Nga Luljeta Avdiu – Cura
Esat Mehmeti u lind në fshatin Draginë të Anës së Malit, më 1955. Shkollën fillore e kreu në Sukubinë e Katërkollë, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Studimet e larta për Gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në SHLP e më pas edhe studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe. Që nga viti 1979 deri në vitin 1991 punoi mësimdhënës në Obiliq (Prishtinë). Masat e dhunshme që ndërmori Serbia kundër të gjithë punonjësve të arsimit në Kosovë e prekën edhe atë. Për këtë arsye, në fund të vitit shkollor1991/92 u kthye në vendlindje së bashku me familjen. Pas disa vitesh, përkatësisht në vitin 1995, filloi punën si gazetar në Radio Ulqin. Për një kohë ka qenë u. d. i drejtorit të këtij institucioni dhe më vonë sërish gazetar-redaktor i programit në gjuhën shqipe, derisa u pensionua në vitin 2022.
Krahas punës në Radio Ulqin merret edhe me shkrime publicistike, që janë botuar në të përjavshmen “Koha Javore”, gazetën “Bota sot”, etj. Është bashkëpunëtor i Radio Pejës. “Dasma në Anë të Malit (Ritet dhe ceremoniali i saj)” është libri i tij i parë, ndërsa ka në dorëshkrim edhe disa punime të tjera.
Libri “Dasma në Anë të Malit” i autorit Esat Mehmeti është një botim i veçantë, sepse sjell tek lexuesi dhe opinioni i gjerë ceremoninë e dasmës në trevën e Anës së Malit. Ky libër është një thesar, sepse në mënyrë perfekte pasqyron ritet, doket dhe zakonet tona. Me mungesën e këtij libri trashëgimia jonë kulturore e Anës së Malit si trevë e veçantë etnografike ka qenë e mangut, kurse me daljen në dritë të këtij botimi trashëgimia jonë pasurohet .Çdo liber është një risi, është një zë i brendshëm nga shpirti, një grusht që shtërngohet dhe një zë që merr dhenë.
Historikisht te shqiptarët, por edhe te popujt e tjerë, dasma ka qenë e shenjtë për vetë faktin se i ka paraprirë krijimit të familjes, institucionit më të shenjtë të shoqërisë sonë.
Autori librin e ka ndarë në 10 kapituj dhe secili kapitull ka rëndësinë e vet, sepse sjell të dhëna të rëndësishme dhe me vlerë për lexuesin. Lexuesit ky libër i bën kurreshtarë të mësojnë për disa zakone e tradita që janë vlera tona të hershme, të cilat janë me interes jo vetëm t’i mësojmë, por dhe t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë e përcjellim brez pas brezi.
Duke patur parasysh faktin se ritet e martesës kanë një zanafillë të lashtë (që nga koha e paganizmit) dhe në vete ruajnë mjaft tipare epokash të ndryshme, vetë karakteri i aktit, si dëshirë dhe nevojë për zhvillimin e jetës, kushtëzoi krijimin e një sërë ritesh që lidhen me besëtytnitë e periudhave të ndryshme dhe kanë si qëllim mbrojtjen nga fuqitë e dukshme dhe të padukshme të natyrës. Ritet e martesës, si vlera kulturore në përgjithësi, paraqesin pasuri per folklorin shqiptar. Prandaj, sistemimi që autori i ka bërë këtyre riteve dhe zakoneve dhe ceremonisë në këtë libër, i bën këto të fundit të pavdekshme dhe të sistemuara në një vend të sigurtë dhe të strehuara në familjet tona.
Zgjerimi i njohurive mbi ritin e martesës është i rëndësishëm, sepse në proçesin e vet martesa ruan shumë rite të lashtësisë, të cilat shpesh janë të pashpjegueshme dhe shumë herë edhe të pakapshme për popullin. Ato janë pasqyrim shpirtëror, nga lashtësia e ruajtur deri vonë, madje shpesh i takojmë edhe në ditët tona. Të gjitha këto rite, doke e zakone si dhe besëtytni, në fokus kanë jetën e njeriut, duke e përcjellë njeriun në të githa fazat e saj si: në lindje, syneti, fejesa, martesa, nisjen e shtëpisë dhe hyrjen në shtëpi të re, pothuaj çdo fillim i punës së re, e deri tek vdekja, sepse “… pasi që akti martesor dhe ritet që e shoqërojnë atë s’janë gjë tjetër, por pasqyrim i të kaluares shpirtërore të popullit”.
Ne jemi dëshmitarë se e kaluara e një populli nuk bën të humbet por të ripërtëritet në forma të ndryshme.
Libri bukur shtjellon tërë ceremonialin e martesës i cili është përcjellur me rite të shumta, por që kanë ndryshuar prej kohe në kohë. Shumë adete u ruajten deri në kohën tonë, disa adete rrjedhin qysh në mesjetë, nga erërat e krishtërizmit, dhe më tutje u plotësuan me fragmente të pasura që i solli era e islamizmit.
Te libri “Dasma në Anë të Malit” i autorit Esat Mehmeti, shtjellohen me saktësi ritet dhe zakonet e martesës në Anë të Malit dhe kështu i gjithë rituali martesor kalon nëpër tri faza themelore: fejesa, përgaditja për dasëm dhe dasma.
Fejesën e karakterizon: shkuesia, shenja dhe përgaditja e pajës, ndërsa dasmën e karakterizon java e dasmës, ceremoniali i dasmës dhe përfundimi i saj.
Ceremoniali i dasmës ka fazat e organizimit që janë: java e dasmës (faza përgaditore), fillimi i dasmës (dhuntia, nata e vajzave dhe nata e dasmës te djali), dita e dasmës (dita kur merret nusja), si edhe përfundimi i dasmës (dita e grave, të shkuarit në pasi dhe ardhja e miqësisë së re). Për të gjitha këto faza nga populli lindi edhe kënga nga marëdhënia e tekstit me rastin dhe kështu populli për vite i këndoi e i memorizoi në kujtesën kolektive.
Të gjitha këto faza krijojnë në mendjet tona imazhet e dasmes të cilat i kemi të njohura. Parimet tona për të krijuar monumente nga doket dhe zakonet tona kanë ndihmuar shqiptarët historikisht të krijojnë në shpirtin e tyre formën e jetës së brendshme. Edhe në rastet kur ceremonitë e ndryshme nuk kanë mundur të realizohen apo manifestohen siç duhet për shkaqe të ndryshme, sërish qoftë edhe një element tradicional sado i vogël ka ndihmuar në përmbushjen shpirtërore.
Kur flasim për dasmën dhe ceremonialin e saj, krejt familja ka rolin e vet të veçantë, por gruaja shqiptare me përkushtimin dhe organizimin e shumë punëve ka rolin kryesor. Nënat-vajzat që edhe në ditët e sotme duke mbartur veshjet e bukura tonat jo vetëm që hijeshojnë dasmën, por ato rrezatojnë bukuri, elegancë dhe në këtë mënyrë bëhen simbol i dasmës, sepse ato kanë luajtur rolin kryesor në ruajtjen e shumë dokeve dhe zakoneve që kanë të bëjnë me ceremonialin e dasmës dhe jo vetëm.
Nënat shqiptare sollën në jetë në kushte të vështira shumë bij dhe bija, e për këto lindje dëshmitare janë kullat prej guri. Prandaj, nëna shqiptare me të gjitha veçantitë e veta duhet të nderohet e respektohet. Edhe monumenti që ajo e ka krijuar me mund duhet të nderohet nga krejt shoqëria.
Me plot bindje them se rituali, fazat dhe ceremonia e dasmës në këtë libër trajtohen në tërësi dhe të dhënat e ofruara përbëjnë secila vlerë në vete. Vlerat shkruhen për mos t’u humbur në të ardhmen!
Autorin dua sinqerisht ta falënderoj për punën dhe përkushtimin për daljen në dritë të kësaj vepre. Me këtë libër le të shërbehen studiues të profileve të ndryshme, shkollat, grupet folklorike dhe mbi të gjitha brezat e rinj të cilët ruajtjen e riteve dhe trashëgimisë sonë duhet ta kenë prioritet. Libra të ngjashëm për ritin e dasmës kemi. Përmendim këtu edhe librat për dasmën e Ulqinit dhe atë të Krajës. Tashmë u bashkëngjitet edhe ky libër për të ngritur lart bajrakun e dasmës te shqiptarët në Mal të Zi.
Sado mundësi dhe luks që ofrojnë kohët moderne, manifestimi i riteve në ritualin e dasmës në traditën tonë i jep hijeshi dasmës, e lidh shpirtërisht me të kaluarën dhe fizikisht me të tashmën.Urime e temena autorit!