Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë Sesionin shkencor “Shqiptarët në Malin e Zi gjatë tri dekadave të fundit (1990-2020)”, që do të mbahet në Ulqin, më 23 maj 2021.
Qëllimi i sesionit është që përmes një analize shkencore shumëdimensionale t’i vështrojë, studiojë dhe analizojë disa nga proceset dhe dukuritë, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me shqiptarët në Malin e Zi. Sesioni është konceptuar të jetë multidisiplinar dhe në të do të trajtohen probleme dhe dukuri në fushën e gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj, letërsisë që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi, historisë, demografisë, politikës, ekonomisë, kulturës, turizmit, diasporës, medias etj.
Në sesion do të marrin pjesë 15 studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa artikujt e lexuar do të botohen në një përmbledhje të posaçme.
Mbajtjen e sesionit shkencor e kanë mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.