Për ngjarjet e fundit politike por jo vetëm, të ndodhura kohëve të fundit në Mal të Zi kanë reaguar shoqatat shqiptaro-amerikane Ana e Malit, Kraja dhe Ulqini të cilat veprojnë në ShBA por që mendjen dhe ndihmat i kanë për vendlindjen e tyre, shkruan Ulqini Online.
Temë e këtij reagimi është deklarimi i vazhdueshëm politikanit pro serb Knezheviq, ”i cili kurdo që ka një konferencë për media, ka një problem që asnjëherë nuk e kapërcen dhe sdo mend që ai fenomen e ka emnin Kosovë”.
Poashtu shoqatat në fjalë në reagimin e tyre përmendin edhe sjelljen e një zyrtari shtetëror në pikën kufitare ne Sukubinë, ku ai shihet, duke e dhunuar një familje shqiptare, në pikë të ditës.
”Ajo që na bën të habitemi është heshtja e çuditshme e faktorit politik shqiptar, i cili me indiferencën e vet ndaj këso deklaratave, jep të kuptojmë, nivelin dhe seriozitetin e figurave politike shqiptare aktuale, qoftë nga radhët e subjekteve nacionale shqiptare , të cilat do duhej apriori, ti trajtojnë këto qasje, e pse jo edhe politikanët shqiptarë nëpër subjektet “qytetare””, thuhet ndër të tjera në reagimin e shoqatave shqiptaro-amerikane Ana e Malit, Kraja dhe Ulqini të cilat veprojnë në ShBA.
Reagimin e plotë mund ta lexoni më poshtë.
Kohëve të fundit, duket se çdo debat publik e politik i bie disesi ndesh pakicës shqiptare në Mal të Zi. Fjala është për ca pikë elektorale, të bazuara në qasjen arrogante të politikanit pro serb Knezheviq, I cili kurdo që ka një konferencë për media, ka një problem që asnjëherë nuk e kapërcen dhe sdo mend që ai fenomen e ka emnin Kosovë.
Ai premton që, nëse ai merr “ndonjëherë” pushtet, ndër proceset e para të tij nga pushteti, do të ishte ç’njohja e Kosovës nga ana e Malit të Zi. Kjo ide nga ana e tij, për neve nuk paraqet asgjë të re, duke I ditur qasjet e kahmotshme të bllokut politik serb, ndaj të gjitha çëshhtjeve në përgjithësi, si dhe çështjes shqiptare në veçanti.
Ajo që na bën të habitemi është heshtja e çuditshme e faktorit politik shqiptar, i cili me indiferencën e vet ndaj këso deklaratave, jep të kuptojmë, nivelin dhe seriozitetin e figurave politike shqiptare aktuale, qoftë nga radhët e subjekteve nacionale shqiptare , të cilat do duhej apriori, ti trajtojnë këto qasje, e pse jo edhe politikanët shqiptarë nëpër subjektet “qytetare”. Me sa duket, këto deklarata kanë tendencë relativizimi e normalizimi në realitetin objektiv e politik shqiptar në Mal të Zi, ndaj çdo gjëje që ka sado pak komponentën shqiptare brenda, gjë të cilën do duhej ta luftojnë të deleguarit tanë politik, të cilët çdo katër vite marrin besimin qytetar, përmes votës.
Sikur të mos mjaftonte Knezheviqi me sjelljen e tij diskriminuese, në të njëjtin sens, ishte edhe sjellja e nje zyrtari shtetëror në pikën kufitare ne Sukobinë, ku ai shihet , duke e dhunuar një familje shqiptare, në pikë të ditës. Këto sjellje të zyrtarëve policorë na e kthejnë kujtesën e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve , sikur ata skanë asnjë mbrojtje dhe të drejtë egsistence.
Çuditërisht, as për këtë gjest shovinist, asnjë reagim nga askush në përgjithësi dhe përfaqësuesit tanë politik në veçanti.
Mendojmë që kur “Knezheviqat” merren me Kosovën e kur “policët” na dhunojnë në tokën dhe të drejten tonë, duhet të reagojmë si komunitet, kurse përfaqësuesit politik shqiptarë, këtë duhet ta kenë obligim primar.
Mbesim në shpresë që të ngrisin zërin për çështjet që na prekin drejtëpërsëdrejti, sepse ajo është detyra më e rëndësishme e tyre.
Me respekt,
Shoqata Ana e Malit, New York;
Shoqata Kraja, New York;
Shoqata Ulqini, New York.
STATEN ISLAND, 1/16/2023.