Në kuadër të mbledhjes së Komunitetit të Transportit, Ministri i mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastruktures të Republikës së Kosovës z. Liburn Aliu zhvilloi takim në Portin e Tivarit, me ç’rast, siç shkruan ai në një post të tij në rrjetin social, i dorëzoi presidencën tek zëvendës kryeministri i Malit të Zi, njëherazi ministri për Investime Kapitale të këtij shteti, z. Ervin Ibrahimoviq, shkruan Ulqini Online.
‘’Me Z. Ibrahimovic, po ashtu diskutuam për ide të shtimit të rrugëve komunikuese mes dy vendeve tona, me theks të veçantë për tunelin Rozhajë – Pejë si dhe rrugën Deçan – Plavë, për të cilat projekte, ndamë bindjen dhe interesin e përbashkët që t’i shtyejmë përpara e t’i konkretizojmë në bashkëpunime dypalëshe’’, shkruan ndër të tjerave ministri i Kosovës Librun Aliu.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e z. Liburn Aliu.
Në kuadër të mbledhjes së Komunitetit të Transportit, sot zhvillova takim në Portin e Tivarit , me ç’rast dorëzova presidencën tek zëvendës kryeministri i Malit të Zi, njëherazi ministri për Investime Kapitale të këtij shteti, z. Ervin Ibrahimović.
E urova për detyrën e re që ka marrë, duke i dëshiruar sukses në punët që po e presin. Me të biseduam për angazhimet dhe prioritetet e qeverisjes tonë në çështje që lidhen me transportin, për modernizimin dhe funksionalizimin e hekurudhave që na lidhin me porte të rëndësishme detare, kryeqytete, dhe korridore të rëndësishme evropiane, si dhe për projekte të tjera që e lidhin turizmin me ekonominë.
Theksova se jemi plotësisht të përkushtuar për zhvillim ekonomik, në një fqinjësi sa më të mirë dhe afrimin mes dy vendeve tona. Mirëpo, duke u gjendur në Tivar, nuk mund ta lija pa e përkujtuar “Masakrën e Tivarit”. Është detyrë e jona ta mbajmë këtë kujtesë e dëshmi të historisë, që mund ta ndalim sa të mundemi përsëritjen e krimeve të ngjashme në cilëndo trevë të rruzullit. Le të na shërbejë ky përkujtim si nxitje për të vendosur drejtësi.
Me Z. Ibrahimovic, po ashtu diskutuam për ide të shtimit të rrugëve komunikuese mes dy vendeve tona, me theks të veçantë për tunelin Rozhajë – Pejë si dhe rrugën Deçan – Plavë, për të cilat projekte, ndamë bindjen dhe interesin e përbashkët që t’i shtyejmë përpara e t’i konkretizojmë në bashkëpunime dypalëshe.