Kalimera poetike ne Muzeun e Dragines

(Mbi krijimtarinë poetike të autores Nurie Emrullai)

Nga: Argëzon Sulejmani

Guxoj ta nisë këtë analizë me idenë e parë asociative që më shkoi ndërmend vite më parë, pas leximit rishtar të poezive të autores shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Fjala është për Nurie Emrullain, një emër tashmë i dëshmuar dhe i lakuar në letërsinë shqipe dhe më gjerë. Me bindjen e parë prej lexuesi dhe dashamiri të poezisë këtë emër e pata shënuar si Szymborska e letërsisë sonë.

Wislawa Szymborska është poetja polake, përkthyesja dhe kritikja letrare në të njëjtën kohë, nobelistja për letërsi e vitit 2006.

Sikurse vetë Szymborska ashtu dhe Emrullai, me sa kam lexuar dhe dëgjuar deri më tani, “u ikë fjalëve të mëdha, nuk parapëlqen të interferojë në ekspresivitetin e poezive si dhe në qendër të poetikës së saj gjithnjë vë njeriun e ditëve të saj”. Historitë njerëzore janë historia e njerëzimit në njëfarë mënyre – nga prizmi i të dy këtyre autoreve.

Kulmi i pjekurisë sime / qenka i barbartë me pendesën / e pritjes së momentit / që tani s’është më i rëndësishëm edhe po të vijë. (…)

(Poezia: Histori njerëzore).

Gjuhë poetike që synon përsosshmërinë

Meqenëse poezia është si një gjymtyrë e rrallë që zhvillohet e pse jo dhe transformohet me jetën e poetit, mund të thuhet që poezia e fazës së parë të Emrullait është një poezi e konsoliduar me prirje dhe tendenca drejt inovatives e origjinalitetit. Në pah vihet veçanarisht gërshetimi i reales me porositë e shumta që përçohen po me një realizëm magjik. Ky kombinim i poetikës realiste me atë lirike-moderniste e bën lexuesin pjesëmarrës në shumë prej poezive të saj meqenëse temat e rrokura janë universale (pankohore) pavarësisht qosheve të harruara të botës nga ku mund të shënohen. Gjuha poetike e Emrullait është një gjuhë poetike e përsosur, stili i saj respekton linjën lirike autoriale, kurse përdorimi i figurave letrare shkon në sinkron dhe në funksion të buçitjes së mesazhit artistik. Së këndejmi, është një poezi që lexohet lehtë, analizohet qartë dhe do të mund të studiohej thellë varësisht prej kapacitetit të vetë lexuesit.

Po flejnë qetë ata që harruan kohën, /

E ata që i harroi koha, s’flejnë, ëndërrojnë.

(Poezia: thellësia)

“Locus poetica”

Poezia është një çast në eter. Ka raste kur poeti e kapë, e përpunon dhe e publikon. Shumë herë më shumë se kaq raste ajo bie në tokë dhe zhduket përgjithmonë si një pendël zogu. Mirëpo, te poezia e Emrullait përveçse momentumit si muzë, emocion dhe mendim, është edhe vetë fizikusi i çastit që merr ngjyra poetike dhe në këtë mënyrë: një kënd kafeneje, një stacion urbani apo një stol parku bëhet këndshëm “locus poetica” ku lexuesi ka dëshirë të rrijë, të presë apo të pushojë. Lirikat e peizazhit dhe urbanes bëhen një në disa pika sikurse dy telat e vokalit që nxjerrin zë veç nga përpëlitja me njëri-tjetrin. Ajo arrinë mjeshtërisht të ulë në tokë tema të mëdha të kohëve, si: historia, atdhedashuria, perëndia, kurse arrinë t’u japë sentenca poetike temave të nëpërkëmbura të kohëve si: përditshmëria, ndërnjerëzorja dhe mjedisi ku këto zhvillohen dhe bashkëveprojnë.

secili pyet sa metra katrorë i duhet të gjallit? /

Një taksist i thinjur në fund të rrugës pret dy / udhëtarë.

(Poezia: Në orën moderne të perëndive)

Emrullai prezanton një zë të rrallë, mirkumbues do të thonte Koliqi, për letërsinë tonë. Poezia e saj vjen e qashtër, nën fjalët e njeriut të ditës, të vëna në vendin e merituar. Mesazhi, pa dyshim, është qendra e vëmendjes. Mesazhi është i përpunuar qartë deri në thellësitë e detajeve. Poezinë e përcjellë një varg i lirë deri në këputje dhe kjo duket të jetë melodia përcjellëse e cila përçon ankth dhe senzacion njëherësh.

Në krijimtarinë e saj gjejmë poezi trivargëshe por edhe poema, gjë që e bën të qartë se sa shumë poetja e vlerëson mesazhin poetik; me raste ai vjen direkt, përmbledhtazi, kurse në të tjera raste, si te poemat, vjen i hapërdarë në një hapësirë poetike tejet të përpunuar. Për këtë arsye, përmbledhjet e Emrullait mund të lexohen edhe ditëve të verës, siç mund të këndohen edhe netëve të gjata të arbainit.

Male!/E lamë zërin / në ninëz të dritës / O male! (Poezia: Iso)

Në poezinë e Emrullait meriton të veçohet veçanarisht gjuha briliante dhe filozofia e thellë që deliron prej kësaj gjuhe. Gjuha, në këtë rast, përveçse mjet është dhe objekt të cilin poetja e ndërton me shumë pasion e kujdes. Jo më kot thuhet që e bukura dhe e fuqishmja qëndron te thjeshtësia, te qartësia. Gjuha poetike e Emrullait vjen e shkarkuar prej stereotipeve të autorëve të rinj, kêrrusur prej togëfjalëshave që të marrin frymën por s’të hapin mendjen. Ajo është e qashtër dhe e rrjedhshme si burimet e lumenjve të rilindasve tanë, kurse në anën tjetër përmbanë dhe përçon një filozofi mendimi të thellë që të merr lehtësisht me vete nga leximi në rilexim. Kjo është një perspektivë që nuk e gjejmë shumë të përhapur në letërsinë tonë, ndoshta të mbingarkuar së tepërmi me skema, figura, metafora skematike etj. Emrullai në këtë drejtim është një puhizë që miklon, një erë e këndshme që të kujton poetin tonë të ndjerë Xhevdet Bajrajn ose, deri diku, bashkështetasin e saj, poetin Lulzim Haziri e, në rastin më emotiv, autorin e saj të preferuar Zagajewskin. Gjithsesi, them unë, kjo poete ka shansin që të bëjë një emër të vetin, krahasimisht të vlerësuar me penat më të lexuara të letërsisë botërore. Në këtë rast, lexuesi dhe kritika jonë nuk duhet të presë bekimet ndërkombëtare për vlerat e veta kombëtare sepse kështu e përjashton veten nga arritjet e emrave të dalluar dhe ia cënon autorit përfaqësimin mbarëpopullor.

“Ku do të varroset ajo, / që vendin e varrit të vet nuk e lindi?” / Se gruan veç fëmija e lidh për vendit t’vorrit.”

(Poezia: Për gjërat që s’flitet)

Toni i ri i revoltës

Zëri poetik i Emrullait është zë femëror. Është zë i bukur. Por nuk është i bukur në variantin e përditshmërisë dhe kallëpeve të parakrijuara. Është një zë i qartë, i formuar dhe i sigurt femëror. Është një zë që të lë pa fjalë dhe të mbushë me poetikë. Është një zë që nuk shkele dhe as nuk shtynë. Është një zë që të bën për vete, pavarësisht dallimeve dhe pikëvështrimeve. Është një revoltë ndryshe nga ç’jemi mësuar të njohim dhe të shohim. Është modeli i revoltës së duhur të këtij shekulli. Është një zë i duhur me të gjitha dimensionet e duhura.

Mue, / nanën, / mikeshat e mia, / Kanë me na varros / Njí metër ma thellë se tjerët // Veç se ishim gra…

(Poezia: Për gjyshen dhe nanën dhe mue – Evat dhe Havat)

Përveç se temat e poezive të saj janë tema të bashkëkohores, edhe temat e saj rrinë shumë afër kuptimeve të këtyre ditëve. Poetja u rri larg përshkrimeve patetike dhe eksploduese, edhe kur është fjala për raportin me temat më egzistenciale ose kruciale të jetës. Ajo flet fort njerëzisht me Zotin, shprehet me thjeshtësinë e amorit me dashurinë dhe shkruan me një imagjinatë te pangarkuar infantile kur bëhet fjalë për temat më konzervatore të shoqërisë. Kjo i jep krijimtarisë së saj etalonin e një deti që secili e merr vesh vetëm ku fillon. Një poezi e mirë kumbon dhe nuk mbaron kurrë.

Ti mbaj zotin tënd / unë timin, / atë që e njoh dhe më njeh deri në frymëmarrje të shpirtit. / ai që vjen / çdo natë dhe dëgjon lutjet e mia, / fshin lotët nga sytë e mi.

(Poezia: Zotit tim të ndjeshëm).

Energji që e lartëson urtësinë femërore

Deri më sot, letërsia shqipe ka përdorë e keqpërdorë ne masë të madhe historitë orale të trashëguara brez më brez ose vesh më vesh. Sidomos në poezi, kësodore, janë shfrytëzuar shumë histori, biles shumë aforizma që bëjnë qenësoren për një pjesë të madhe të atyre poezive. Por, fjala nuk e përçon gjithnjë frymën dhe energjinë e një populli apo një gjuhe. Është pikërisht, fryma dhe energjia e femrës shqiptare që zë vend fort bindshëm në poetikën e Emrullait. Një zë i ëmbël, me psherëtima të shumta, një mendje që punon shpejt dhe një fjalë që del kujdesshëm janë veçoritë e poetikës së shqiptares së shumë shekujve që vihet re qartësisht në shumicën e poezive të Emrullait. Kjo frymë ju mungon letërsive të vogla demografike të cilat kanë prirje tu jepen rrymave të letërsive të mëdha të kësaj natyre dhe të cilat këto tema mund t’i kenë tejkaluar ose margjinalizuar përkohësisht. Ndajë bindjen që urtësia shqiptare do të përfitonte shumë nëse do të përpunoheshin dhe shënoheshin pa ngarkesa të së sotmes gojëdhënat e urtakeve shqiptare me në sfond murrlanin e kohëve përkatëse.

Fjalët përkunden në gojën tonë, / hanë nga netët tona në urinë e jetës: / rrëfimi i jetës suaj do të fillojë me / “Na ishte njëherë…”

(Poezia: Na ishte njëherë).

Për gjithçka u tha, poezia e Emrullait meriton të lexohet dhe analizohet, meriton lexues të zgjedhur dhe është zgjedhja më e mirë për secilin që kërkon ta mbushë ditën dhe jetën me elemente poetike. Është një poezi që godet me mesazhe të qarta të cilat hapin perde dhe nxisin pikëvështrime. Në anën tjetër, pa as më të voglin dyshim, poezia e saj përmbanë një amë të pasur leksikore dhe poetike që mund t’u hyjë në punë studiuesve dhe lëvruesve të letërsisë e poezisë. Koha do ta dëshmojë, por ndaj bindjen që, shumë vargje të Emrullait, me kohën do të bëhen komponentë aforizmatik dhe refrene shënjuese. Dhe, në një botë që e përsëritë pambarimisht veten, nuk mund të ketë ndalesë dhe shënim më të mirë se refrenet poetike.

Nurie Emrullai (1992), nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut. Ka mbaruar Fakultetin për gjuhë dhe letërsi, aktualisht është pedagoge në Universitetin e Tetovës. Ka qenë pjesë e shumë mbrëmjeve dhe festivaleve poetike, është përzgjedhur si pjesëmarrêse e shumë antologjive poetike si dhe është fituese e shumë çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare. Është autore e tri librave me poezi: “Për gjysmën tjetër të hënës, Syth, Tetovë, 2019; “Vargmale nën dhé”, Onufri, Tiranë, 2020; “Në orën moderne të Perëndive”, Onufri, Tiranë, 2021. Së fundmi është fituese e çmimit Kadare me romanin “Duhet të jetë dashuri”, Onufri 2023.

Autorja ka nderuar qytetin e Ulqinit si dhe dashamirët e kulturës, me mbrëmje autoriale në kuadër të manifestimit të përvitshëm “Kalimera Poetike Basri Çapriqi” edicioni i 31-të, mbrëmje e cila është mbajtur në Muzeun Etnografik në Draginë – Ulqin.

Koha Javore, dt. 10.08.2023, nr. 1072.

By admini