Të premten në Ulqin u organizua Panairi Ndërkufitar i të Rinjve ”Rrugët e zhvillimit të karrierës në sektorin e turizmiti cili mblodhi së bashku nxënës nga Shkolla e Mesme e Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër. Panairi synoi të sjellë bashkë të rinjtë dhe punëdhënësit nga rajoni ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri, duke krijuar kështu mundësi për bashkëbisedim dhe hapësira të reja për aftësimin dhe punësimin e të rinjve në sektorin e turizmit.
Aktiviteti u organizua në një format miqësor ku të rinjtë nga Ulqini dhe Shkodra patën mundësi të krijojnë kontakte dhe shkëmbejnë eksperienca me njëri tjetrin, të shpalosin aftësitë e tyre krijuese, të prezantojnë potencialet turistike të rajonit ndërkufitar përmes katalogëve dhe broshurave si dhe të promovojnë specialitetet e kuzhinave tradicionale të të dy qyteteve. Të rinjtë po ashtu patën mundësi të komunikojnë me biznese të ndryshme për të eksploruar mundësitë e angazhimit gjatë stinës së verës.
Të rinjtë nga Ulqini prezantuan në këtë panair broshurën turistike “ULQINI, natyrë dhe lashtësi”
Vizitorët e pranishëm në panair, përveç koordinatorëve të projektit Nazif Velqi dhe Mirela Sokoli, i përshëndetën edhe Aleksander Daboviq – Kryetari i Komunës së Ulqinit; Aleksandra Gardasheviq Slavulica – drejtoreshë e përgjithshme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit; Milijana Vukotiq Jellushiq – drejtoreshë në Drejtorinë për Qeverisje të Mirë në Ministrinë e Administratës Publike; Miliana Daboviq nga Qendra e Arsimit Profesional të Malit të Zi; Gëzim Hajdinaga – drejtor ii Organizatës Turistike të Ulqinit si dhe znj. Shqiponja Gjeka nga Zyra e Punës në Ulqin.
Ky aktivitet vjen pas 18 muajve pune intensive me mbi 100 të rinj nga Ulqini dhe Shkodra, të cilët kanë ndjekur cikle trajnimesh edukative mbi punësueshmërinë dhe sipërmarrjen sociale në sektorin e turizmit; realizuan praktikat e punës në bizneset lokale, ndoqën kurset profesionale në fushat e marketingut digjital, menaxhim biznesi, shkrim projektesh, etj, duke e finalizuar këtë proces me hartimin ideve të biznesit dhe fillimin e realizimit të tyre.
Panairi i punës për të rinjtë u realizua në kuadër të projektit “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit ndërkufitar IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave e Malit të Zi. Projekti zbatohet nga organizata World Vision Albania në partneritet me OJQ Horizonti i Ri, si dhe shkollat e mesme “Vëllazërim-Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra. Projekti bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.