Shkruan: Esat Mehmeti

Si rrallë ndonjëherë, pushteti vendor e mbylli vitin paraprak me bilanc pozitiv dhe fillimvitin e nisi edhe më mirë. Në seancën e rregullt të Kuvendit të Komunës së Ulqinit të mbajtur në fund të dhjetorit të vitit që shkoi, këshilltarët e shumicës, mes të tjerave miratuan buxhetin e komunës për vitin 2024, një buxhet që shihet i qëndrueshëm, prej 16.1 milon euro. Kështu, gëzon fakti se për herë të parë, pothuaj gati pas dy dekadave, partnerët e koalicionit, për dy vite punë të ushtrimit të pushtetit vendor, Komunën e Ulqinit e kanë nxjerrë me një bilanc pozitiv. Këtu, suficiti i llogarisë së Komunës tejkaloi deficitin e akomuluar për vite me radhë dhe bilanci i llogarisë korrekte është progresiv. Kjo u kurorëzur me punë e qasje serioze. Gjithashtu, edhe gjatë kësaj periudhe vërehen disa lëvizje në të mirë, si në sistemin legjislativ, ashtu edhe në atë administrativ.Lëvizje në të mirë ka edhe në infrastrukturën e qytetit, të cilat janë në realizim e sipërm të disa projekteve infrastrukturore, të cilët çojnë në zhvillimin e qytetit dhe mbarëvajtjen e turizmit e cila  është segment i veçantë për qytetin tonë.

Por, ajo që e veçoi këtë fillimviti është, përmirësimi i pozitës materiale të të punësuarve, në veçanti në Ndërmarrjet Publike, aty ku themelues është vet Komuna e Ulqinit.

U desh të kalojnë pothuaj gati dy dekada për t’u shlyer pagat e prapambetura, jo vetëm për punonjësit e pushtetit vendor, por edhe për të punësuarit në Ndermarrjet Publike.

 Kështu, në dhjetëditëshin e parë të këtij viti, të gjitha pagat e prapambetura u janë paguar Ndërmarrjeve Publike ku themeluese është vetqeverisja lokale. Theksojmë se këto ndërmarrje, pothuaj për çdo vit kanë rezultuar me raporte të bilancit negativ.Ndërmarrje të cilat përgjatë dy dekadave përjetuan ditët e tyre më të ërrta, nga themelimi e këndej, them këtë se ishin edhe mbi 20 paga të pa paguar, duke mos llogaritur këtu kontributet e të punësuarve e borxhe të tjera. Kjo dëshmon se drejtuesit e pushtetit vendor kanë bërë disa hapa përpara në përmirësimin e jetës së të punësuarve në këtë mjedis.E gjithë kjo u arrit me një punë e përkushtim sistematik dhe duke iu ndërprerë rrugën shpenzimeve të panevojshme, që ishin trashëguar vit pas viti, dhe shpenzoheshin pa një ushtrim të kontrollit të duhur.

“Vitin e kaluar gradualisht i kemi ulur ata borxhe që sivjet përfundimisht do të zvogëlohen në zero”, kështu tha ditë më parë kryetari i komunës, Omer Bajraktari në një komunikim për media. Ai u shpreh se; “ky është një tregues i mirë që pushti vendor mund të përballet me këtë situatë të trashëguar”.

Për drejtuesit e pushtetit vendor, viti që lamë pas ka qenë një vit rezistence, por falë punës se një platforme të përbashkët politike, në përditëshmerinë e punës se tyre u arrit një bilanc pozitiv. Partnerët e koalicionit qeverises e konsiderojnë të realizuar synimin e intensifikimittë bashkëpunimit në mes sektorëve. Kontributin kryesor në ngritjen e nivelit, përveç drejtuesve të vetëqeverisjes lokale, edhe sektori i shërbimeve po jep një kontribut të lartë në rritjen e gjithë kësaj dhe mundësoi në tejkalimin e deficitit. Zërat e mësipërm mundësuan tejkalimin e asaj krize të trashëguar që ishte akumuluar prej shumë viteve më parë. Përmirësimi i dukshëm i bilancit të pagesave e shpjegon forcimin e pushtetit vendor dhe është një frymë optimiste edhe për qytetin në përgjithësi.

Rëndësia e vetëqeverisjes lokale është e shumëfishtë. Së pari, organizimi i pushtetit në nivel vertikal është domosdoshmëri e sistemit modern qeverisës, përmes të cilit mundësohet jetësimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në menaxhimin e punëve të karakterit lokal. Së dyti, reformat e vazhdueshme në pushtetin lokal janë zbatuar si vetëqeverisje lokale. Por jo vetëm kaq. Komuna e Ulqinit si kurrë më parë po përkrahë shumë fusha të jetës si; promovimin e turizmit, atë kulturor dhe sportiv, të cilat janë degë të domosdoshme për formimin dhe kultivimin e identetit kolektiv në shoqëri.

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Një fillim i mbarë, është gjysma e punës e kryer”, por kjo nuk do të thotë që është bërë mjaft. Ka edhe shumë për t’u bërë, në veçanti në zhvillimin infrastrukturor të qytetit, ashtu dhe në Ndërmarrjet Publike si psh. në Radio Ulqin etj. Në Radio Ulqin, në këtë institucion informativ, themeluesi duhet të vërë dorë edhe më shumë në ngritjen e nivelit të tij. Në këtë institucion ka 20 vjet e më shumë që nuk është përtërirë me kuadro të reja, ka një teknikë tepër të amortizuar, çka dukshëm vështërson mbarëvajtjen e punës. Në këtë institucion, janë bërë 15 vjet që në letër figuron Radio Televizioni i Ulqinit, e kurgjë më tepër! Sa herë ndërrohen breza gjeneratash, drejtues e udhëheqës të pushtetit lokal, puna këtu shkon me avazin e vjetër. Në vend numëro!  Andaj, me një përkrahje të duhur e qasje tjetër nga ana e themeluesit dhe me një përkushtim më të mirëfilltë të vet institucionit, ky projekt do të jetësohet dhe suksesi nuk do të mungonte. Pothuaj, probleme të ngjajshme kanë edhe ndermarrjet të tjera, kush më shumë e kush më pak. Por ajo që e ngadalëson procesin e shoqërisë sonë, mendoj se është inati i theksuar, huqi i skajshëm dhe mediokriteti i tepruar. Këto janë vese negative që denigrojnë procesin dhe zhvillimin normal, jo vetëm të individit, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Andaj, ne si individë dhe shoqëri duhet të lirohemi nga këto vese e paragjykime të dëmshme që çojnë në regres. Suksesi nuk arrihet i vetëm, aq sa edhe suksesi nuk është i kënaqëshëm kur je i vetëm. Sukseset arrijnë vetëm të bashkuar.

                               Po si arrihet suksesi ?

Shpesh shtrohet pyetja: cila është rruga që na çon të suksesi ? Me siguri, çdokush s’mund të jetë i suksesshëm në jetë. Rruga e suksesit nuk është edhe aq e lehtë. Sukseset nuk arrihen hë për hë, ato krijohen me angazhim dhe punë të vazhdueshme. Njeriu i suksesshëm nuk shfaqet ad hoc, ai “gatuhet “ përgjatë jetës dhe formon tiparet e tij një nga një. Sukseset nuk ndodhin mbenda natës, ata kërkojnë kohë, kërkojnë angazhim. Mundësitë nuk ndodhin , ne duhet t’i krijojmë. Për të pasur sukses, ne duhet të kemi besim se ne mundemi. Sukses do të thotë të keshë të arritura në jetë. Suksesi arrihet duke pasur vullnet e imagjinatë të bujshme, duke pasur vetëbesimin e duhur e duke i vënë qëllime vetes. Suksesi arrihet me partneritet. Nese duam të jemi të suksesshëm duhet të jemi plot elan e vullnet për punë, ndërsa për të pasur një shoqëri të suksesshme duhet angazhim dhe përsosshmeri të përbashkët.

Shpesh, shoqëria përbehet edhe nga njerëzit e dështuar të cilët duhet t’ua shtrijmë dorën që edhe ata të ngriten, të hecin përpara. Mirëpo, mendoj se problemi është; të rritet numri i njerëzve të sukseshëm, të rritet kuota e tyre që do t’ia zgjasë dorën pakicës dështake dhe kështu të bëhet balancimi dhe funksionalizimi i shoqërisë sonë.

Dhe në fund do doja ta përfundoj këtë shkrim me një thënie të një mendimtarit tonë të madh.” Në humbje të madhe është personi i cili i ka dy ditë të ngjajshme”. Marrë nga “ Koha javore “, më 1 shkurt 2024

…………………………………………………………………………………………………….

By admini