Nga Gjekë Gjonaj
Përmbysjet që s’kishin fuqi t’i bënin perandoritë më të mëdha të botës e as regjimet më të egra të kohës i bëri një sëmundje-virus misterioz i frymëmarrjes me origjinë të panjohur në qytetin Vuhan të provincës kineze Hubei, më 31 dhjetor 2o19. Me shfaqjen për herë të parë të këtij koronavirusi të ri ( COVID-19) në të gjitha vendbanimet me popullatë shqiptare në Malin e Zi, sikurse në gjithë botë, solli ndryshime të mëdha. Pandemia çoi në një ndryshim të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet shoqërore dhe kontaktet, kështu që në vend që të shtrëngonim duart dhe të putheshim, ne iu drejtuam disa formave të tjera të përshëndetjes, të tilla si prekja me bërryla ose një grusht i mbyllur.
Brenda një kohe të shkurtër ky virus i padukshëm, i cili ndryshoi krejt botën, bëri që edhe ritet fetare, doket e zakonet tona të trashëguara nga periudha e lashtë, të përjetojnë thjeshtime e ndryshime , për të mos thënë zhdukjen e tyre. Këto pjesë të kulturës sonë tradicionale, të cilat i kishin rezistuar kohës tashmë , u përulën përpara një virusi që, sot për sot, dihet vetëm se si quhet. Të shpresojmë për një kohë sa më të shkurtër. Ajo që ishte e paimagjinueshme deri vitin e kaluar është bërë përditshmëri e jetës shqiptare.
Në këtë kohë pandemie jemi dëshmitarë të realitetit të hidhur të zhvillimit të ceremonive tona në raste gëzimi e pikëllimi, siç janë lindjet, darsmat e vdekjet. Deri dje pothuaj ishte e paimagjinueshme dhe e papranueshme që të afërmit e familjes të mos shkonin me dhurata në dorë në shtëpinë e çiftit të rinj për t’i uruar foshnjës së posalindur jetëgjatësi. Shqiptarët besonin se data e dasmës nuk mund të ndryshojë, sepse në rast se ajo shtyhet sjell fatëkeqësi tek çifti i ri. Po ashtu për shqiptarët ishte e pabesueshme që personi që ka ndërruar jetë të shoqërohet për në shtëpinë e përjetshme vetëm nga familjarët. Masat për parandalimin e koronavirusit nuk lejuan asnjë përveç familjarëve të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Gjithashtu u ndaluan edhe drekat mortore, pra një lamtumirë në distancë. Të gjitha këto rregulla zakonore të shqiptarëve që përmenda nuk besohen më. Ato kalojnë pa zhurmë, në fshehtësi të plotë e larg syve të botës. Thënë shkurt e shqip, të gjitha ceremonive, qofshin këto për të mirë apo për të keq , në kohën e virusit korona, iu ka mbetur vetëm emri. Dhe ky realitet krejt i ri ndodhi brenda një harku të shkurtër kohor.
Pandemia Covid-19, përveç gëzimit të jetës dhe fatkeqësive njerëzore, ndryshoi tek shqiptarët në Malin e Zi edhe shumë tradita të tjera që i kishin rezistuar kohës. Distanca fizike dhe masat e tjera që imponoi koronavirusi sollën që ritet e festave, meshat dhe lutjet të mos praktikohen si në kohën normale. Ato u zhvilluan në shtëpi për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Meshat e lutjet në shumë kisha e xhami janë kryer online. Besimtarët kanë festuar vetëm me familjet e tyre.Ajo që, sipas psikologëve dhe sociologëve, duhet të marrim si shoqëri pas një viti e gjysmë ne dhe e gjithë bota, është se duhet të ndiejmë se njerëzimi është një tërësi e vetme dhe se një armik i përbashkët na bashkon globalisht dhe na bën të vetëdijshëm për përkatësinë e njeriut, racës dhe civilizimit. Ne, siç pohojnë ata, duhet të shohim se e vetmja rrugëdalje është një qëndrim bashkëpunues, si dhe të mbështetemi te shkenca dhe njohuritë e saj, e jo te kategoritë e vlerave dogmatike dhe retrograduese, duke përfshirë këtu edhe të ashtuquajturat “ teori të konspiracionit” të cilat janë vetëm maja e Ajsbergut. Pa marrë para sysh këto vlerësime të sociologëve dhe psikologëve mbetet e drejtë e secilit person ( individ) që ritualet ( ngjarjet) më intime t’i vlerësojë vetë.