Nga Hera Kurti*

Më pëlqen Shkodra. Më pëlqejnë rrugët e ndërtuara me shumë kujdes. Më lë përshtypje teatri dhe shfaqjet e ndryshme të cilat gjallërohen dhe marrin jetë në skenën e madhe. Më pëlqen kur ndodhem brenda, e shoqëruar me të emocionet e audiences por gjithashtu edhe kur gjindem jashtë në rrugët e Shkodrës pas shfaqjeve. I adhuroj libraritë, të vendosura sa aty-këtu, të vogla por të rëndësishme. Më tërheqin vëmendjen hapësirat e shumta në rrugët e gjëra për vozitjen e biçikletave. E dua Shkodrën.

E dua Shkodrën, ndoshta po aq sa edhe Ulqinin. Me aq shumë ngjajshmëri, po me aq shumë diferenca. Syri i njeriut nuk përcepton të njëjtat pamje nga këto dy qytete. Ulqini, me të vërtetë, është një qytet madhështor, por a jemi ne në gjëndje ta lëmë bukurinë e tij të vërtetë të shndris? Kemi ajër të freskët nga deti i hapur, ajër i cili gjallëron trupin dhe zemrën e një njeriu. Por nuk kemi një park të vetëm, një park në të cilin do mund të çlodheshim nga mësimi dhe stresi i një ditë apo edhe një jave. Kemi hapësira pa mbarim, të panumërta, por nuk kemi të paktën një rrugë për vozitjen e biçikletave. Sa herë që dalim për një vozitje të shkurtër biçiklete, me dëshirën që ti lëmë pas mendimet pesimiste dhe ti largohemi realitetit shpesh të trazuar, kaplohemi nga frika e makinave.

Na mungon kinemaja e qytetit, në të cilën do mundeshim të shijonim filma të lëmive të ndryshme, së bashku me të afërmit dhe shoqërinë tonë. Ti lëmë pas obligimet e jetës së përditshme dhe ta lëmë imagjintën tonë të na shpie larg ashpërsisë së realitetit. Për disa çaste të vetme, do mundeshim të ishim heronjtë e historisë dhe shpëtimtarët e ditës.

Kemi palestra pa fund për aktivitetet fizike, por asnjë librari të vetme për pak gjimnastikë mendore. Aty ku do të zhytemi thellë ne botën e librave, aty ku paraja do shpenzohet e shoqëruar nga buzëqeshjet e qëndisura në fytyrat e njerëzve, aty ku fjalët e çmuara nga libri do mbesin në kujtesën tonë dhe do ndryshojnë këndvështrimin ndaj temave të ndryshme, ndoshta edhe përgjithmonë.

Këto janë gjëra të thjeshta, mbi themelet e të cilave ndërtohen kultura e një populli. Ato nuk kërkojnë shumë, vetëm pak përkushtim të zjarrtë të qytetarëve dhe udhëheqësve. Po aq sa mërzitem nga këto mungesa, më gëzojnë dhe më bëjnë krenare vlerat e qytetit tim. Krenohem për Kalanë e Ulqinit, për qytetin antik të Shasit, për ullishtat mijëvjeçare, për plazhet mahnitëse, për liqenin e Shkodrës dhe pamjen e tij nga Kraja, për Kriporen e Ulqinit, për shumë njerëz të mëdhenj që ka lindur qyteti im, krenohem për shumë e shumë vlera të tjera.

Dhe krejt në fund, këti Viti të Ri, jo si të tjerët, nuk është bora e mëndafshtë apo babagjyshi trashaluq që po trokasin në dyert tona, por është akoma armiku i frikshëm që na trazoi gjatë vitit që po lëmë pas. Këtë Vit të Ri, përveç dëshirës për shuarjen e kësaj pandemie që e rrëmbeu botën si me stuhi, lista e dëshirave është e mbushur përplotë, vazhdon pa mbarim dhe ne jemi duke shpresuar që këto dëshira të realizohen.

*nxënëse e dalluar e Gjimnazit të Ulqinit

Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini