Nisur nga imperativi i zhvillimit të qëndrueshëm të Komunës së Tuzit dhe mbrojtjes së interesit nacional të shqiptarëve në Mal të Zi përmes veprimit të partive shqiptare, Alternativa Shqiptare (ASH), Lidhja Demokratike Shqiptare (LDSH) dhe Unioni Nacional Shqiptar (UNSH) kanë lidhur, te enjten , me 17 nëntor 2022, dy marrëveshje, kështu thuhet në një kumtesë për opinion të kryetarit të Komunës së Tuzit dhe njëheri edhe i subjektit politik Alternativa Shqiptare, transmeton Ulqini Online.

  1. Marrëveshjen për Koalicion Parazgjedhor në Komunën e Tuzit e kanë nënshkruar tre udhëheqësit lokalë të këtyre partive: për ASH – në z. Lindon Gjelaj, për LDSH-në z. Ivan Ivanaj dhe për UNSH-në z. Fadil Kajoshaj.
    Në të janë përfshirë të gjithë parametrat për qeverisje stabile e kompetente lokale, duke respektuar forcën politike të secilit nga subjektet nënshkruese, por duke pasur në plan të parë vazhdimin e bashkëpunimit brenda Forumit Shqiptar, në të mirë të zhvillimit të hovshëm, që, tashmë, hetohet në të gjitha pjesët e Malësisë.
  2. Marrëveshjen për Koalicion Parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që ato te ndodhin, e kanë nënshkruar udhëheqësit e tri partive, zotërinjtë Nik Gjeloshaj, Nikollë Camaj e Ferhat Dinosha.

    Ata e kanë parë të udhës që në momentin e pikërishëm të krizës politike në Mal të Zi partitë shqiptare të jenë sa më të bashkuara e me sa më shume mandate, për të mbrojtur jo vetëm interesin e shqiptareve, por edhe të arriturat në proceset e deritashme demokratike në Mal të Zi, sidomos anëtarësimin e tij në NATO, rrugën për në BE dhe marrëdhëniet e mira me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës.

    Nënshkruesit janë dakord që politikave proruse që janë të pranishme në Mal të Zi t’u ngushtohet hapësira e veprimit, sa më shumë që të jetë e mundur, në bashkëpunim me forcat properëndimore.
    ASH,LDSH dhe UNSH i kanë dyert e hapura për ato parti shqiptare të cilat dëshirojnë t’u bashkohen në cilindo nivel te koalicionit.

By admini