Të dyja palët kanë bërë një hap të madh para

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat të mërkurën.

DASH ka thënë se është bërë një hap i madh para, ndërsa ka inkurajuar palët të vazhdojnë me negociata konstruktive për të arritur deri te një normalizim i përgjithshëm i marrëdhënieve, shkruan Koha Net.

“SHBA-ja mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me masat për të evituar përshkallëzimet e mëtutjeshme. Ne përgëzojmë dakordimin e dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve, nën mbikëqyrjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbështesim dialogun e ndihmuar nga BE-ja, si rruga më e mirë për ta avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Ne e mirëpresim vendimin e palëve për të vënë interesin e gjithë njerëzve në rend të parë të vendimmarrjeve të tyre dhe të marrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Dyja palët kanë bërë një hap të madh para sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin. SHBA-ja përshëndet negociatat konstruktive dhe inkurajon përparim të mëtutjeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price.

E këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për konstruktivitetin. 

“Bisedë e mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. E kam falënderuar për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge para për të depërshkallëzuar tensionet dhe angazhuar për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin e mbështet fuqishëm SHBA-ja”, tha Chollet.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Përparim Kryeziu ka thënë se marrëveshja e arritur të mërkurën në Bruksel është në harmoni me kërkesat e ditës së hënë që ka pasur Kosova, transmeton Telegrafi.

Kryeziu ka thënë se palët janë pajtuar që plotësisht të koncentrohen dhe angazhohen në propozimin e njohur si Franko-Gjerman drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

“Me marrëveshjen e sontshme palët janë pajtuar që plotësisht të koncentrohen dhe angazhohen në propozimin e njohur si Franko-Gjerman drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Ky ishte edhe insistimi i Kosovës në takimet e të hënës. Tash e tutje flasim për marrëveshje”, ka shkruar Kryeziu duke ia bashkangjitur edhe një prononcim të Kurtit.

Poashtu kryenegociatori i Republikës së Kosovës Besnik Bislimi u deklaru mbrëmë pas takimit me homologun serb të udhëhequr nga përfaqësuesit e BE-së. Bislimi tha se Serbia pas kësaj marrëveshjeje do të ndalojë regjistrimin dhe riregjistrimin e veturave kure Kosova suspendon vendosjen e gjobave.

By admini