Nga Gladiola BUSULLA

Vështrim mbi librin ‘Arsimi në demokracinë e brishtë’ të  Prof. Dr. Bardhyl Musai

Aty ku politika ngre duart, ndërhyn një ekspert arsimi, si i vetmi aktor shoqëror që mund të përballet me revolucionet social-ekonomike, kulturore apo transformimet politike dhe zhvillimin e pandalshëm teknologjik.

Libri ‘Arsimi në demokracinë e brishtë ‘ i profesorit Bardhyl Musai mbart vlera dhe pasqyron gjendjen reale të arsimit në vendin tonë. Me bindje të plotë do ta krahasoja profesorin me Charles Fadel, ekspertin global futurist të edukimit për të gjitha risitë e novacionet që ka përcjellë në arsimin shqiptar.

Libri na ofron një vështrim vertikal të sistemit arsimor në vendin tonë. Ai përfshin të gjitha dimensionet e arsimit ndër dekada dhe perspektivën e tij; të dhëna, statistika, pritshmëri suksese, sfida, dështime, progresin, regresin, të vërteta të këndshme e të hidhura që të bëjnë të mendosh; nëse ky vështrim vertikal do kryer nga lart-poshtë apo poshtë – lart.

Duke u mbështetur në gjykimet e filozofit gjerman Emanuel Kant, sipas së cilit, një parim i artit të arsimit për t’u mbajtur mend është që fëmijët nuk duhet të arsimohen për të tashmen, por për të ardhmen, në përputhje me idenë e njerëzimit dhe fatin e plotë të tij.

 Ky parim ka një rëndësi të madhe. Prindërit, në përgjithësi i edukojnë fëmijët e tyre vetëm duke u mbështetur në aktualitet, edhe nëse ai është shumë problematik, anakronik apo në mospërputhje me kërkesat e kohës. Përkundrazi!

Ata duhet t’i edukojnë fëmijët, me synimin që e ardhmja të jetë më e kënaqshme dhe më avantazhuese se e tashmja.

Më mirë se kushdo, këtë mund ta kryejnë e ta realizojnë ata që kanë dorë politikat arsimore, që merren me përgatitjen e drejtuesve, e arsimtarëve të ardhshëm, me trajnimet dhe përsosjen e tyre të vazhdueshme. Në këtë kuptim, objektivi i kësaj politike është që të implementojë dhe të forcojë kapacitetet e duhura, që lidershipi në sistemin shkollor të funksionojë dhe kështu të rritet kontributi që drejtuesit e specialistët mund të japin, për të përmirësuar shkollën dhe qëndrueshmërinë e saj me kalimin e kohës.

Për më tepër që mësuesit dhe pedagogët janë ata që përgatisin brezat e rinj për profesionet e së ardhmes, disa prej të cilëve nuk ekzistojnë ende ose janë në fazën e lindjes.

Teksa profesionistë të nderuar e kompetentë kishin ndërmarrë një rrugëtim, kishin investuar dhe ngritur institucione e organizma të specializuara, në kuadër të forcimit e përmirësimit të lidershipit shkollor, gjithçka shkokëlohet e këputet në mes.

 Më keq akoma; në këtë libër secili syresh mund të shfletojë një kalvar golgote në fushën e edukimit si thembra e Akilit në çdo shoqëri, dhe gjithashtu mund të shohë prirjen nihiliste për të mohuar çdo rezultat të frytshëm a sukses.

Në vend që përvoja pozitive shumëvjeçare të përbënte referencën konceptuale përmes së cilës të projektohej vazhdimësia, sinergjia dhe konsolidimi i arritjeve, çdo gjë u hodh poshtë me nihilizëm, mospërfillje e shkelje ligjore. Paradoksale!

Gjithkush nga ne që prek nga afër dhe rravgon në fushën e arsimit, nuk mund të tregohet assesi indiferent ndaj skenarëve të tillë që kanë mishëruar hallkat e një zinxhiri degradues, në sistemin arsimor shqiptar.

Të gjithëve duhet t’u interesojnë rrjedhojat dhe feedback-u i këtyre politikave, që luhen pas kurrizit dhe janë në kurriz të sistemit arsimor shqiptar.

Profesor Bardhyl Musai po lë gjurmë në historikun e arsimit dhe në pasqyrimin e procesit të tij. Largpamësia, talenti, logjika dhe përpikëria profesionale janë tiparet primordiale të profesorit dhe bashkëshoqërueset e tij në rrugëtimin e gjatë, pothuajse gjysmëshekullor në fushën e arsimit.

By admini