Nga Gjekë Gjonaj

Viti i ri shkollor në Shkollën Fillore “ Bedri Elezaga” në Katërkollë nisi sot  mbarë   në kushtet e kufizimeve prej pandemisë-me maska, matje temperature , dezinfektim duarsh dhe mjedisesh, me orë të shkurtuara mësimore  prej 30 minutash  e rekomandime të tjera mbrojtëse  të autoriteteve shëndetësore e arsimore. Me virusin  corona ende në qarkullim për 44 nxënës fillestarë u organizua një pritje e veçantë, e cila me siguri do t’u lënë mbresa të pashlyera në jetën e tyre shkollore.   Ata të veshur bukur e të buzëqeshur  u mirëpritën  duar hapur nga mësimdhënësit  e shkollës  në një atmosferë  festive e të gëzueshme dhe në një ambient të bukur  shumëngjyrësh. Moment i posaçëm mbresëlënës për ta dhe  gjest i bukur simbolik gjithsesi ishte   veprimi simbolik i ndarjes për herë të parë të  fletë mirëseardhjeve  në shkollë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit, të shkollës,   Mustafë Bardhi, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e mësimit në kushte të pandemisë dhe se  viti shkollor filloi mbarë e pa problem.  

“Sa i përket shkollës sonë, e cila sivjet numëron  394 nxënës ,  çdo gjë ka filluar me kohë, mbarë, dhe nuk kemi pasur telashe më në fund as teknike. Shkolla është e përgatitur mjaft, kemi hapësirë të mjaftueshme, në fakt punojmë me dy ndërrime. Turni i paraditës po shkon shumë në rregull. Nxënësit  janë këtu. Temperaturën ua kemi matur dhe të gjithë e kishin të përshtatshme për shkollë.  Mësimi po shkon me rregull dhe kështu do të jetë edhe në ndërrimin e dytë. Brenga jonë është që t’i ruajmë të gjithë fëmijët të mos infektohen gjatë qëndrimit në shkollë. Ndërkohë që katër mësimdhënës munguan sot nga procesi mësimor për shkak se kohë më parë  kanë rezultuar pozitiv me këtë virus. Tre nga ata janë në izolim , kurse tjetri ndodhet  në spital. Të gjithë  janë zëvendësuar nga kolegët e tyre kështu që  nxënësit do të vijojnë normalisht  mësimin derisa besojmë të shërohen me sukses dhe të  rikthehen sa më parë në shkollë”, pohon Bardhi.  

Ai shton se  një pjesë e konsiderueshme e nxënësve veç janë pajisur me tekste  shkollore falas të cilat sivjet ua ka siguruar Qeveria , ndërsa të tjerët do të furnizohen gjatë ditës së nesërme. I pyetur se a janë të përgatitur për mësimin në distancë, në rast se përkeqësohet situata epidemiologjike   Bardhi  u përgjigj  pozitivisht. “Sinqerisht  shpresoj se   nuk do të vijë deri tek ajo. Ne jemi të përgatitur edhe për këtë formë mësimdhënieje, pasi kemi përvojë nga periudha e kaluar më se njëvjeçare. Prandaj   as mësimi në distancë nuk mund  të na befasojë”, shprehet  Bardhi.  

Urojmë që atmosfera e sotme e punës, entuziazmi i mësimdhënësve dhe buzëqeshjet e nxënësve dhe të prindërve të vazhdojnë  deri në  mbylljen e  këtij viti  shkollor me mjaft  sfida e të panjohura.  

By admini