Të premten, më 10 mars nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit solemnisht shënuan 10 marsin – Ditën e shkollës. Kjo datë zyrtarisht konsiderohet si dita e shkollës në Krajë. Sipas të dhënave që nxora nga historiku i shkollës (arkivi i saj), këtu si datë e hapjes së shkollës së parë merret 10 marsi i vitit 1929, kur siç thuhet në dokumentet zyrtare është hapur shkolla e parë në Krajë. Studiues të shumtë thonë se fillimet e arsimit dhe shkolla në Krajë i kanë rrënjët shumë më herët. Sidoqoftë, derisa shkenca ta thotë fjalën e vet dhe të shëmben paragjykimet, mbetet që të festohet 10 marsi si fillim i shkollës në Krajë. Të shtoj se shkollat në Krajë që nga 1929 e deri me rënien e mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, mësimi është zhvilluar në gjuhën joamtare – serbe. Me pushtimin e Italisë edhe në Krajë si edhe në shumë vise shqiptare mësimi zhvillohet në gjuhën amtare shqipe. Nga ajo kohë, saktësisht nga viti 1942 e deri më sot në Krajë – anën e poshtme mësimi gjithmonë është zhvilluar në gjuhën amtare shqipe. Kujtojmë se më 1968 shkolla në Krajë merr emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, emër të cilin e mban edhe sot.
Në këtë përvjetor të saj, të 94-tin me radhë nxënësit dhe mësimdhënësit këtë përvjetor e shënuan me aktivitete të shumta kulturo zbavitëse. Kjo u pa që në hyrje të godinës së shkollës ku mysafirët, prindërit dhe të tjerët patën rastin e mirë të shohin ekspozitën e piktorëve të rinj, vizatimet, pikturat me motive të lloj-lloshme që e kishin zbukuruar ambientin e shkollës. Mbresa të pashlyeshme la pa asnjë dyshim përurimi numrit jubilar të Revistës së shkollës “Valët”. Është ky numri i 25-të i saj, tha më këtë rast kryeredaktorja e revistës profesoresha e gjuhës shqipe dhe letersisë Aishe Gjeçbritaj, e cila tash më shumë se 40 vite udhëheq grupin letrar të shkollës “Buzuku” dhe jo vetëm. Ajo më këtë rast për kontributin e tyre nuk la pa përmendur edhe redaktorët e mëhershëm të revistës që kanë dalë në pension. I falënderoi publikisht për kontributin e dhënë ndër: Ismail Dodën, Ali Gjeçbritajn, Bajram Demirin dhe Selman Haxhimiratin. Në këtë përurim krijimet e veta i lexuan nxënësit, anëtarë të seksionit letrar.
Progami festiv pasoi aktivitetin e radhës. Kënga, vallja, recitimi dhe humori kënduar, luajtur e interpretuar nga nxënësit e shkollës si dhe nga vogëlushët parashkollorë, për më shumë së një orë i argëtuan moshatarët, prindërit dhe publikun e shumtë që kishin mbushur sallën ku u dha programi. Drejtori i shkollës Sami Doda në fillim të manifestimit tha: “Të nderuar nxënës, prindër, kolegë dhe mysafirë! Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot për herë të parë jam këtu para jush për hapjen e këtij solemniteti të madh që shënon përmbylljen e një përiudhe 94-vjeçare të punës dhe jetës së këtij institucioni edukativo-arsimor. Shfrytëzoj rastin që të gjithëve t’ju uroj Ditën e shkollës! Më lejoni që në emrin tim personal, në emër të nxënësve dhe kolektivit të shkollës të përshëndes të gjithë të pranishmit që së bashku me ne po e ndajnë gëzimin e kësaj feste dhe po e bëjnë akoma edhe më madhështore këtë ngjarje. Sigurisht që një përvjetor i shkollës është një gëzim i madh për të gjithë ne, por duhet ta dijmë para së gjithash që ne kemi dhe duhet të mbajmë edhe një përgjegjësi të madhe ndaj atyre që ndër vite punuan dhe vepruan që këtë shkollë ta ngrisin dhe ta sjellin këtu ku është sot. Ne po punojmë dhe veprojmë në të mirën e të gjithëve dhe me një angazhim maksimal ku kemi arritur që të jemi një shkollë model dhe e afirmuar. Vit pas viti shënohen suksese të reja që të gjithëve na gëzojnë pa masë. Krenohemi për punë me nxënës të mirë dhe të sjellshëm, me organizimin e punës, me infrastrukturën shkollore e gjithashtu krenohemi me standardin e nxënësve dhe të punëtorëve të shkollës. Mirëpo kur është fjala për sukseset më lejoni që të përmend dhe t’i falendëroj përzemërsisht ata të cilët mendojnë dhe japin për këtë shkollë – e kam fjalën për donatorë të ndryshëm. Falë këtyre donatorëve nga vendi dhe jashtë, e në veçanti mërgimtarët tanë, kemi arritur të jemi shkollë shembull në rajon. Mjaft u angazhuam në rregullimin dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore e në veçanti në kohët e fundit është realizuar dhe projekti për ndërrimin e dritareve në dy kabinete të financuara nga Komuna e Tivarit. Shkolla jonë dita ditës po pasurohet edhe me mjete mësimore për realizim të mësimit bashkëkohorë, ku kohët e fundit jemi furnizuar me disa kompjuterë si dhe elemente e pajisje të tjera IT, poashtu donacion nga Komuna e Tivarit. Me këto shihet qartë përkrahja nga institucionet lokale dhe nuk do kaloj pa përmendur edhe Bashkësinë Lokale Ostros e cila në këtë vit shkollor dhuroi një donacion për sigurim të mjeteve mësimore dhe përmirësim të kushteve në shkollë. Falendëroj nënkryetarin e Shoqatës “Kraja” në Nju Jork, z. Musa Luka i cili përmes shoqatës në fjalë dhuroi donacion mjete dhe materiale mësimore të nevojshme për një realizim sa më të suksesshëm të mësimit në përgjithësi, duke u shprehur se edhe më tutje ka dëshirë dhe vullnet për përkrahje të këtij institucioni, sepse brenda këtij institucioni është edhe e ardhmja e Krajës”. Për mësimdhënësit e shkollës, pensionistët dhe mysafirët u organizua një mbrëmje kulturore dhe u shtrua një darkë.
Të shtoj në fund se me rastin e 7 marsit – Ditës së mësuesit, seksioni i dramës në Shtëpinë e Kulturës në Ostros shfaqi një pjesë nga komedia “Katërmbdhjetë vjeç dhëndër” të Anton Zako-Çajupit, përgatitur nga mësimdhënësi i gjuhës shqipe Kujtim Veliu. /Koha Javore/

By admini