Ilustrim

Në mbledhjen elektronike të Bordit të Drejtorëve të NHT „Riviera e Ulqinit” e mbajtur më 09 maj 2023 u shqyrtuar dhe u miratuan 3 pika të rendit të ditës: 1) Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar e Bordit, 2) Sjellja e vendimit për dhënien me qira afatgjatë të pjesës së vjetër të Ada Bojana dhe 3) Sjellja e vendimit për shpalljen e thirrjes publike për qiradhënien afatgjate të 34 shtëpizave të vjetra në Adë, kështu thuhet në reagimin e Anëtarit të Bordit të Drejtorëve të NHT “Riviera e Ulqinit”, arkitekt Mehmed Milla në lidhje me dhënien me qira shtëpizave në Adë.

Në emailin përcjellës të thirrjes nuk janë dërguar draftet e vendimeve dhe materiali përcjellës, përveç procesverbalit nga mbledhja e 5-të e Bordit të Drejtorëve të NHT „Riviera e Ulqinit”. Në emailin e thirrjes, anëtarëve të Bordit iu është kërkuar që të deklarohen nëse janë pro ose kundra secilës pikë të rendit të ditës dhe të votojnë veçmas për secilën.

Dua të potencoj që në këtë mbledhje elektronike nuk është folur aspak as për formën e as për përmbajtjen dhe dinamikën e procesit të dhënies me qira afatgjatë të shtëpizave në Adë.

Si anëtar i Bordit, si njeri i profesionit dhe si anëtar i Këshillit Qendror të Forcës së Re Demokratike, jam për zhvillimin dhe valorizimin e tërë potencialit të komunës së Ulqinit e posaçërisht të Adës. Ky lloj zhvillimit i ka munguar Ulqinit nga sistemi i kaluar politik. Forca si bartëse e projekteve zhvillimore në qytet, është dhe do të jetë për zhvillimin e integruar të Adës. Kjo më ka shtyrë që të mbështes këto dy pika duke u nisur nga ajo se mënyra, procesi, afatet dhe kushtet do të jenë të përpiluara sipas ligjit dhe me transparencë të plotë. Unë nuk isha pjesë e organizimit të anës teknike dhe procedurale për shpalljen e famshme 7 ditore. Bile, si arkitekt deklaroj që kërkesa që të dorëzohet plani i detajuar ideor në afatin 7 ditësh është nonsens.

Mungesa e dokumentacionit për mbledhje, mosqasja në draft vendimet në fjalë dhe afati i shkurtë për votimin elektronik, me të drejtë krijon brengosje te qytetarët për mungesë të transparencës. Kjo edhe mua më rradhit krahas qytetarëve që me të drejtë brengosen për transparencën e këtij procesi.

Kërkoj nga kryetari i Bordit dhe anëtarët e tij që të konsultohen në lidhje me afatet dhe me procedurën transparente për realizimin e drejtë dhe ligjor të procesit të valorizimit të integruar të Adës me të cilin i rritet vlera si Adës ashtu edhe komunës së Ulqinit, përfundon reagimi i Anëtarit të Bordit të Drejtorëve të NHT “Riviera e Ulqinit”, arkitekt Mehmed Milla në lidhje me dhënien me qira shtëpizave në Adë..

By admini