Arb Shabani

I riu Arb Shabani (2002) lindur në komunën e Ulqinit i cili shkollohet dhe punon në Nju Jork të ShBA-ve, së fundmi është zgjedhur një nga menaxheret më të ri të operimeve në kompaninë amerikane Planned Companies, me 125 vjet histori, shkruan Ulqini Online.

Kjo kompani është themeluar në vitin 1898 dhe ka aktivitet në Nju Jork, Nju Xhersi, Pensillvani, Majami përkatësisht në të gjitha rajonet e bregut lindor dhe perëndimor të ShBA-ve. Kompania ka rreth 5-mijë punëtorë dhe është lidere inovative në fushën e industrisë së pasurive të paluajtshme.
Një nga drejtorët ekzekutivë të kësaj kompanie me rastin e ngritjes në detyrë të Arb Shabanit në menaxher të operimeve është shprehur: “Urime, keni bërë histori! Ju jeni menaxheri më i ri ndonjëherë”!

Arb Shabani është student i shkëlqyeshëm i vitit të tretë për biznes e administrim, drejtimi kontabilitet në Universitetin Baruch në Nju Jork, një nga universitetet më të njohura në fushën e bizenesit dhe më gjerë.

Ky i ri shqiptar ka gjithashtu interese për t’u marrë edhe me veprimtari publike e kombëtare të shqiptarëve të diasporës në Nju Jork. Është anëtar i Këshillit drejtues të shoqatës Ana e Malit në Nju Jork. Së fundi, ka qenë pjesë e një delegacioni të përfaqësuesve shqiptarë nga Staten Island të cilit kanë vizituar Parlamentin e Nju Jorkut. Përfaqësuesit e këtij institucioni të lartë ligjvënës njujorkez kanë shprehur publikisht konsideratën për punën e këtij delegacioni në të mirë të komunitetit shqiptar.

By admini