Nga Xheladin Zeneli
Aksioni policor ndaj kultivuesëve të duhanit në Krajë në mengjezin e ditës së premte, me 16 qershor 2023, është pjesë e një skenari të njohur për shpopullimin e trevave shqiptare në Mal të Zi.
Shpopullimi i trevave shqiptare vazhdon të jetë një qëllim i përhershëm i pushtetit (pushteteve) sllavo-malazeze. Procesi i shpopullimit, apo i spastrimit etnik të këtyre trevave është një proces i cili ka filluar që në kohën kur viset shqiptare u aneksuan nga Mali i Zi me vendimet e Kongresit të Berlinit në vitin 1878 dhe të Konferencës së Londrës me 1913 dhe në një mënyrë apo tjetër vazhdon edhe në ditët e sotme.
Një ndër mënyrat e arritjes së këtij qëllimi është përmes ushtrimit të presionit ekonomik ndaj popullsisë vendase shqiptare në shpërnguljen e tyre. Ky lloj presioni manifestohet jo vetëm duke mos investuar në trevat shqiptare, por njëkohësisht si në rastin dhe shembullin më të fundit në Krajë, duke iu marrë edhe djersën e mundin e punës dhe duke iu hequr ‘kafshatën e gojës’ banorëve punëtorë të kësaj treve.
Gjatë periudhës së ashtuquajtur të sistemit demokratik në Mal të Zi, pra që nga viti 1990 e këndej, shembuj si ky i Krajës ka shumë si në Ulqin, Anë të Malit, Malësi, Plavë-Guci e Rozhajë, ku vendimet e qeverive të ndryshme të Malit Zi kanë kanë lën pasoja të rënda e shkatërruese në ekonomitë, ashtu të brishta, të këtyre vendbanimeve shqiptare.
Vetë statistikat e Malit të Zi dëshmojnë se trevat ku shqiptarët jetojnë me shumicë, janë trevat më të pazhvilluara, janë trevat ku investohet shumë pak apo aspak, janë trevat ku përqindja e papunësisë është më e lart, janë trevat ku ( për ata të cilët punojnë) kanë pagat më të ulta mujore dhe si pasojë e këtyre rrethanave, këto treva kanë përqindjen më të lartë të emigrimit të popullsisë.
Ti kthehemi Krajës
Kur shikohet përqindja e popullsisë shqiptare në komunën e Tivarit janë parasysh shifrat e vendbanimit të Krajës, e cila është pjesë administrative e kësaj komune.Përqindja e popullsisë shqiptare në komunën e Tivarit,përkatësisht Krajës,brenda një periudhe 20 vjeçare, ka pësuar një rënie prej 6.4% . S’ka dyshim se faktori kryesor i cili ka ndikuar në mënyrë drastike në rënien e numrit të popullsisë të Krajës,ashtu si edhe të vendbanimeve të tjera me popullsi shqiptare në Mal të Zi,ështe emigrimi në botën e jashtme, posaçërisht në SHBA, për shkak të papunësisë dhe mos perspektivës në vendin e tyre.
Në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Mal të Zi (i cili është duhur të mbahej në vitin 2021), do të dëshmojë se numri i banorëve në Krajë, ka pësuar një rënie tjetër të radhës çka është tepër shqetësuese.
Qershor 2023