Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi mbrëmë se Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai gjatë takimit në Uashington me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ka thënë se dy shtetet kanë një histori të gjatë, teksa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës pas agresionit rus.

“Kosova është partnere e palëkundur dhe e rëndësishme e SHBA-së. Ne jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-të dhe shtetin tuaj. SHBA mbështesin integrimin e Kosovës në proceset euroatlantike dhe ndërkombëtare. Ju falënderoj edhe një herë që i keni mirëpritur afganët dhe që kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën. Keni punuar edhe në aspektet tjera, të cilën gjë e çmoj. Presidente e çmoj lidershipin tuaj. Nesër do të nënshkruani kontratën me MCC për energji. Kemi bashkëpunuar për të gjitha këto çështje dhe kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale”, ka thënë Blinken.

Ndërsa, presidentja Osmani deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe se do të punojnë me SHBA dhe vendet tjera demokratike që pozita ndërkombëtare e vendit tonë të forcohet edhe më tej duke marrë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik.

“Kosova është demokraci në zhvillim. Ashtu sikurse keni qëndruar pranë nesh, ne sot qëndrojmë me Ukrainën. Dëshiroj t’ju siguroj në emër të Kosovës që populli i Kosovës gjithashtu qëndrojnë me Ukrainën sikurse e kemi treguar kur kemi miratuar sanksionet në ditën e njëjtë kur ato i kishin miratuar edhe SHBA-ja dhe BE-ja, dhe gjithashtu u kemi bërë thirrje të gjitha shteteve që të bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Osmani.

Për më tepër, presidentja Osmani në takim me Blinken ka përmendur edhe përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Ajo në këtë drejtim tha se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë aleate e fuqishme e SHBA-së. /Mekuli/

By admini