Nga Xheladin Zeneli

Ndërtesa e Kongresit Amerikan në Capitol Hill (Washington DC) brenda së cilës gjinden Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, si organet më të larta federative të pushtetit legjislativ  dhe atij vendim-marrës në SHBA,  konsiderohet  si tempulli i demokracisë jo vetëm amerikane por edhe asaj botërore. Përveç tjerash, aty janë marrë dhe merren vendime ku në mes të tjerash kanë të bëjnë me fatin dhe aspiratat liridashëse dhe demokratike të shumë vendeve dhe popujve të botës.

Ne shqiptarët e njohim mirë ndërtesën e Capitol-it në Washington DC dhe kemi një mirënjohje të veçantë për vet faktin se mu brenda mureve të kësaj ndërtese filloi ndërgjegjësimi i çështjes kombëtare shqiptare, përkatësisht aty filloi ndryshimi pozitiv për çështjen e Kosovës dhe pikërisht aty muar kthesë, në favorin tonë ,politika e shtetit amerikan ndaj kauzës tonë . Falë lobit shqiptaro-amerikan, ku në radhë të parë duhet të veçohet aktiviteti i Ligës  Qyetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) gjatë fundit të viteve “80-ta e sidomos gjatë viteve “90-ta, por edhe shumë organizatave dhe individëve të tjerë lobist të komunitetit shqiptar të cilët ndikuan te ligjëvenësit amerikan në paraqitjen dhe aprovimin e  disa dhjetra rezolutave për çështjen e Kosovës .Gjithashtu aty janë mbajtur me dhjetra seanca dëgjimore (dëshmi)  nga të cilat kanë rrjedhur  vendime historike në përkrahje të drejtave të popullit shqiptar.

Gjithashtu, para ndërtesës së Kongresit amerikan në Capitol Hill janë organizuar disa demonstrata të fuqishme paqësore të Mërgatës shqiptare në SHBA ku është ngritur zëri i tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ngjarja e 6 Janarit 2021 e cila tronditi mbarë Amerikën , kur një grup i protestuesve përdoren dhunë dhe vandalizëm për të hyrë brenda ndërtesës së Kongresit, ishte një sulm i paprecedent, jo vetëm ndaj këtij institucioni por edhe ndaj vlerave të mëdha demokratike e tradicionale  të shoqërisë amerikane. 

Çdo akt dhune , pa marrë parasysh se nga kush vjen

dhe për çfarë motivi është i nxitur,  ndaj instucioneve të një shoqërie të lirë dhe demokratike siç janë SHBA,është i papranueshëm dhe njëzëri duhet  dënuar fuqishëm nga të gjithë ne.

Duke pasur parasysh rolin dhe kontributin historik që Kongresi amerikan ka dhënë kryesisht për çështjen e Kosovës mendoj se ne duhet ta trajtojmë ate gjithëmonë si simbol i rëndësishëm i mbrojtjes së të drejtave dhe i interesave  tona kombëtare.

By admini