Nga Frank Shkreli
Disa ditë më parë shkrova një artikull për shqiptaro-amerikanin Lekë Gojçaj i cili ndërroi jetë javën që kaloi në Nju Jork, për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e tij prej bamirësi, përfshir, ndër të tjera, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nënë Terezës, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”, Lekë Gojçaj flet për sponsorizimin (me vëllain e tij Pashkon) të disa shtatoreve kushtuar Shenjëtreshës Nenë Terezës, në trojet shqiptare dhe në Amerikë. Këtë, vëllëzërit Gojçaj e bënë si pjesë e përpjekjeve të tyre për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar, një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news”, që përhapej nga sllavët e jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar. Nga libri nuk është krejtësisht e qartë se pse ata nuk ndërtuan një shtatore kushtuar Nenë Terezës në Shqipëri.
Megjithkëtë, duhet thenë prej fillimit, se Shqipëria vërtetë e ka nderuar Nenë Terezën me një ditë kushtuar asaj –Dita e Nenë Terezës – e shpallur festë publike. Aeroporti i Tiranës, mban emrin, Aeroporti Ndërkombëtar Nenë Tereza, sheshi i dytë më i madh në Tiranë, quhet Sheshi Nënë Tereza dhe spitali më i madh civil në Tiranë mban gjithashtu emrin e saj. Prandaj ka giasë që indiferentizmi ndaj statujës ose statujave të saj në Shqipëri është më shumë një pa kujdesje, ose një braktisje e përgjegjësive nga entet përkatëse qeveritare, që shfaqet edhe ndaj shumë monumenteve historike të personaliteteve të tjera shqiptare (por jo ndaj monumenteve të huajve në Shqipëri).
Sidoqoftë, edhe në Shqipëri ka dy shtatore të Nenë Terezës të sponsorizuara, me sa dijë unë, nga autoritetet shqiptare. Njëra shtatore e Nënë Terezës ishte vendosur, fillimisht, në një skutë pranë universitetit të Tiranës dhe në sheshin që mban emrin e saj në kryeqytetin shqiptar. Gjithmonë kur vizitoja Tiranën, gjatë viteve, nuk hezitoja të shkoja andej pranë universitetit për të parë, “gjëndjen e Nënë Terezës në Atdheun e saj”, gjëndje e cila nuk ndryshonte, nga viti në vit, ashtu e “veshur” me shkurret që e rrethonin dhe nuk ndryshonte as për nga indiferentizmi i hapët që tregohej ndaj asaj shtatorjeje, që ishte vendosur në një skutë që mezi shihej nga kalimtarët, por në qendër të Tiranës. Për t’i ra shkurt bisedës, kishte edhe një përmendore tjetër të Nënë Terezës – ajo që ishte vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës. OK, busti që ishte tek universiteti, i ç’vendosur prej atje është vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar në Tiranë — se dikujt nuk i pëlqente ajo statujë që ishte vendosur aty më parë. Atëherë, ajo statuja gjigante e Nenë Terezës që dominonte hyrjen tek aeroporti Rinas (më vonë aeroporti Nënë Tereza), është ç’vendosur prej aeroportit, për t’i lëshuar vendin statujës së Nënë Terezës që ishte pranë Universitetit të Tiranës. Në këtë ndërkohë, për një periudhë, duke mos ditur ç’të bënin me të, statuja e aeroportit ishte hedhur në një depo, së bashku me disa statuja të kohës së komunizmit.
Por saga e kësaj statuje nuk mbaron këtu. Kërkoj ndjesë nëse e konfuzova lexuesin. Nuk di nëse e shpjegova si duhet deri këtu, po qëndroni gjithnjë me mua, i dashur lexues? OK. Statuja që ka qenë në Rinas nxirret më në fund nga depoja ku ishte hedhur dhe transportohet nga Tirana në Qafë Thanë, në kryqëzimin e rrugëve mbi liqenin e Pogradecit, ose liqenin e Ohrit, ku qendron edhe sot. E tani, kemi ardhur, pikërisht, tek subjekti i këtij shkrimi.
Siç duket, të frymëzuar nga dy shkrimet e fundit që kam bërë për Nenë Terezën: nga vlerësimi i librit të Prof. Gëzim Alpion mbi Nenë Terezën, muajin e kaluar https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/, dhe nga shkrimi disa ditë më parë mbi librin e Lekë Gojçajt për Shtatoret e Përjetësisë, https://telegraf.al/opinion/nderroi-jete-leke-gojcaj-i-shtatoreve-te-perjetesis — kanë nxitur lexuesit të më dërgojnë komente dhe foto nga vendi ku është vendosur përmendorja e Nenë Terezës, në Qafë Thanë, pasi, thanë ata, shpesh kalojnë nga kjo rrugë ku është vendosur Përemendorja e Shenjtëreshës shqiptare. Fotot flasin për një braktisje të dukshme dhe mungesë kujdesjeje nga entet qeveritare që janë përgjegjëse për monumente të tilla të kulturës shqiptare, përfshir Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Prenjasit, e tjera.
Lexuesit, që kalojnë andej shpesh, janë të revoltuar se përemendorja e Nënë Terezes e vendosur në atë kryqësim rrugësh, madje as nuk identifikohet me emrin e saj, as edhe me ndonjë thënje identifikuese të saj. Sugjerim: “Gjithmonë, shpirtërisht, jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira…”, është shprehur Nënë Tereza siç sugjeron edhe titulli i librit, “E kam në zemër popullin tim Shqiptar”, sipas biografit të Nënë Terezës, të Përndershmit Dom Lush Gjergjit. “Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas Librit “E kam në Zemër Popullin tem Shqiptar—Bisedime me Shën Nenën Tereze”, të Dom Lush Gjergjit. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-e-kam-ne-zemer-popullin-tem-shqiptar/ Aty qendron busti i Nënë Terezës, i vendosur ku kryqësohet rruga për në kufi midis Maqedonisë e Shqipërisë – ashtu pa emër dhe pa identitet. “Aty Nënë Tereza, vazhdon të duket si një punonjëse trafiku. Dikush që nuk e di kush është, vështirë të besoj se ajo është Nënë Tereza”, më shkruan i zemëruar një lexues nga Shqipëria që kalon andej shpeh dhe vazhdon: “Nuk ka emër, bari është i djegur e shpesh era hedh në këmbet e saj mbeturina e qese. E trishtë por e vërtetë! Nuk di, nuk di ta shpjegoj. Ndërkohë që ruajmë monumente të emrave që nuk njohim apo që kanë dëmtuar Shqipërinë…nuk dimë të respektojmë ato që realisht e lartësojnë këtë vend”, shkruan lexuesi, me të drejtë i acaruar për ato që ka parë.
Sipas rrugëtarve, statuja e Nënë Terezës është vendosur pranë rrugës majtas që të drejton për në kufirin Shqipëri Maqedoni e Veriut, për të shkuar në Pogradec e më tej në kufirin me Greqinë duhet të marësh drejt, shkruajnë lexuesit. Këtu ngrihet, sipas tyre, busti i Nënë Terezës që duket sikur i jep bekimin e saj kujdo që kalon aty. Ata e përshkruajnë shtatoren aty, të rrethuar vetëm nga një bar i thatë e disa bimë shkure, mbeturinat janë hedhur sa andej ketej. “E trishtë, por e vërtetë”, shprehet lexuesi, duke shtuar se, “Nuk besoj se kjo gjë ndodh në ndonjë vend tjetër të botës. Çdo vend tjetër do krenohej me këtë figurë që nuk ka ngurruar kurrë të thotë që ka gjak shqiptari!”
Vërtetë e trishtë gjëndja e shtatores së Nënë Terezës në Qafë Thanë. Qendron atz, e braktisur nga entet e kulturës shqiptare, pa emër e pa identitet! Si e huaj, megjithëse në vend të vet! Trishtues është indiferentizmi dhe mos kujdesi për monumente të tilla kombëtare, anë e mbanë Shqipërisë. Duhet të jemi të sinqert, se megjithëse trishtohemi kur shohim monumentin e Nenë Terezës në këtë gjëndje, për fat të keq edhe monumente të tjera në Shqipëri, nuk trajtohen shumë më mirë se ai i Nënë Terezës në Qafë Thanë. Për këtë indiferentizëm ndaj personaliteteve shqiptare, siç është Nënë Tereza dhe për mos kujdesje ndaj kulturës dhe personave që përbëjnë identitetin dhe historinë e Kombit Shqiptar, dikush duhet të jetë përgjegjës, qoftë në nivel qendror, qoftë atë vendor. Të pakën, në këtë rast, por edhe në përgjithësi, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të pastruar vendin për rreth përmendores, që sipas fotografive bashkangjitur këtij artikulli të marra nga vendi, para 4-5 ditësh, statuja duket krejtësisht e braktisur, pranë një rruge që tërheq turistë vendas dhe të huaj. Nga fotot, nuk më duket një pamje që i jep nder Shqipërisë dhe as nuk nderon shqiptarët kudo që jemi dhe aq më pak Nënë Terezën, këtë figurë të madhe, që siç u shpreh edhe një lexues, që çdo vend tjetër do të ishte krenar ta kishte.
Jeta në të gjallë e Nënë Terezës ishte një jetë sakrificash të mëdha, pa bujë e në ndihmë të njerëzve në nevojë. Ndaj edhe nëse fondet për lule apo germa bronzi mungojnë për të identifikuar Nënë Terezën në Qafë Thanë(!!!) emri i Nënë Terezës mund të shkruhet edhe me një grusht gurrësh të mbledhur, aty pranë, në zallin e liqenit. E kjo nuk do kërkonte asnjë shpenzim -veç zemrës së bardhë, dashurisë e një vullneti të mirë. Në kryqëzim të kufijve, ajo qendron shumë bukur aty, por pakkush nga të huajt apo edhe të tjerë e dinë se kush është. Në minimumin, vendosja e emrit për ta identifikuar Nenë Terezën është detyrim, është respekt për veten por edhe për misionin e Nënë Terezës, një mision fisnik që duhet të vazhdojë.
Frank Shkreli