Vera përfundoi, por jo edhe pushimet. Edhe pse temperaturat kanë shënuar një rënje të lehtë javën e tretë të shtatorit në Ulqin, ka një numër relativisht të mirë mysafirësh të regjistruar nga vende të ndryshme të rajonit. Sipas të dhënave të sotme të Organizatës Turistike të Ulqinit, aktualisht në këtë qytet po qëndrojnë 4.139 mysafirë . Afro 98 për qind e tyre janë mysafirë të huaj kurse vetëm 2 përqind janë vendas. Numri më i madh i tyre pushon në akomodime private 2.923, në hotele 1.137, në kampe 76, ndërsa në pushimore 3 turistë. Ata shprehen se kanë zgjedhur pikërisht të pushojnë në muajin shtator pasi preferojnë kohën e freskët, qetësinë, detin më të pastër, por edhe çmimet që janë pak më të ulëta sesa në pikun e sezonit.
Siç njofton korespondetni ynë Gjekë Gjonaj, një turist i ardhur nga Kosova, i cili nuk dëshiron t’i përmendet emri, shprehet i kënaqur me Ulqinin, të cilin e ka vizituar edhe sezonin e kaluar.
”Jemi prej tri ditësh këtu dhe nesër do të kthehemi në vendin tonë. Moti është i mirë, deti i mrekullueshëm. Gjithçka është shumë mirë këtu, duke filluar nga qetësia, ushqimet, shërbimet , por çmimet edhe pse janë ulur pak, janë të larta për këtë kohë”, deklaroi ai. /rtcg/