
Forca e re demokratike në këto zgjedhje lokale në Ulqin erdhi pas ndryshimeve që ndodhen në këtë parti. Me ardhjen e Genci Nimanbegut në krye të Forcë dhe me formimin e strukturave kryesisht me kuadro të rinj duket se ka lëvizje ose dëshirë për diçka të tillë pasi hapat në vazhdimësi do të kuptimësojnë çdo gjë, shkruan Ulqini Online.
Rezultati i Forcës në këto zgjedhje nuk ishte ai që pritej në këtë parti nga vet udhëheqësit e saj.
‘’Ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin tonë i cili është i ulët jo vetëm për shkak të sulmeve që na janë bërë nga të gjithë dhe për shkak të garës se pandershme në shkelje me rregullat e lojës, por edhe për shkak të gabimeve apo lëshimeve tona’’, kështu do të deklaronte Genci Nimanbegu mënjëherë mbrëmjën e së dieles pas zgjedhjeve lokale në Ulqin.
Forca në parlamentin e ri të Ulqinit do të ketë 5 këshilltarë por rezultati i subjekteve tjera dhe raportet në mes tyre bënë që pesha e këshilltarëve të Forcës të jetë vendimtare në formimin e qeverisjes së re. Tri janë mundësitë e Forcës dhe të tre këto mundësi përfundojnë me pjesëmarrjen e saj në qeverisjen lokale të komunës sonë.
Kryetari i Forcës Genci Nimanbegu pas zgjedhjeve ka deklaruar se prioritare do të jetë biseda me subjektet politike shqiptare. Edhe pse subjektet politike shqiptare së bashku kanë 17 këshilltarë, numër i mjaftueshëm për formimin e shumicës së re dhe pse si numër paraqet minimumin historik nga fillimi i sistetmit shumëpartiak në Mal të Zi, një gjë e tillë është pothuajse e pamundur. Kundërthëniet në mes subjekteve politike shqiptare janë të tilla dhe mundësia që subjektet shqiptare të bashkohen për qeversije me Ulqinin është shumë e vogël.
Mundësia e dytë për Forcën është që ti bashkangjitet tashmë listave të deklaruara për bashkëpunim, koalicionit UDSH – LD në MZ dhe koalicionit DPS – Partia bosnjake të cilat së bashku kanë 12 këshilltarë dhe me 5 këshilltarët e Forcës mund të bënë shumicën. Në këtë pike Forca ka pak problem edhe atë me hapin e ndërmarrë vet nga ky subjekt vitin e kaluar. Në pranverën e vitit të kaluar Forca ka dalur nga koalicioni që kishte mu me këto subjekte në qeverisjen lokale. Nimanbegu në konferencën pas zgjedhjeve të së dieles ka akuzuar edhe haptazi për asfaltime e ndërtime elektorale në kohë fushate.
Mundësia e tretë dhe e fundit për Forcën është që të hy në koalcioni paszgjedhor me koalicionin ‘’Fillimi i ri’’ i cili në zgjedhjet e së dieles ka fituar 14 këshilltarë dhe me Forcën do të kishin numër të mjaftueshëm dhe pushtet stabil sa i përket numrit të shumicës qeverisëse. Gjatë fushatës ka pasur sulme të vogla në mes këtyre dy grupacioneve por qe si duket kanë qenë mjaft të matura dhe jo në atë masë sa të mbyllen dyert e bashkëpunimit.
Nga të gjitha këto, Forca ka forcë dhe si duket është e dënuar të jetë në qeverisjen lokale në Ulqin.