Sejdi Astafa me familjen e tij kujdeset për fermën me 70 dele dhe 20 lopë

Nga Gjekë Gjonaj

Numri i  kopeve të bagëtive  në zonën e Anës së Malit  vazhdimisht ulet për shumë arsye.  Me gjithë problemet e  shumta  me të cilat përballen çdo ditë  bujqit dhe blegtorët e kësaj zonë , me mbijetesën e fermave të tyre, ende ka të tillë, ndonëse   me numër simbolik, të cilët  merren me  bujqësi dhe blegtori , të cilat pas  turizmit   janë degët kryesore ekonomike të Komunës së Ulqinit.

Sejdi  Astafa nga fshati Selitë  në Anë të Malit , diç  më shumë se 2o kilometra larg Ulqinit,  ka një fermë me 20  lopë dhe 70 dele. Për fermën e tij kujdeset ai, bashkëshortja dhe tre fëmijët  e tij të grupmoshës  13-16 vjeç.  Të gjithë janë të angazhuar  dhe të  aftësuar për profesionin e bujkut dhe të blegtorit. Secili nga ata pa përtesë shtatë ditë të javës  kryejnë  punën  e vet në fermë, pa asnjë ditë pushim që   nga orët e hershme të mëngjesit e deri në mbrëmje vonë. Punë në fermë ka  shumë, sepse  siç pohon fermeri  i suksesshëm  Astafa, kultivimi i  kopeve të dhenve dhe  lopëve qumështore kërkon kujdes të veçantë e të vazhdueshëm dhe punë e mundim jashtëzakonisht të madh. Në fermën e tij ka mish dhe qumësht.   Familja Astafa prodhon pak më shumë se 200 litra qumësht në ditë , apo 6 deri në 7 mijë litra qumësht  në muaj.

Nuk prodhon kos, djath e gjizë, por qumështin ia shet Qumështores “ Srna” nga Nikshiqi, e cila çdo ditë  bën grumbullimin e qumështit dhe pagesën e rregullt  në fund të muajit. Blerja e produkteve të tij blegtorale  është e siguruar, por  ai me të drejtë ankohet  në rritjen e çmimeve të  karburanteve , ushqimit të kafshëve dhe pjesëve të tjera të nevojshme për  mbarëvajtjen e fermës.

“Me çmimet aktuale mezi mund të mbijetojmë. Qumështi është shtrenjtuar  pak  muajt e fundit ,por ende nuk  mbulon  shpenzimet e koncentrateve, Karburanti është gjithashtu i shtrenjtë”, thotë Astafa. Nuk ka prodhim të suksesshëm në industrinë e qumështit nëse nuk prodhohet edhe foragjere, prandaj ai prodhon rreth dy hektarë misër  dhe rreth 3 hektarë tërfil.

Sipas fjalëve të tij,  mbështetjen më të madhe e ka  nga Ministria e Bujqësisë së Malit të Zi, e cila për  çdo  vit i ndihmon dhe i stimulon  fermerët përmes subvencioneve të ndryshme.  Ajo çka paraqet  vështirësi për të gjithë fermerët  që aplikojnë përmes ministrisë përkatëse  për mjete nga fondet e ndryshme  shtetërore e evropiane  , pohon Astafa,  është procedura administrative e cila do të duhej dukshëm të lehtësohej.

Ky fermer punëtor  veçmas është i zhgënjyer në Komunën e Ulqinit, e cila  , siç shprehet ai, nuk i mbështet fermerët ulqinakë pothuaj aspak  me vite të tëra, për dallim nga  komunat e tjera në Mal të Zi.   Edhe pse klima në zonën e Anës së Malit  është e butë, ushqimi për kafshë  duhet të sigurohet për dimër, kështu që Astafa  ka  përgatitur  më shumë se 4 mijë dënga  me sanë  për fermën e vet.

Këtë vjeshtë, ai kultivoi disa hektarë tokë. “Nuk është e lehtë, sidomos kur kostot e prodhimit po rriten, por duhet të punosh në fshat, thotë Astafa.

By admini