Përfaqësuesit e shumicës parlamentare paraqitën propozime për ndryshime në Ligjin për arsimin fillor, Ligjin për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, Ligjin për punën dhe Ligjin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, me qëllim që t’i vendosnin ato në procedurë parlamentare, kështu mësohet nga një post i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi Aleksa Beçiq, transmeton Ulqini Online.

Me ndryshimet e propozuara në Ligjin për arsimin fillor parashihet që çdo nxënës ka të drejtën e librave shkollorë falas për shkollën fillore, dhe e gjitha kjo në në kurriz të buxhetit të shtetit.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Parlamentit të Malit të Zi, e cila do të mbahet me 18 shkurt, shumica e re parlamentare do të miratojë disa ligje ekzistenciale të cilat do të mundësojnë standard më të mirë të qytetarëve të Malit të Zi, është kumtuar nga Lëvizja qytetare URA.

Për fillim, siç kanë theksuar , “Të gjithë fëmijët në Mal të Zi deri në moshën 6 vjeçare do të marrin shtesën fëmijërore në shumë prej 30 euro, kurse fëmijët në gjendje të rëndë materiale dhe të nevojave të tjera do të marrin nga 44 deri në 60 euro dhe kjo paraqet përmirësim të duhur në raport me situatën aktuale”.

Nënkryetari i URA-s e shef i klubit të deputetëve të koalicionit “E zeza mbi të bardhën” , Millosh Konatar ka shkruar në Tuiter se ky është hap i rëndësishëm përpara për Malin e Zi. Siç theksohet nga URA, në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit, e cila do të mbahet me 18 shkurt , do të miratohet vendimi që të gjithë librat për nxënësit e shkollave fillore të Malit të Zi të jepen gratis, pastaj të rriten kompensimet e pleqërisë për bujqit , si dhe shuma e të ardhurave neto minimale nga 222 euro, sa është tani, në 250 euro.

By admini