Me 50 vota për është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviq. Mocioni ishte iniciuar nga partia e Millo Gjukanoviqit, DPS, pasi Abazoviq kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Seanca për shkarkimin e Qeverisë Abazoviq zgjati afro 13 orë, ndërsa pati debat të shumtë.

Është ende e paqartë nëse presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do t’ia jap të drejtën një shumice të re për të formuar qeverinë, apo nëse do të formohet një qeveri teknike që do të qëndrojë për pak muaj që të përgatitet vendi për zgjedhjet e reja.

Në votim morën pjesë 51 deputetë. Përfaqësuesit e Frontit Demokratik dhe ata të listës E Zeza mbi të Bardhën dhe Partitë Popullore Socialiste dolën nga salla në momentin e votimit të mosbesimit.

Qeveria e Abazoviqit ishte e 43-ta e Malit të Zi.

Abazoviq ishte zgjedhur kryeministër i Malit të Zi më 28 prill. Ai ishte kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi.

Në fjalimin përfundimtar Abazoviq tha se shpreson sa më shpejt të formohet qeveria e re dhe se presidenti t’i japë mandatin dikujt nga “shumica e sotme” për të formuar kabinetin.

“Nëse nuk ndodh, nuk është seriozitet dhe e keni shtyrë vendin në destabilitet. Mali i Zi, me shumë vështirësi, po kalon në nivel të demokracisë – më 30 gusht u fitua liria, tani disa ishuj më të vegjël lirike, dhe kjo është e rëndësishme”, tha Abazoviq.

Ai tha se është fakt se Qeveria po bie me ndihmën e disa forcave opozitare që nga “sonte mund të mos jenë”.

“Besoj se DPS më nuk do të formojë asnjë qeveri. Ata njerëz që janë brenda qeverisë dhe punojnë për struktura të caktuara me qëllim të destabilizimit, ata nuk do të kenë më atë mundësi. Jam i sigurt se disa do t’i japin fund karrierës së tyre politike, kjo është e mirëseardhur. Mendoj se do të shënojë një fillim për të gjithë Malin e Zi”, ka thënë Abazoviq.

Abazoviq u ka bërë thirrje “shumicës së re” që të mos ndihmojnë në ndalimin e luftës kundër krimit të organizuar.

“Nuk kam qëndrim negativ ndaj kujtdo që deklarohet në asnjë mënyrë, por mendoj se nga sonte do të nisin disa beteja të reja politike dhe jam i lumtur që në një atmosferë kaq të këndshme zgjedhim dhe zëvendësojmë qeveritë për të mirën e Malit të Zi. Të jetojë Mali i Zi evropian, civil dhe eokologjik”, tha Abazoviq.

Në fjalimin e më hershëm Abazoviq tha “ose do të zhduket ai nga skena politike ose Millo Gjukanoviq”.

/Koha Net/

Bie Qeveria e Dritan Abazoviqit

By admini