Presidenti amerikan nominon për ambasador në Mal të Zi shqiptarin Bix Aliu

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nominuar për ambasador për Malin e Zi, diplomatin kosovar, Bix Aliu, emri i vërtetë i të cilit është Begzat Azem Aliu.

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë të premten, Aliu është anëtar karriere i Shërbimit të Lartë të Jashtëm, klasa ministër-këshilltar.

“Aliu së fundmi ka shërbyer si i ngarkuar me punë, ad përkohshëm i ambasadës së SHBA-së në Budapest, Hungari. Para kësaj, ai ishte zëvendësshef i misionit të ambasadës së SHBA-së në Poloni dhe ishte i ngarkuar me Punë, ad përkohshëm gjatë gjithë vitit 2021. Më parë, Aliu ishte konsull i përgjithshëm i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-së në Krakov dhe u dekorua me medaljen ‘Honoris Gratia’ , nderimi më i lartë i qytetit, për avancimin e tij të rëndësishëm të lidhjeve ekonomike dhe kulturore midis Shteteve të Bashkuara dhe Krakovit”, thuhet në përshkrimin e Shtëpisë së Bardhë për Aliun.

Detyrat e tjera të Aliut përfshijnë shërbimin si zëvendësshef i misionit të ambasadës së SHBA-së, në Podgoricë, Mali i Zi, oficer i diplomacisë publike në Tiranë, Shqipëri etj.

Shtëpia e Bardhë njofton se Aliu ka një diplomë mjekësie nga Universiteti i Prishtinës, dhe një diplomë master i studimeve strategjike, nga Kolegji i Luftës së Ushtrisë Amerikane në Carlisle, Pensilvani.

Aliu është fitues i çmimeve të shumta për performancë nga Departamenti i Shtetit dhe flet gjuhën malazeze, polake, serbo-kroate, maqedonase dhe shqipe.

/KOHA NET/

By admini