Nga Gjekë Gjonaj

Plazhi i Madh i Ulqinit prej sot   është pasuruar me afro  4.000  pisha   të cilat i kanë mbjellur nxënësit  vullnetarë  dhe dashamirët e tjerë të mjedisit .  Ky aktivitet u zhvillua në Plazhin “Safari”  falë  Agjencisë  Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar , e cila është donator kryesor i këtij aksioni dhe Ministrisë së  Mbrojtjes së Malit të Zi , respektivisht  Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.  

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari falënderoi  Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar   për këtë donacion  të rëndësishëm, i cili ka për qëllim zhvillimin ekologjik të kësaj komunë,  e  cila  ndoshta  ka potencialin më të madh  të jetë  komunë  vërtetë ekologjike në  Malin e Zi  si shtet ekologjik. “ Kjo është një ditë e madhe për Komunën e Ulqinit, një ditë e rëndësishme, sepse  me  këtë dhe aksione të tjera që do të organizojmë  Ulqini do të  jetë një  vend i preferuar dhe i bukur për  qytetarët e tij dhe turistët”, u shpreh Bajraktari.

Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme , Miodrag  Veshoviq  falënderoi Agjencinë    Japoneze  për këtë donacion  i cili , siç u shpreh ai,  do  t’i  sistemit tonë në luftën  për zvogëlimin e rreziqeve nga  fatkeqësitë.  Ky aksion në mbjelljen e pishave  në Plazhin e Madh në Ulqin, theksoi ai, është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Komunën e Ulqinit, por edhe për Malin e Zi, i cili po ashtu do të përfshihet në  këtë projekt, përmes mbjelljes së 6.000 pemëve.

Përfaqësuesja e  Ndërmarrjes për Menaxhimin e të Mirave Detare,  Bojana Tesheviq shprehu kënaqësinë që  janë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm për shoqërinë tonë. “Vetë projekti për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë është i nevojshëm për ne, për të ruajtur mjedisin dhe na vjen mirë që filloi me zgjidhjen e problemit të zjarrit, sepse e dimë se është një problem me të cilin Mali i Zi përballet çdo verë”, pohoi Tesheviq.

Në këtë aktivitet  foli edhe  Armin Mujeviq, drejtor i Drejtorisë  për Menaxhimin e Pyjeve dhe Gjuetisë së Malit të Zi, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij aksioni në parandalimin  e fatkeqësive  dhe  ruajtjen e biodiversitetit.

Lideri i projektit “ Dita e  mbjelljes-  Le të mbjellim pemën tonë” ,  Yuta Morikawa njoftoi të pranishmit me  menaxhimin  dhe strukturat e ekosistemit bregdetar. “ Qeveria e Malit të Zi ka kërkuar mbështetje  nga qeveria japoneze për promovimin e  menaxhimit të zjarreve dhe reduktimit të rrezikut nga  fatkeqësitë  bazuar në ekosistem.” Ulqini u zgjodh si një nga  vendet   më të mira  për  aktivitete të këtilla ekologjike, sepse  Plazhi i Madh në Ulqin ka ende pyjet bregdetare të cilat janë mbjellë në kohën e Jugosllavisë , të cilat  po zvogëlohen për shumë arsye dhe disa prej tyre janë zhvillimi i turizmit”, tha Morikawa. 

By admini