejtë mundësive zhvillimore dhe kontributit të dhënë në krijimin e të ardhurave buxhetore të shtetit në të cilin jetojmë, është më se e qartë se vazhdimi i bashkëjetësës politike të shqiptarëve me mlazezët (nënkupto: partitë politike) nuk është në interes të popullsisë shqiptare në Malin e Zi, përkundrazi dëmton aspiratat e tyre për një zhvillim më të shpejtë ekonomik, arsimor e kulturor.

Për shkallën e zhvillimit ekonomik të Malit të Zi dhe marrëdhënieve shoqërore në përgjithësi vazhdimi i bashkëjetësës politike të partive politike shqiptare dhe atyre malazezez, në nivel dhe dinamikë si gjer më tani, vërtet është e pakumtimtë. /Koha Javore/

By admini