Ostrosi

Të informuar nga banorët e Krajës se Njësitë e Policisë të posaçme të Malit të Zi, kanë ushtruar kontrolle në disa shtëpi, në fshatrat e Krajës, me pretendime për parandalimin e tregtisë së pa ligjshme të duhanit. Me këtë rast, në familjet që janë bërë kontrolle, kryefamiljarët janë ftuar të paraqiten në Prokurorinë e Tivarit për të dhënë deklaratat, kështu thuhet në një kumtesë për opinion të Aleancës shqiptare.

Me tu informuar për rastin, deputeti Genci Nimanbegu, me nënkryetarin e Partisë Demokratike z. Fitim Draga, nënkryetarin e Forcës së Re Demokratike z. Sabri Salaj dje Kryetarin e KKSH, z. Faik Nika kanë shkuar në Krajë për tu informuar drejtë për drejtë nga qytetarët për këtë rast. Nga biseda me banorët e Krajës, ata pohuan se ngjarje të tilla nuk ka pasur asnjëherë më parë në Krajë dhe se ky është një veprim i pa pranueshme dhe i pa dëgjuar më parë. Në këtë aksion të Policisë banorët punëtor të Krajës janë trajtuar si grupe kriminale apo terroriste vetëm e vetëm se merren me kultivimin dhe tregtimin e duhanit të cilin e prodhojnë vet, një veprimtari e cila trashëgohet brez pas brezi me shekuj në Krajë, dhe në asnjë sistem politik deri tani nuk ju ka ndaluar prodhimin dhe tregtimin e duhanit që e prodhojnë vet. Sipas tyre, kjo është një formë e presionit psikologjik dhe ekonomik që ju bëhet atyre pak shqiptarëve autokton që jetojnë ende sot në Krajë. Presioni psikologjik ka të bëjë me frikësimin e tyre në mënyrë që edhe ata pak familje që kanë mbetur të mendojnë për të ardhmen e tyre, ndërsa presioni ekonomik sepse po ju sulmohet e vetmja veprimtari ekonomike fitimprurëse që ju ka mbetur.

Është e pa pranueshme që strukturat shtetërore të Malit të Zi, të ushtrojnë kontrolle të tilla, ndaj një zone e cila është lënë totalisht e pa zhvilluar me dekada, pa ujësjellës, pa infrastrukturë adekuate, pa investime, pa vende pune, të cilën e kanë braktisur pjesa më e madhe e popullsisë, tani pësojnë një aksion të tillë policorë, a thua se janë kriminel?!

Në të njëjtën logjikë, sikur të ndodhte, që sot Policia të bastiste çdo familje në Mal të Zi që merret me prodhimin e rakisë (pjek raki) produkt që është vënë në listën e mallrave me akcizë nga shteti, atëherë ndoshta reagimi ynë do të ishte i një anshëm dhe i panevojshëm. Pasi që kjo ngjarje po ndodhë vetëm disa ditë pas zgjedhjeve, nuk dëshirojmë ta kuptojmë si ndëshkim ndaj popullatës autoktone të Krajës.

Në ditët në vazhdim do të kemi informacione e sqarime adekuate nga të gjitha institucionet e shtetit duke u nisur nga Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria dhe institucionet tjera ligj zbatuese në mënyre që ky rast të zbardhet sa më parë për opinionin dhe të dihen motivet dhe shkaqet e një aksioni të tillë ngjajshëm si në filma, përfundon kumtesa për opinion e Aleancës shqiptare.

By admini