Nga Frank Shkreli

Kështu foli javën e kaluar në Oslo të Norvegjisë, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg. I ftuar në mbledhjen vjetore të Konfederatës së Sipërmarrjeve të Norvegjisë me 5 Janar, 2023, kreu i Aleancës së Atlantikut Verior, theksoi se, “Armët – në fakt – sigurojnë paqën” dhe shtoi se, “Nuk do të ketë paqë të qëndrueshme nëqoftse shtypjet dhe tirania triumfojnë mbi lirinë dhe demokracinë”. Ai nënvijoi nevojën që Aleatët në NATO të investojnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, të eliminojnë varësinë nga regjimet autoritare dhe të jenë të bashkuar në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë.”

Z. Stoltenberg e përqendroi fjalimin e tij në agresionin rus kundër  Ukrainës dhe bëri thirrje për kujdes ndaj regjimeve të tjera autoritare, siç është Kina. Sipas tij, gjëndja aktuale në Ukrainë, “është pjesë e një politike ku Moska përdor forcën ushtarake për të realizuar objektivat e saj politike.”  Lufta në Ukrainë, vazhdoi Stoltenberg, nuk ka filluar Shkurtin që kaloi por në vitin 2014, kur Moska ka aneksuar Krimenë dhe Ukrainën lindore. Në fjalimin e tij, udhëheqsi i NATO-s paralajmëroi në Oslo se nëqoftse Putini fiton në Ukrainë, kjo do të ishte një tragjedi, jo vetëm për ukrainasit, për mbarë botën, “por edhe për ne”.

Optimizmi për një Evropë të bashkuar e në paqë, pas shembjes së Murit të Berlinit, është zëvendësuar, nënvijoi Z. Stoltenberg me “regjime autoritare që po shtohen dita ditës”, ndërkohë që “Demokracia është në rënje dhe globalizmi ka marrë tatpjetën”.

Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s paralajmëroi se, “Nuk do të ketë paqë të qëndrueshme në botë, nëqoftse shtypjet dhe tirania triumfojnë mbi lirinë dhe demokracinë.”  Ai theksoi se “Pa marrë parasysh se kur e si do të marrë fund kjo luftë, ne duhet të pranojmë se gjëndja e sigurisë në Evropë ka ndryshuar për gjithmonë”, ka thenë ai.  Regjimi i Moskës do dëshironte një Evropë tjetër, është shprehur Z. Stoltenberg, duke shtuar se, Moska “dëshiron të kontrollojë vendet fqinje, ndërsa e shikon lirinë dhe demokracinë si kërcënime për objektivat e saj, diçka që e ka vendosur Rusinë në një konflikt të vazhdueshëm me Perëndimin”.

“Varësia tek regjimet autoritare është e rrezikshme”, vazhdoi ai, duke u kujtuar të pranishëmve se disa kohë më parë, shumë njerëz besonin se blerja e gazit nga Rusia ishte thjeshtë një çeshtje tregtare. “Realiteti, është se tregtia është gjithashtu edhe një çeshtje politike. Ka të bëjë me sigurinë tonë. Tregtia është gjithashtu edhe politikë!”, ka theksuar Z. Stoltenberg.  Ai u tha të pranishëmve, por edhe një audience evropiane jashtë sallës, se duhet pasur kujdes që ai gabim me Rusinë të mos përsëritet më me regjime të tjera autoritare, duke përmendur, specifikisht, Kinën, si një prej atyre vendeve. “Interesat afat-shkurtëra ekonomike nuk duhet të përdoren kurrë në dëm të interesave themelore kombëtare”, është shprehur lideri  Aleancës ushtarake perëndimore.  Z. Stoltenberg paralajmëroi edhe kundër asaj që ai e cilësoi si, një “bashkpunim në rritje e sipër, “midis regjimeve autoritare”, duke venë në dukje bashkpunimin midis Moskës dhe Pekinit, “një partneritet strategjik dhe pa kufi”, siç është cilësuar nga ata vetë.

Regjimet autoritare janë regjime të ndryshe, të cilat promovojnë një rend tjetër botëror, tha udhëheqsi i Aleancës ushtarake të Atlantikut Verior në fjalimin e tij në Oslo. “Ato regjime promovojnë vlera që dhunojnë e shkelin vlerat tona të lirisë e demokracisë”. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë ne që besojmë në liri e demokraci, të jemi të bashkuar, përball regjimeve autoritare “pasi ne ndajmë të njëjtat vlera” me njëri tjetrin, ka përfunduar Z. Stoltenberg fjalimin e tij, drejtuar Konfederatës së Ndërmarrjeve Norvegjeze në Oslo të ënjten e kaluar.  Siç duket, Z. Stoltenberg paralajmëroi edhe disa vende anëtare të NATO-s, me regjime me prirje autoritare—siç është edhe Shqipëria, që të mbrojnë lirinë e demokracinë në vendet e tyre dhe të rrinë larg nga regjimet autoritare dhe të “mbrojnë interesat e tyre kombëtare.”  Prandaj, nëqoftse Shqipëria – si vend anëtar i NATO-s — është e interesuar të mbrojë lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, Tirana zyrtare do bënte mirë që të dëgjonte këshillën dhe paralajmërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, NATO, Z. Jens Stoltenberg, se pushtimi i

Ukrainës nga Vladimir Putin tregon pse vendet që e konsiderojnë veten demokratike duhet të jenë të kujdesshme në marrëdhëniet e tyre me vendet që, botërissht, njihen si regjime autokrate, tiranike dhe antidemokratike.  “Varësia tek regjimet autoritare është e rrezikshme”, parlajmëroi Z. Stoltenberg, vendet si Shqipëria, duke shtuar se një prirje e tillë është — jo vetëm kundër sigurisë së përbashkët, që është misioni kryesor i NATO-s – por është edhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve, Autokratët dhe tiranët përdorin tregëtinë për realizimin e objektivave të tyre politike, paraljmëroi lideri i NATO-s.

Fatkeqsisht, Shqipëria zyrtare por edhe disa elementë në Kosovë lakmojnë ende nga lindja – megjithse Kombi shqiptar ka vuajtur 500-vjetë nën pushtimin turk, gjysëm shekulli nën diktaturën më të egër komuniste sllavo-aziatike në Evropë, shkatërrimin e identitetit kombëtar nën revolucionin kulturor kinez.  Por edhe megjith varrët e freskëta e të pashëruara të luftës së fundit në Kosovë të terrorit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, e të tjera fatkeqsi ndërkombëtare të shqiptarëve nën sundimin ose influencën e tiranive të huaja – disa prej të cilave Tirana zyrtare i ka shpallur “partnerë strategjikë”.  Z. Stoltenberg e jkëshillon Tiranën dhe të tjerët me prirje autoritare lindore: duartë larg prej tyre.

Ndërsa, Shqiptarët e lodhur me sundimet e diktaturave të huaja ndër shekuj dhe nga influencat majtiste autoritare sllavo-azaiatike, po largohen masivisht – si në kohën e Gjergj Kastriotit -Skenderbe — drejtë Perëndimit. Ndërkohë që liderët e tyre politikë shikojnë gjithnjë nga lindja dhe flirtojnë me liderët më autoritarë që njeh sot bota mbi faqen e dheut, si Vuçiq, Erdogan, Putin, e të tjerë.   Për fat të keq, megjithëse, historikisht, Kombi shqiptar ka treguar gjithmonë dhe me shumicë prirjet dhe preferencat e tijë pro-perëndimore se është pjesë e Evropës dhe e perëndimit, liderët shqiptarë, prap se prap, nuk ndjekin dëshirat e Kombit të vet – por për interesa personale dhe anti-demokratike, andej shikojnë e lakmojnë – nga lindja – 30 e sav jet nga shmebja e Murit të Berlinit. Duket se atje në lindje, si ndjekës të autoritarizmit sllavo-aziatik, liderët shqiptarë sot e gjejnë veten më rehat në shoqërinë e autoritarëve dhe tiranëve të lartë përmendur që – sipas Z. Stoltenberg — po sjellin botën mbrapsht duke kërcnuar lirinë dhe demokracinë e popujve – se sa në rrethin e udhëheqsve perëndimorë, siç është Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s.

Liria e demokracia, por as atdhetarizmi i vërtetë as siguria e përbashkët perëndimore nuk promovohen me çanta grashë me flamurin shqiptar, me një çmim prej mijëra dollarësh, ose me orë zvicerane me portretin e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut. E vërtetë se Flamuri shqiptar është më i bukuri në botë (jo meritë e këtyre) dhe Gjergj Kastrioti – Skenderbe ishte Kryetrim dhe mbetet, jo vetëm, Kryetrimi dhe i Përgjithëmonshëm i Kombit shqiptar, por edhe Shpëtimtari i Evropës. I asaj Evrope nga e cila klasa aktuale  politike shqiptare po e largon gjithnjë e më shumë Kombin shqiptar, në favor të bërjes biznes me autokratët dhe tiranët sllavo-aziatikë të lindjes.  Po e largojnë Shqipërinë dhe shqiptarët nga Evropa e lirë e demokratike, ku e duan shumica dërmuese e shqiptarëve, por që klasa aktuale politike nga, dita në ditë dhe nga viti në vit, po e bën Shqipërinë pjesë të një aleance autoritarësh e tiranësh modernë lindorë – historikisht — pushtues e zaptues të tokave dhe shkatërrues të identitetit kombëtar të shqiptarëve ndër shekuj. Kombi shqiptar nuk ka pasur as nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe as me “kulturën” e këtyre tiranëve. Këta tiranë, autokratë, përfaqsues regjimesh diktatoriale të lindjes sllavo-aziatike, “Promovojnë vlerat që dhunojnë e shkelin besimin dhe vlerat tona të përbashkëta të lirisë e demokracisë”, në favor të “një rendi të ri botëror”, anti-demokratik — ishte paralajmërimi dhe thelbi i mesazhit të Sekretarit të Përgjithëshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg në Oslo, të ënjtën e javës që kaloi.

By admini