
Sot paradreke kandidati për kryetar komune dhe bartës i listës së koalicionit “Për një Fillim të Ri” Omer Bajraktari kishte dalur me një kumtesë ku pretendon se Forca dhe PDS nënshkruan një marrëveshje sekrete.
“Në skenën politike të Ulqinit vërehet bashkëveprimi i dy listave politike të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe Forca e Re Demokratike (Forca), të cilat padyshim kanë bërë një marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi. Ndonëse e mirëpresim “armëpushimin” ndërmjet tyre, që vjen pas largimit të Forcës nga pushteti lokal një vit më parë, i porosisim se marrëveshjet e tyre janë të kota sepse së bashku do të pësojnë një debakël të thellë zgjedhor. Për momentin, pushteti është vetëm një ëndërr për ta”, tha Omer Bajraktari, kandidat për kryetar komune dhe bartës i listës së koalicionit “Për një Fillim të Ri”.
Bajraktari thekson se gjatë ditëve të kaluara, në të ashtuquajturat debate publike në një televizion partiak, qytetarët kishin mundësi të shohin sinkronizimin e forcave ndërmjet këtyre dy listave humbëse. Prandaj, sipas tij, nuk befason shkalla e lartë e pajtueshmërisë që ato tregojnë për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit, sepse bëhet fjalë për aleatë të kahershëm.
“Koalicionin e Forcës dhe PDS-së e bashkon vetëm xhelozia dhe urrejtja ndaj një njeriu me të cilin krenohet Ulqini dhe çdo njeri që e donë të vërtetën – Dr. Dritan Abazoviqit, i cili është kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi. Mendojmë se është me rëndësi të njoftojmë qytetarët e Ulqinit dhe shumë votues të Forcës për faktin se partia e tyre ka nënshkruar marrëveshje sekrete me PDS-në, të vetëdijshëm se votuesit e Forcës nuk e përkrahin marrëveshjen politike me partinë që e shkatërroi Ulqinin”, tha Bajraktari.
Bajraktari konkludon se do të ishte e ndershme dhe e drejtë që lidershipi i Forcës t’ia sqarojë këtë fakt qytetarëve në mënyrë transparente, sepse nuk është bukur të lidhen marrëveshje të fshehta, kundër vullnetit të votuesve të vet.
I menjehershëm është reagimi nga Forca e Re Demokratike. Rrenat e Ujedinjena reformska akcija dhe praktikantit politik Omer Bajraktarit, kështu e fillon kumtesen për opinion kryetari i Forcës Genci Nimanbegu.
Kumtesen e plotë të Nimanbegut mund ta lexoni më poshë.
Një personazh kalimtar politik që pretendon të bëhet kryetar i Komunës së Ulqinit e një kandidati rezervë, sot del me kumtesë e përmbledhje shpifjesh në stilin e shërbimeve të cilat i kryeson dhe koordinon kryetari i „Ujedinjena reformska akcija”. Vetëm këto struktura mund të shpifin e rrejnë njerëzit e ndershëm të kësaj komune.Konstatojmë me keqardhje që kandidati për kryetar të Komunës së Ulqinit rrenë haptas dhe shpif.
Por nuk na çudit, sepse ju nga „Ujedinjena reformska akcija” gënjeni që jeni urë, sepse i keni djegur të gjitha urat pas vetes. Këtë dëshmon rrena që Krivokapiqi është çlirimtar i Malit të Zi, e sot nuk leni gjë pa thënë për të. Nuk na habit nga “game changer”-i i cili luan me të gjithë dhe ndërron lojën orë e çast, si të fryjnë era.
Keni pasur dashuri me Beçiqin dhe tani jeni kundërshtarët më të mëdhenj. Keni pasur dashuri me Frontin Demokratik dhe tani ata janë të joshur me funksione “po dubini”.
Për fat të keq, kjo qenka vazhdim i punës suaj që çka do që merrni në dorë e shkatërroni. Kujtojmë Pozitivna Crna Gora: keni mashtruar që me Pajoviqin do të ndryshoni Malin e Zi. Sot kjo është parti e fikur.
Me secilin që keni bashkëpunuar jeni ndarë me të këqija. E për të „çliruar Malin e Zi”, keni pasur guximin për të njollosur edhe besën e shqiptarit!
Forca nuk bën marrëveshje të fshehta me askënd!
Marrëveshjet e fshehta i keni bërë ju me Gjukanoviqin nga nëntori i vitit të kaluar në shumë vende e takime dhe si duket edhe në Dubai. Kurse publikun me mediat tuaja e keni mashtruar që nuk ka marrëveshje me Gjukanoviqin e që Qeveria e Krivokapiqit do të zgjasë deri në 2024. Marrëveshjet tuaja i dëshmoi marrëveshja për qeverinë e pakicës.
Dhe në fund, sa për njoftim, pas zgjedhjeve, Forca të hënën do të ketë kryetarin e Komunës të dakorduar me partitë shqiptare. E ju nëse e doni kryetarin, shkoni me DPS si për Qeverinë pakicë!
Nëse nuk ecim ndershëm dhe drejtë, jemi të humbur. Me kaq u demaskua fillimi juaj i ri.
Kryetar,
Genci Nimanbegu