Nga Gjekë Gjonaj
Trupa artistike e Ulqinit po përgatitet për pjesëmarrje në emisionin “Gurra popullore” në Televizionin “Top Chanel” . Udhëheqësi artistik i këtij grupi, Munib Abazi, thotë se ky spektakël do të mbahet ditën e diel, më 24 janar 2024.
“Me këtë rast Ulqini do të ketë një paraqitje të plotë të vlerave historike dhe etnokulturore të këtij qyteti me traditë dhe trashëgimi të begatë . Do të jetë ky një mozaik i pasur nga tradita dhe trashëgimia jonë etnomuzikore e pasqyruar përmes rrëfimeve historike, detarisë, ullishtarisë, këngëve e valleve tradicionale popullore, veshjeve popullore dhe instrumenteve burimore”, shprehet Abazi.
Artistët nga Ulqini do të sjellin në studion dhe ekranin e televizionit “Top Chanel” për teleshikuesit shqiptarë buçetën e pasur të traditës, muzikës e këngëve autoktone të kësaj komune, pa të cilat arti muzikor shqiptar do të ishte i mangët. Nuk do të mungojnë as gatimet tradicionale të Ulqinit.
Përveç trupës artistike të ftuar në këtë emision televiziv do të jenë edhe kryetari i Komunës së Ulqinit,Omer Bajraktari, dhe specialistë të kësaj fushë. Ata përmes bisedave në studio do të shpalosin të kaluarën historike, kulturore , trashëgiminë , traditën folklorike të Ulqinit dhe strategjinë që ka kjo komunë për zhvillimin e kulturës në dobi të të zhvillimit të saj përmes turizmit kulturor.
E gjithë kjo autoktoni kulturore artistike e Ulqinit do të përformohet drejtpërdrejt nga artistët ulqinakë të brezave të ndryshëm. Pritet të jetë ky një show special i artit burimor i shfaqur me një program të pasur artistik, të cilin financiarisht e ka mbështetur Komuna e Ulqinit.
Përmes këtij spektakli do të promovohen vlera nga tradita dhe trashëgimia kulturore e historike të Ulqinit, si vlera të rëndësishme kombëtare, duke i promovuar dhe ruajtur në këtë mënyrë nga rreziku i zbehjes së tyre deri në venitje.
Realizimi i gjithë kësaj ndërmarrje të madhe shumë të rëndësishme është mjaft i vështirë edhe nga artistët që kanë marrë përsipër t’i kushtohen kësaj fushe, ku gjallon identiteti i Ulqinit, si pjesë e pandarë e identitetit artistik kombëtar.